
Mirseda Daci/
Femër. Mjafton të thuash këtë fjalë dhe menjëherë të vjen ndër mend pengimi. Femra më duket si një ishull i rrethuar me det, por ky i fundit përfaqëson vështirësitë që e rrethojnë atë.Në jetën tonë të përditshme ne jemi dëshmitarë të ngjarjeve të tmerrshme e të papëlqyeshme, ku gruaja trajtohet në mënyra çnjerëzore. Po përse duhet të ndodhin këto? Duket sikur fantazma e mjerimit endet akoma mes nesh. Jo më kot Musineja vendosi femrën si personazh qëndror të rrethuar nga mentaliteti primitiv e nga zakonet me pushtet mizor, ”nga trysnia e mashkullit shqiptar dalë nga psikologjia mesjetare”.“Të vdekura për së gjalli, nuk kemi kaluar veçse një jetë burgu ,të përplasura prej zakoneve të mykura, frikës së të mëdhenjve, ndënë tmerrin e burrit i cili ishte një forcë e patundur. Ne të mjerat gra…ishim veçse një lodër e tyre, edhe prishja më e vogël e qejfit ,ishte shkak dërgimi në shtëpinë e babait.” Një gjendje e rëndë psikologjike dhe morale peshonte te personazhet femërore.Të bën përshtypje paraqitja e kronikave të jetës së një vajze shqiptare nga lindja deri te martesa. Eshte e habitshmese si pavarësisht ndryshimit të kohës, mentaliteti që rëndon mbi femrën ka mbetur i njejti. ”Më mirë të bëjë njeriu krimba sesa femra”Që në lindje femra shikohet me tjetër sy. Që kur është foshnje ajo shikohet me hidhërim. A është ky vetëm mentaliteti i shqiptarit për të pasur një trashëgimtar mashkull? Sigurisht që jo. Ky nuk është privim nga dashuria prindërore, por është realiteti ai që rëndon mbi supe. Eshtë fati tragjik i këtyre krijesave mjerane për të cilat jeta ka ruajtur dhuratat më të pakëndshme.Gjithë jetën të nënshtruara përballë forcës së burrave , ndoshta është kjo arsyeja pse Kokalari i ka vendosur veprat e saj në një mjedis të mbyllur, sepse “e mbyllur” është edhe jeta e femrës. ”Bela është vajza kur rritet,gjumi nuk më zë natën deri sa ta dërgoj edhe këtë në punën e saj”. Këto janë mendimet e nënave tek të cilat rëndon frika shekullore se mos vajza u mbetet në derë.“…Sa u tunt jeta” është shtegu i kapërcimit nga vajzëria, në nusëri, për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë së fanatizmit. Xhemileja ishte vajza e radhës që tashmë do të martohej. ”Një milë e një grosh dhe le ta mbarojmë këtë punë”. A mund të quhet martesë kjo, kur femra, një krijesë njerëzore ashtu si dhe meshkujt, trajtohet si të jetë një rrobë e pavlerë tregu? A është e gatshme një fëmijë të krijojë familje? Po pavarësisht këtyre a është e logjikshme të krijosh një lidhje martesore pa pyetur për ndjenjat? Askush nuk i mendon këto gjëra përveç nënës, e cila e ka kaluar vetë këtë etapë më parë.Musineja përshkruan dy fusha paralele në vëllimin “…Sa u tunt jeta”. Nga njëra anë shfaqet një mjedis i mrekullueshëm dasme gjirokastrite, me këngë, valle, tradita e zakone, me lojra fjalësh mes grave. Nga ana tjetër shfaq merakun e nënës për vajzën, e njëkohësisht gjendjen psikologjike të vajzës.Tregimi që mbart më qartë këtë mendim është “Nën’ e vajzë”, ku nëna jep porositë e fundit para se vajza të shkojë në “shtëpinë e jetës”. “Eshtë, ç’është , mirë, e ligë ti mos hap golën se ke më të mëdhenjtë mbi kokë…”, një këshillë se si vajza të bëhet robëreshë, ashtu si nëna e saj dikur. Por shkrimtarja nuk ndalet këtu. E vendosur që të plotësojë zinxhirin jetësor, ajo e paraqet gruan edhe në rolin e kunatës, e cila përpiqet me çdo kusht t’ia nxijë jetën nuses së vëllait, ndoshta nga smira që vetë ka mbetur pa martuar. ”Eshtë thëngjill i mbuluar, mësallë me di faqe, shpon ndënë dhe…Moj të keqen, ku i gjen gjithë ato rema nuk e di, pastaj se si ndreq e i thotë…aqë të bën ti besoç një më një…”Por “drama” vazhdon më tej, përballë nuses shfaqet një tjetër personazh, pikërisht vjehrra.”Eh! Që më hëngri, që s’i pushoi birbili. Nuk durohet edhe kjo, s’kam parë një ditë të bardhë që kur kam kallur këmbën në këtë të zezë gërmallë…A ma! Nuk dilet edhe kështu, ma mori shpirtin , ma hangri me gërnjë ”. Nga këto rreshta kuptojmë se vjehrra, e mësuar me zakonet e veta, kërkon të komandojë akoma dhe të jetë në qendër të vëmëndjes. Por nga ana tjetër nusja kërkon të tregojë se edhe ajo di të udhëheqë mbarëvajtjen e punëve në familje. Kështu nisin kontradiktat dhe një debat shekullor mes tyre.Musineja paraqet një femër të plotësuar në të gjitha fazat jetësore. Përshkruan një femër në pafajësinë e saj, në kohën e foshnjërisë, më pas në rolin e vajzës, të nuses, kunatës, vjehrrës e të gjyshes.Janë pikërisht situatat nëpër të cilat kalon kjo grua ato që ndikojnë në sjelljen ndaj brezave të ardhshëm. ”Donin të mirrnin hakën nuseve, për ato që kishin pësuar vetë kur ishin të reja”. Kështu pra nga njëra anë kemi një nuse që vuan nga vjehrra, e për pasojë kur bëhet vetë vjehërr, kërkon t’i zbrazë inatin e viteve nuses. Nga ana tjetër kemi kategorinë e vjehrrave të mira, të cilat kanë vuajtur vetë nga vjehrrat e tyre, nga kjo kanë nxjerrë mësim, e për pasojë sillen mirë me nuset. Por vlen të përmendet edhe një rast tjetër kur vjehrra e vë veten në pozicionin e nënës, ajo ka vetë vajzë, e nuk do që e bija të vuajë nga “kthetrat e egra” të vjehrrës, prandaj shfaq një sjellje të mirë ndaj nuses.Ka një tërësi mendësish lidhur me këtë , bazë e së cilës janë ndjenjat. Eshtë fjala për ndjenjat sublime të një nëne për fëmijën, të vajzës për nënën, motrës për vëllain, vjehrrës për nusen. Janë ndjenjat e nëpërkëmbura të një gruaje për burrin dhe anasjelltas. ”Gratë asgjë nuk vlenin,nuk ishim asgjë tjetër veçse skllave të mbërthyera duarsh e këmbësh prej prindërve tonë. Shkonim si nuse jo për të rrojtur me shokun e jetës, por për të shërbyer vjerat grindare që nuk kishin tjetër qëllim veçse të na shtynin në mosmarrëveshje me burat. Ne me ato nuk do të lidheshim me asnjë dashuri shpirtërore,përveçse me frikë…”Dashuria, fuqia më e madhe në botë, dielli që ngroh çdo ditë, hëna që na mëson enigmat më të mistershme. Asnjë nga këto krahasime nuk vlen sepse në këtë rast ajo nuk është një yll i veçantë mes yjeve të tjerë. Sepse në këtë rast ajo nuk ekziston. Jetesa mes bashkëshortësh nuk ngrihet mbi bazën e dashurisë, por mbi atë të interesit. Prandaj edhe këto personazhe janë të destinuara të jetojnë ashtu si paraardhëset e tyre femra. Mbi to rëndon një “mëkat”mijëravjeçarë, mëkati i të qenurit femër. Ato duhet ta shlyejnë këtë mëkat duke jetuar si të tilla dhe duke u dhënë shembullin e tyre brezave të ardhshëm. Pavarësisht se gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, realiteti për to është bërë një jetë e vështirë, e rëndë, e trishtuar, ku mbi gjithçka vepron morali i rreptë i kohës së vjetër.