Sokol Paja/
Kombëtarja shqiptare e Futbollit filloi në mënyrë të shkëlqyer ndeshjet në kompeticionin e futbollit “Liga e Kombeve” duke mundur me rezultatin 2-1 Ukrainën. Një Shqipëri që zhvilloi një lojë të bukur, një ekip që tregoi rritje, pjekuri, siguri dhe mirëadministrim. Freski nga krahët, cilësi individuale, siguri në qendër e pasime, garanci të shtuar në çdo repart janë tregues që ekipi ka arritur një nivel shumë të lartë.
Një ndeshje e luftuar dhe e fituar tekniko-taktikisht, solli emocion dhe shpresë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Një ndeshje ku në pjesën e parë Shqipëria u mbrojt dhe nuk rrezikoi, në pjesën e dytë Shqipëria luajti gjithçka për gjithçka sidomos pas golit të disavantazhit të ukrainasve.
Shqipëria ishte e fuqishme dhe fituese në dyluftimet në ajër, topat e gjatë, pasat e shkurtra, dublimet dhe triblimet ndaj kundërshtarëve.
Ardjan Ismajli dhe Jasir Asani shpërblyen me tri pikë përpjekjet e kuqezinjve në një ndeshje ndaj një rivali shumë të vështirë, zgjojnë oreksin për ndeshjen e 10 shtatorit në “Air Albania” kundër Gjeorgjisë. “Magjistari” Silvinho i ka dhënë ekipit një mentalitet fantastik fituesish ku lojtarët luajnë pa frikë, të barabartë dhe ndërlidhja e fenomenale e reparteve janë garanci për lojën ekipore. Shqipëria u bë kohë që luan bukur e ëmbël, jo vetëm që fiton, prodhon lojë, por mbi të gjitha emocione të forta. Kombëtarja e futbollit është shndërruar në një kombëtare të kombit dhe përkrahja e tifozëve është një mbështetje e jashtëzakonshme sidomos në ndeshjet në transfertë. E bekuar qofsh Kombëtarja jonë, krenarë për ju çuna kuq e zi.