Nga Agron Shele/
Ne Foto:Peter Tase/
Eshtë impresionues dhe befasues portreti intelektual i të riut Peter Tase, i cili me punë dhe përkushtim ka krijuar një perfomancë të shkëlqyer në të gjitha sferat e shoqërisë amerikane, duke u bërë shëmbëlltyrë e qartë e gjithë atributeve të shqiptarëve sot në botë. Falë cilësive të veçanta dhe prirjeve në rritje, figura e tij është shndërruar në potencial vlerash, ideshë dhe cilësi që me devocion të plotë i ka vënë në shërbim të kulturës dhe integritetit panshqiptar. Po kush është ky njeri?
Peter Tase ka lindur në Qytetin e Beratit, në Tetor të vitit 1982. Në Vjeshtën e vitit 2000 vendoset familjarisht në qytetin e Milluokit (Milwaukee), shteti Wisconsin (wisconsin). Pas shkollës së mesme pranohet në Universitetin e Wisconsin – it në Milwaukee (UW-Milwaukee) ku vazhdon studimet për literaturë, gjuhë Italiane, shkenca politike dhe sociale. Diplomohet nga UW-Milwaukee ne Dhjetor, 2006. Në pranverë, 2006 ka punuar si asistent në zyrën e Antarit të dhomës së Ulët në Kongresin e SHBA, Rep. Richard Pombo (CA-11), ku është marrë me marrëdhëniet me votuesit në zonën elektorale si dhe për problemet e energjisë së renovueshme. Më pas ka punuar si koordinator dhe asistent për shërbimet e kompanive në fushën e telekomunikacionit dhe marrëdhëniet e këtyre të fundit me pushtetin vendor në shtetin Wisconsin; duke u bërë pjesë e ekipit të ngritur për këto çështje në Dhomën e Avokatëve Whyte Hirschboeck Dudek S.C.
Në Shkurt 2007, fillon shërbimin si Vullnetar i Korpusit të Paqes në Republikën e Paraguay-it (Amerika e Jugut), duke ushtruar funksionin e këshilltarit për politikat e Shëndetit Publik në Zonat Rurale. Gjatë kësaj periudhe ai do studionte dhe përvetësonte edhe gjuhën Guaraní. Pas shërbimit në Korpusin e Paqes (U.S. Peace Corps), në Qershor, 2009, kthehet përsëri në Milwaukee dhe i përkushtohet linguistikës, promovimit në perëndim të letërsisë dhe poezisë Shqipe, letersisë Guaraní si dhe asaj Paraguay-ane në tërësi. Në vitin 2010, boton “Fjalor Simultan me Pesë Gjuhë”, ku përfshihen 3200 fjalët më të përdorshme, të prezantuara në Pesë Gjuhë : Anglisht, Italisht, Spanjisht, Shqip dhe Guaranisht. Më pas është marrë me përkthimin e veprave të shkrimtarëve të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova si: Ndue Ukaj, Remzi Basha, Jeton Kelmendi, Anton Gojçaj, Engjëll I. Berisha. Aktualisht punon si investigues (Research Fellow) për çështjet ndërkombëtare në Këshillin e Punëve të Hemisferës Perëndimore (Council on Hemispheric Affairs), dhe si analist në faqen e lajmeve botërore në Internet:
http://www.speroforum.com/
Ka botuar një sërë artikujsh në faqjen elektronike të lajmeve:
http://kosova.info/
(http://kosova.info/2011/12/presidenti-xhejms-polk-dhe-lufta-teritoriale-me-meksiken-1846-1848/)
Aktualisht ai sot vazhdon studimet për gradën Master of Arts në Institutin e Politikave Botërore, Washington, D.C., (The Institute of World Politics). www.iwp.edu
Një biografi e pasur që nuk ka nevojë për koment, por shpreh më së miri dhe qartë ecurinë dhe rritjen individuale të këtij poligloti, përkthyesi dhe personaliteti të ardhshëm. Figura e Peterit është shumëplanëshe, por ne do të ndalemi tek përkushtimi, dhe evokimi i vlerave shpirtërore letrare në shërbim të përnjohjes dhe njehësimit të letrave shqipe në lëmin e literaturës amerikane. Komponentët kryesorë të përkthimit: kompozicion, ruajtje mesazhi, ruajtje forme dhe përmbajtjeje janë elementët bazë që udhëheqin përkthyesin, dhe me këtë metodologji ai ka përcjellur orgjinalitet dhe autentitet të veprës shqiptare poetike. Pasioni, dashuria për kulturën dhe gjuhën amtare, prezantimi i saj në Amerikë, kanë për mision dhe qëllim publikimin dhe njohjen e vërtetë të kësaj kulture sa ornamentale po dhe kaq të lashtë, e cila fatkeqesisht zë një vend relativisht të vogël në Ansamblin e letërsisë botërore.
Autorët e përkthyer nga Peter Tase:
Ndue Ukaj me dy vëllimet poetike : “Ithaca of the Word (“Itaka e fjalës”) dhe “Godo is Not Coming – Godo no Viene – Godo nuk vjen” (Tridhjet poezi te përkthyera ne Anglisht dhe Spanjisht), vlerësuar si libri më i mirë poetik per vitin 2010 (në zhanrin e pozisë) në Republikën e Kosovës. Gjithashtu historiani i njohur amerikan dhe specialisti i biografisë së Abraham Linkoln-it, Harold Holzer versionin në Anglisht të këtij libri e ka vlerësuar me këto fjalë: “[Ndue Ukaj’s] work is beautiful–thoughtful, touching, powerful (poezia e Ndue Ukaj është e bukur, me përmbajtje, prekëse, e fuqishme”). Poezia e Ndue Ukaj është vlerësuar gjithashtu edhe nga profesori i Hstorisë në UW-M Glen Jeansonne, Ph.D. dhe Rene Antrop-Gonzalez, Ph.D., Profesor i Asociuar në kurikulum dhe shkenca arsimore; që te dy kanë shkruar përshtypjet e tyre të cilat janë paraqitur në faqet e vëllimit poetik. Poezia e Ukajt nëpërmjet përkthyesit Tase, vjen me nota të gjalla, shprehëse, racionale dhe moderne. Simbolika e autorit është universale, përbën ngjarje në përkthimin e saj në anglisht dhe për më tepër frymon fuqishëm modelin e poezisë shqipe.
Jeton Kelmendi me vëllimin poetik: “How to Reach Yourself (Si të shkosh tek vetvetja). Jeton Kelmendi vjen nëpërmjet përkthimit brilant të përkthyesit Tase me veçoritë dhe specifikën e veçantë që ka ky autor. Stili, beftësia, moderniteti, lojëra e fjalëve, pjekuria e lartë artistike dhe estetike, muzikaliteti i tyre dhe ndjenjësia e poezisë, prekin dhe krijojnë një atmosferë të thellë mendimi dhe hapësire. Poezitë në vëllimin “Si të shkosh tek vetvetja”, shprehin më së miri konceptin relativ rreth vetë fjalës, mendimit, nuancës dhe ndërthurjes së saj, drejtpeshimit dhe ngritjes në art; përbrenda këtij vizualiteti këto poezi vijnë sa shprehëse po kaq dhe performuese, duke përbërë risi për gjetjen dhe stilistikën edhe në gjuhën angleze.
Anton Gojçaj si poet, shkrimtar dhe studiues me banim në Tuz të Malit te zi vjen nga përkthyesi Tase për lexuesin amerikan me gjithë patosin e tij poetik, dhe me një art të patjetërsueshëm, por të mbështetur thellë në traditën shqiptare dhe të pasuruar me elementët e poezisë më bashkohore sot në botë. Pas nje pune prej disa muajsh, Peter Tase perfundoj se perkthyeri librin me poezi te Anton Gojçaj titulluar: “Dëgjohet një violinë në suferinë” dhe e botoj ne gjuhen Angleze, ne SHBA tek shtepia botuese (online) Lulu Enterprises, Inc., me titull: “A Violin is Heard Flowing in a Torment”, Nëntor, 2012.
Remzi Basha me vëllimin poetik: “Fire in my Hands” (Zjarr në duart e mija) Në këtë vëllim poetik ka një bosht të mirëpërcaktuar, ku spikat ndjeshëm dhe dukshëm ritmi patriotik, gjallimi i momenteve të tij historik, plaga e emigrimit dhe atdhedashuria e shfaqur nga UCK dhe forcat mbrojtëse të Kosovës. Autori Tase nëpërmjet këtij botimi ka ndikuar dukshëm në përnjohjen dhe sakrificat e popullit kosovar për flamur, pavaresi dhe liri, prezantuar në shoqërinë amerikane dhe aureolës intelektuale të saj. Vetë poezia është një lajtmotiv që i thur lavde atdheut dhe shpirtit të tij të pamposhtur, e ngre atë në piedestal dhe e pasqyron para opinionit mbarë-ndërkombëtar si një komb që është djegur dhe masakruar në shekuj dhe se meriton shumë më tepër.
Një vend të rëndësishëm në plotësimin e potencialit të tij intelektual dhe interkulturor zë dhe studimi me baza dhe njohja e shkëlqyer e gjuhëve të huaja, perfomancë kjo që jepet me botimin “Fjalor Simultan me Pesë Gjuhë”. Shkrimtari Shqiptaro- Belg, Skënder Sherifi shkruan këto fjalë për këtë fjalor të botuar në vitin 2010: “Një Fjalor që shënon një urë afrimi e bashkëpunimi mes 5 popujve e kulturave botërore. Një mjet komunikimi i nevojshëm në mes tyre është natyrisht gjuha: se si shprehet e artikulohet në bazë të psikologjisë e historisë të këtyre popujve specifik. Projekt fantastik, ndoshta edhe surrealist pse jo …çka përbën Guaranishtja, gjuha e indianëve të Paraguajt … që mund t’i imagjinojmë nga injoranca, si figuranta në një film western-spaghetti të Sergio Leonës : ” Na ishte një herë Amerika”, porse kanë në realitet një botë e një thesar kulturor të pa imagjinueshëm me gjuhët internacionale të njohura si anglishtja e spaniollishtja. Këtu qëndron pra fisnikëria e autorit … që nuk i përjashton apo nënçmon kulturat e quajtura minoritare.”
Kompleksiteti i figurës së Z. Tase ndihet fuqishëm dhe në anën publicitare, ku shkrimet e botuara tek faqje të ndryshme interneti me fokus në lajmet botërore përcjellin lajmin rreth problematikës dhe progresit të vendit të tij. Shkrime të tilla si: “Arsimi dhe kultura në Myzeqe – Historia Arsimdashëse e një Krahine të Shqipërisë” botuar në faqjen e informacionit http://kosova.info/ apo “Prenk Pervizi: Gjenerali i Monarkise Shqiptare” ka bërë që vëmendja e kombit të madh amerikan, por dhe e një opinioni më të gjerë të kthehet edhe drejt panoramës së pasur shqiptare në Shqipëri dhe diasporë. Z. Peter Tase, shkruan rregullisht artikuj te ndryshem te cilët janë botuar ne faqe të ndryshme informacioni në Internet, si dhe në shtete të ndryshme të botës.
http://www.5dias.com.py; www.speronews.com; www.coha.org ; http://en.mercopress.com/;
Peter Tase është qendra dhe referimi i gjithë përpjekjes shqiptare për një vend më të përparuar, është ëndrra dhe realiteti i ri që kërkon të ndërtojë nje shoqeri te lire dhe te pasur me nje dialog multi-kulturor, është ideja dhe botkuptimi i thellë shpirtëror, është zemra e një patrioti që rreh për kombin e vet, është fuqia potenciale dhe kreativiteti i një intelektuali të plotë, është shëmbëlltyra e vlerave njerëzore që karakterizon një shqiptar të ditur sot.