Nga Shefqet Kërcelli/
Sot paradite, data 17 shtator, nga ora 09.00 deri më 14.00, në rajonin e Gjirit të Vlorës u zhvillua stërvitja e përbashkët “Imponimi-2014”. Qëllimi i kësaj stërvitje ishte bashkërendimi i veprimeve të Forcës Detare, Forcës Ajrore dhe Trupave Speciale në realizimin e operacioneve për zbatimin e ligjshmërisë detare. Stërvitjen “Imponimi-2014” e ndoqi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral-major Jeronim Bazo, Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral-brigade Qemal Shkurti, Komandanti i Policisë Ushtarake, Kolonel Xhevdet Zeneli, etj. Për zhvillimin normal të stërvitjes u zhvilluan dy konferenca paraprake nga kordinatorë t e FD, FA dhe Batalionit Special. Kështu në stërvitje morrën pjesë 4 anije të Flotiljes Detare Pashaliman, konkretisht anija P-132 Oriku, Anija P-134, Butrinti, Anija P-116, Bora, Anija P-02, Mati, bashkë me dy gomonet e anijeve Oriku dhe Butrinti, Forcat Ajrore kishin një helikopter Cougar 633 dhe një helikopter BO-105, ndërsa Forcat Speciale me një skuadër të trupave të saj. Gjatë stërvitjes u zbatuan dy skenarë të përcaktuar më parë. Fillimisht mjete të Rojes Bregdetare{RB} në përbërje të Forcës Detare, përkatësisht P-116, P-02, Oriku dhe Butrinti kërkojnë dhe tentojnë të kapin një mjet me lëndë narkotike pranë rajonit Kala-Radhimë, por nisur nga rrezikshmëria e lartë dhe të shtënat me armë nga skafi me drogë , në ndihmë të mjeteve të RB vijnë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Kështu këto mjete duke bashkë renduar veprimet me njëra tjetrën bënë të mundur neutralizimin e mjetit dhe personave trafikantë .Në skenarin 2 të stërvitjes u realizuan veprime praktike për kryerjen e një bordimi jo-konsesual të Motonavës “Pafata”, e cila është marrë peng nga një grup terroristësh të cilët po e detyrojnë anijen dhe ekuipazhin e saj të lundrojnë drejt Portit të Vlorës. Për neutralizimin e terroristëve u jepet urdhër anijeve të gatëshme P-116 në Sazan dhe P-132 në bazën e Pashalimanit për të bllokuar anijen”Pafata”.Gjatë bordimit terroristët ju kundërpërgjigjën me armë grupeve tona të bordimit, kështuqë ju kërkua ndihmë Trupave tona Speciale, të cilat mbrritën menjëherë ne vëndngjarje. Duke u kordinuar veprimet det-ajër u bë i mundur kontrolli i Urës së Komandimit nga trupat speciale dhe shpëtimi i pengmarësve në anije. Veprimet të shkathta, të shpejta e eficente të trupave tona bënë të mundur realizimin me sukses të dy operacioneve për zbatimin e ligjshmërisë detare. Theksojmë se trupat tona si ato të Rojes Bregdetare dhe ato të Forcave speciale më parë janë trajnuar me specialistë amerikanë. Në fund të stërvitjes Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral-major Jeronim Bazo përgëzoi efektivat pjesmarrës për përkushtimin, disiplinën dhe profesionalizmin e treguar në realizimin me sukses të objektivave e tematikës së stërvitjes. Më pas gjatë intervistës me mediat vlonjate, Gjeneral Bazo vlerësoi përpjekjet e Forcave tona të Armatosura për shtimin e kapaciteteve operacionale në luftën kundër trafigjeve detare si dhe gatishmërinë e këmbënguljen e shtetit shqiptar për parandalimin dhe eleminimin e shkeljeve të ligjshmërisë detare në ujërat tona territoriale.