Dr. Sadik Elshani
Më 21 janar u ben 16 qëkur dr. Ibrahim Rugova kaloi në botën e amshuar. Është kjo një ditë për të reflektuar për jetën dhe veprën e arkitektit të pavarësisë së Kosovës. Gati të gjithë qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e partive politike në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare e vlerësojnë lart figurën e dr. Rugovës, por për fat të keq ende ka individë (vetje) që ende mundohen ta njollosin këtë figurë të ndritur, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë shqiptarisë. Në këtë shkrim do të mundohem që të flas diçka për figurën e dr. Rugovës, por edhe t’u drejtohem kritikave të pabaza të bëra nga disa individë inatçorë.
Dr. Ibrahim Rugova, prijës guximtar e largpamës
Paraqitja e dr. Ibrahim Rugovës në skenën politike të Kosovës ishte një dukuri e paparë gjer atëherë në hapësirën shqiptare dhe atë ballkanike. Gadishulli që kishte përjetuar drama, tragjedi njerëzore, luftëra e dhunë të pandërprerë, thuaja gjatë tërë historisë së tij, nuk ishte mësuar të ndeshej me një qëndresë (rezistencë), lëvizje paqësore. Por ja që dr. Ibrahim Rugova solli diçka të re, solli nëe qasje të re, rezistencën paqësore, rezistencën këmbëngulëse burrëore – zgjodhi forcën e parimeve të larta morale mbi forcën e vrazhdë fizike. E mospërfillën pushtuesin, e refuzuan nënshtrimin dhe ngritën institucionet, shoqërinë paralele. Me këtë qasje, strategjinë, filozofinë e tij politike ai e kishte projektuar pavarësinë e Kosovës, qëllimin përfundimtar, ëndrrën e popullit të Kosovës. Pra, ky është rugovizmi: filozofia politike, strategjia e dr. Ibrahim Rugovës për të arritur pavarësinë e Kosovës. Armiku ynë, siç kishte bërë gjithmonë, zgjodhi rrugën e dhunës, rrugën e krimit, gjenocidit. Barbarizmi nuk mund ta përqafojë qytetërimin dhe vërtet është shumë e vështirë që barbarizmi të luftohet, mposhtet me mjete paqësore. Por, kohërat tani kishin ndryshuar, Europa dhe bota përparimtare ishin zgjuar nga indiferenca e tyre, sepse armiku ynë, dikur miku i tyre, e kishte mbushur kupën me krimet e tyre barbare e çnjerëzore. Dr. Rugova ishte bërë simboli, flamuri i kësaj lëvizje dhe me forcën e personalitetit, intelektualizmit të tij e bëri të ndjeshme, e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, e gëzoi përkrahjen dhe mbështetjen e demokracive, fuqive më të mëdha botërore. Por, çka është edhe më e rëndësishme, ai e gëzonte përkrahjen, dashurinë, respektin e pakufishëm të popullit të vet. Udhëheqësi i zgjedhur në mënyrë demokratike që e gëzon respektin dhe përkrahjen e popullit të vet, do ta gezojë edhe përkrahjen, mbështetjen e botës përparimtare. Qyteterimi europian e botëror që i mbështeti, që i përqafoi vlerat e larta intelektuale e njerëzore të këtij biri të Nënë Terezes, sikur u pajtua që të bënte diçka për popullin, vendin e këtij njeriu që mishëronte paqen, mirëkuptimin, harmoninë në mes të popujve dhe jo dhunën. Me përkrahjen ndërkombëtare, luftën e Natos dhe të shqiptarëve, kjo qasje e re solli diçka që nuk kishte mundur të realizohej më herët – solli pavarësinë e Kosovës. Të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës vazhdimisht kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e tyre, Kosova ka patur burra shumë më trima e më të zotë se “komandantët” rrahagjokës: Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Galica, Shaban Polluzha e shumë të tjerë, por ja që nuk munden t’i arrinin synimet e tyre. Nuk ka nevojë që të zgjatemi më tepër këtu se të tjerat i ka thënë dhe do t’i thotë historia.
Dr. Rugova nuk ishte një Shenjt, Profet, njeri i përkryer, por ishte udhëheqësi i duhur, në kohën e duhur, në çastin vendimtar, në vendin e duhur. Kishte shumë kohë që vendi ynë e priste një prijës të tillë, të mençur e guximtar. E quajtën Gandi i Ballkanit. por ai ishte edhe Moisiu i Ballkanit, Moisiu i shqiptarëve. Ai nuk i priu popullit të tij drejt tokës së premtuar, sepse ata ishin në tokën e premtuar, në tokën e tyre – ai i priu popullit drejt fitores së lirisë, heqjes së prangave të robërisë shekullore. Iishte i begatuar me tipare shumë njerëzore, kurrë nuk e ka fyer askend, nuk e ka sharë askend, nuk e ka kërcënuar askend, nuk ka folur keq për askend, edhe pse të tjerët e sulmonin vend e pa vend. Nuk ishte një udhëheqës mendjemadh e fjalëbosh, por gjithmonë i qetë, një intelektual i brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë dhe i edukuar me një frymë liberale përendimore, i armatosur me forcën e argumentit, të vërtetës, fakteve – shembëllturë e intelektualit të angazhuar. I kishte ngarkuar vetes një qëllim, një mision të lartë e fisnik: të mos merrej me të tjerët, por vetëm me çështjet, interesat madhore të Kosovës dhe të kombit tonë. Këtë mund ta bënte vetëm një intelektual, humanist me shpirt fisnik e zemër të gjërë si dr. Rugova, njeri qe ia njeh shpirtin e popullit te vet.
Rrahagjokësit dhe njeriu i urtë
Ka shumë rrahagjokës që ende jane duke e kritikuar rrugën e tij paqësore, që nuk ishte nënshtruese, por sfiduese, këmbëngulëse, formoi një shoqëri të qytetëruar, ndërtoi një shtet paralel, si përmendëm më lart, dhe që u kurorëzua me fitore. Por, në hapësirën shqiptare dhe atë ballkanike gjatë gjithë historisë ka patur vetëm dhunë. Në shoqëritë ku mbizotëron kulti i ekzagjeruar i mashkullit, në shoqëritë “macho”, në shoqëritë ku njerëzit vuajnë nga sindromi i heroit, njerëzit e urtë, të mençur e të sjellshëm si dr. Rugova, quhen frikacakë, tuca. Përkundrazi, është e kundërta. Bukur e ka thëë shkrimtari libanezo – amerikan, Khalil Gibran (1883 – 1931): “Sjellja e mirë dhe të qenit njerëzor, nuk janë shenje e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri”. Rrahagjokesat duhet ta dinë se Kosova nuk kishte ushtri, tanke, aeroplanë – forcat tona ishin shumë të pabarabarta me ato të armikut tonë. Duhej hulumtuar, gjetur një rrugë tjetër. Ne patëm kohe për njëqind vjet që të çliroheshim, por nuk mundem vetëm me forcat tona, duhej një përkrahje, ndërhyrje ndërkombëtare.
“Mjerë ai vend ku përçmohen mendjet e lartësohen muskujt” – ka thënë shkrimtarja italiane, Sveva Casati Modignani (1938). Për fat të keq, ai vend është vendi ynë. Prandaj, nuk është aspak për t’u habitur se në një shoqëri, vend të tillë ende ka njerëz në pozita politike dhe nëpër institucionet shtetërore, kulturore e akademike që mundohen ta përdhosin veprën e dr. Ibrahim Rugovës. E kritikonin dr. Rugovën për durimin e tij, por populli ynë dhe shumë popuj të tjerë e kanë një shprehje: I duruari, i fituari.
Praktika, realiteti dhe historia i dhanë të drejtë dr. Rugovës
Kundërshtarët politik të dr. Rugovës mendojnë se Kosova e kishte një armatë të armatosur gjer në dhëmbë: radhë të pafund të tanksave, aeroplanë me motora të ndezur në pistë që vetëm prisnin urdhërin e dr. Rogovës, por ja që ai nuk po e jepte atë urdhër. Udhëheqësi i mirë kujdeset për popullin e vet dhe nuk luan bixhoz me fatin, jetën e tij. Nuk mund të bësh thirrje për luftë kur nuk je i përgatitur për luftë, pa armë e pajisje luftarake – kjo do të ishte vetëvrasje për Kosovën. Ishte një ballafaqim si ai rrëfimi biblik për Davidin dhe Goliathin. Davidi nuk e kishte forcën e Goliathit, por duhej gjetur një rrugë tjetër për mposhtjen e tij. Pra, në rastin e Kosovës, duhej që të siguroheshin përkrahje e aleanca me fuqitë botërore. Edhe dr. Rugova e ka ditur shumë mirë që Serbia nuk largohet nga Kosova pa forcë. Po ku ta gjeje atë forcë, sepse vetëm forca jonë nuk ka qenë e mjaftueshme?! Edhe atij me siguri i është vërtitur nëpër mend vargu i Migjenit: “O, si nuk kam një grusht të fortë”. Dhe e gjeti atë grusht: intervenimi ushtarak i NATO-s, pa lene anash as luftën e UÇK-së. Vetëm grushti ynë nuk ka mundur ta nokautonte Serbinë. Udhëheqësi i mirë e përcepton, e vlerëson drejt dhe me largëpamësi një situatë të caktuar. Një rast kyç për fatin e Kosovës ishte Konferenca e Rambujesë. Kosova e nënshkroi marrëveshjen, ndërsa Serbija, jo. Ky ishte një signal i qartë për ndërkombëtarët se Serbia nuk është e interesuar për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës. Serbia e bënte të kundërtën, kishte grumbulluar forca të shumta ushtarake në kufirin e Kosovës. Po të mos e kishte nënshkruar këtë marrëveshje Kosova, ndërsa Serbia do ta kishte nënshkruar, atëherë përfundimi do të ishte krejt ndryshe. Dr. Rugova ishte për nënshkrimin e menjëhershëm, ndërsa z. Hashim Thaçi isht kundër, por më vonë e nënshkroi. Ndërsa Albin Kurti ishte kundër kësaj marrëveshje. Udhëheqësi i mirë gjykon me gjakftohësi dhe merr edhe vendime të vështira. Serbia po i vazhdonte masakrat, dhe ishte pikërisht masakra e Reçakut ajo nxitësja finale për intervenimin e NATO-s. Ata që e kanë kritikuar dhe ende po e kritikojnë dr. Rugovën vetëm janë duke e bërë më qëllime dashakeqe për ta zbehur figurën e tij të ndritur. E kanë të kotë se historia dhe realiteti kosovar i kanë dhënë të drejt dr. Rugovës. Nëse dikujt nuk i ka pëlqyer politika e dr. Rugovës, përse nuk i aknë themeluar partitë e tyre dhe ta linin anash dr. Rugovën e t’i prinin popullit? Populli e përkrahu dr. Rugovën dhe qasjen e tij për zgjidhjen e problemit të Kosovës. I kanë propozuar prof. Rexhep Qosjes që ta merrte drejtimin e LDK-së, por ai kishte refuzuar. Tani ai nuk ka kurrëfarë të drejte morale që ta kritikojë dr. Rugovën dhe politikën e tij të guximshme e largpamëse. Në një emision debatues, “Pressing”, të TV7, opinionisti Isuf Thaçi u shpreh se dr. Rugova e zgjodhi rrugën e poshtërimit. Nga ato që u cek më lart dhe vetë rrjedha e ngjarjeve historike, mundja e Serbisë dhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, tregojnë qartë se dr. Rugova kishte të drerjtë. Në të njejtin emision edhe profesori universitar i filozofisë, Blerim Latifi, u shpreh se me rrugën e Rugovës Kosova do të gëzonte vetëm një autonomi. Dr. Rugova gjithmone, në të gjitha intervistat dhe deklaratat e tij ka ngulur këmbë vetëm për pavarësi. Kosova sot është shtet i pavarur dhe jo krahinë autonome e Serbisë, fal shumë faktorëve, por një nga faktorët kryesorë është politika e guximshme e largpamëse e dr. Rugovës. I ceka këta dy individë, por për fat të keq ka edhe shumë të tjerë që mendojnë si këta. Ka shume konflikte në botë ku po derdhet gjak, siç u shpreh dr. Latifi për Kosovën, por NATO nuk po ndërhyn ushtarakisht, ende këto zona të konfliktit nuk i kanë arritur qëllimet e tyre, sepse nuk e kanë një prijës te kalibrit të dr. Rugovës. Zotin Isuf Thaçin dhe profesor Blerim Latifin askush nuk po e ndalon që me “trimat” e tyre ta kalojnë urën e Ibrit dhe ta bashkojnë Mitrovicën dhe Veriun e Kosovës. Nëse e paskëshim patur forcën për ta çliruar pjesën dërmuese të Kosovës, pse nuk e paskemi forcën për ta futur Veriun e Kosovës nën kontrollin e qeverisë së Kosovës? T’i gjykojmë gjërat me pjekuri e jo me inate e kritika dashakeqe.
Të ndjekim rrugën e Rilindjes sonë Kombëtare
Periudha e ndritur e Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtaria e lëvizjes së dr. Rugovës janë dëshmi të qarta se, asnjë qëndresë e armatosur nuk mund të jetë e suksesshme pa patur përkrah një lëvzje të drejtë e të fortë politike, gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, që gëzon edhe përkrahjen e gjërë ndërkombëtare. Intelektualët nuk duhet të heshtin përpara sfidave të vështira që po kalon Kosova e kohëve të fundit – nuk duhet të bëhen peng i politikës së ditës dhe të ambicieve të tyre të sëmura për pushtet, duke e përçarë popullin, madje duke nxitur edhe dhunë. Ngjarjet e viteve të fundit në Kosovë janë duke pasqyruar qart se Kosovës sot po i mungon një intelektual, një politikan i kalibrit të dr. Rugovës. Po ndihet dukshëm mungesa e prijësit emblematik të Kosovës, udhëheqësit që rrezatonte vlera kombëtare e mirësi njerëzore. Njerëzit si dr. Rugova rrallë paraqiten në jetën publike e politike të një vendi, një populli të vogël dhe kam frikë se për një kohë të gjatë nuk do të kemi një njeri të përmasave, autoritetit të tij.
Në figurën e dr. Ibrahim Rugovës politikanët shqiptarë e kanë një shembull të mirë për ta ndjekur. “Finis coronat opus” (fundi e zbukuron veprën) kanë thënë latinët e vjetër – vetëm shikone ceremoninë e varrimit të dr. Rugovës. Në kohën e dr. Rugovës Kosova ndryshe trajtohej e jo si sot, qe dita ditës është duke rënë poshtë e me poshtë përkrahja e saj ndërkombëtare.
Philadelphia. 21 – 24 janar, 2022
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.