![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/01/272107307_1079244919532208_3490033808927217488_n.jpg)
Dr. Hasan Bello/
Një nga historitë më interesante të “filantropëve” që kanë ardhur në Shqipëri në vitet 30-të është ajo e Xhon de Kej, i cili përfaqësonte një korporatë amerikane. Ai do t`i ofroi qeverisë shqiptare 10 milion dollarë, që t`i kthente borxhet Italisë dhe si shpërblim kërkoi prej saj disa koncensione. Në fakt, ky mashtrues dhe aventurier ndërkombëtar ishte një “personalitet” i njohur për shërbimet sekrete. Kjo, sepse, edhe vetë shërbimi sekret amerikan e mbante nën vëzhgim për shkak të implikimit të tij të hershëm kundër xhonturqve, si përhapës të ideve socialiste, si autorë i librit “Paraja e popullit” dhe si posedues i disa pasaportave, gjermane, meksikane, etj. Sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit, ai kishte marrë pjesë në lëvizjen meksikane kundër SHBA në vitet 1913-1914 dhe ishte detyruar të fshihej për shkak të implikimit në disa operacione të kundraligjshme bankare apo si i përfshirë edhe në kontrabandë në Irlandë. Për të mikluar autoritetet shqiptare, ai ndoqi një skemë që rëndom praktikohet edhe 30 vitet e fundit. Ai i dërgoi një letër Sanije Zogut, motrës së Mbretit, e cila ishte Kryetare e Kryqit të Kuq, sipas së cilës, do t`i dhuronte kësaj organizate 100.000 franga shqiptare. Pas ndërtimit të imazhit publik, Xhon de Kej, në tetor të 1930 do të filloi tentativat për të lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë, për formimin e një konsorciumi të kapitalistëve amerikanë me një kapital 200 milion dollarë. Sipas të dhënave, me ndihmën e këtij kapitali, ai kishte deklaruar se do të ndërtonte tre porte, një rrjet hekurudhor, kanale vaditëse për bujqësinë, shfrytëzimin e minierave, lumenjve, dhe themelimin e dy bankave, një industriale dhe një tregtare. Për këto “investime” ai do t`i jap Bankës Shqiptare një çek të pa mbuluar prej 350.000 frangash ari. Në tetor të 1933, shtypi i kohës shkruan se, Banka e akuzonte atë si “aventurierin dhe mashtruesin e njohur”. Për këtë arsye, autoritetet shqiptare Xhon de Kej-in dhe kolegun e tij Jozef Shipler-in nga Zvicra do t`i dënojnë me dy vite e gjysëm burg. Kjo histori shihej me kërshëri nga diplomatët italianë, të cilët i raportonin Ministrisë së Jashtme në Romë se, “filantropi” amerikan i kishte bërë një shërbim të madh politikës italiane, sepse “shqiptarët besojnë në çudinë se disa filantropë të huaj do ta shpëtojnë Shqipërinë”.