

Frano Kulli/
Mendoj se Shqipëria e ka kuptuar gjithherë mirë Fishtën. Ajo Shqipëria që e ka ndjerë në palcë nevojën shtetformuese, nevojën për shtetin e së drejtës, nevojën për shtetin e shtetasve. Por Fishtën se kanë dashtë asnjiherë ata njerzit e pushtetit, për të cilët ai shkruan:
Ju rrugaça sallahana / vagabonda shakllabana / rriqna t’ndyet, mikrobe të kqi / qi të mjerës k’saj Shqipni / kthelltë hi i keni në mushkni / pa dhimbë gjakun tuj ia pi, / por der kur, bre batakçi! / Bre coftina, kalbë mbi dhè / der kur ju, tu tallë n’për ne, / do t’na qelbi fis e atdhè?
Koncepti i tij për shtetin përmblidhet pak a shumë kështu: “M’shka pështetet ndryshimi ndërmjet një shteti civil e institucional e një tjetri barbar, autokrat e despotik ?- pyet, e në mënyrë retorike përgjigjet:
Mbas mendimit tonë të gjithë ndryshimi përmblidhet m’kta qi shtetent e gjytetnueme e konstitucional ligjt i kanë të preme mbas nevojet reale të popullit, me relacion ndaj kohet, ndaj mendorjeve të vendit, ndërsa ndër shtete barbare e autokrate kto ligj përgjithsisht vendohen vetëm…mbas egoizmit t’sunduesve e rrallë e kurr mbas nevojve të popullit, që lanë e kjanë…nuk asht ligja që formon popullin por populli formon ligjen” por, për me sundue [drejtue] një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia: duhet nder, dije, urti, burrni, qe se ç’ka duhet. Po, por dija, urtia, nderi, burrnia, po u zéjshin [mësoheshin] në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana të Europës, e mejhane e paçexhihane të Tiranës, tue luejtë “tavëll” e “bixhoz”, e tue pi “mastikë”- shkruan Fishta .
Sipas Fishtës pra, u dashka edhe morali si kategori e sjelljes së udhëheqësive, prijësve të shtetit. Por sot fytyra e moralit të prijësve të shtetit… as nuk skuqet as nuk zverdhet.
Fishta është i pari personalitet shqiptar, miti i të cilit qe krijuar qysh në gjallje të vet. Qe thirrë “Poet kombëtar” kur ende shkruante e vepronte intelektualisht dhe kjo nuk kishte ndodhë deri atëherë e nuk ka ndodhë asnjëherë me asnjë shkrimtar tjetër. Ndër shqiptarët po e po, por edhe në Europë, gjithashtu. “Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar …”, do të shkruante Luigi Federzoni, kryetar i akademisë italiane dhe ministër i jashtëm, në telegramin dërguar Vëllezërve françeskanë shqiptarë me 31 dhjetor, në ditën e varrimit të Fishtës.
Fishta qe thirrë kështu për gjithçka ai qe e për gjithçka ai bëri në dobi të kombit të vet. Me gjenialitetin e vet. Mitin përreth tij e veprës së vet e krijuan elitat e bashkëkohësisë dhe qe i gjithpranuar, gjithaq prej popullit të vet. Por aspak prej udhëheqësive. Sidomos rregjimi që u vendos pas luftës së dytë, kur ai i kishte mbyllë sytë e ishte nisë në botën e qiellit, i cili siç e vertetoi koha e ushtrimit të tij nuk qe as popullor as kombëtar. Diku heret, në vitin ’45 ka pasë një porosi të udhëheqësit jugosllav për diktatorin shqiptar, që Fishta të mënjanohej. Shkaku qe atdhetarizmi i tij dhe kundërshtia e shovinizmit sllav , që përshkon gjithë veprën e veprimin e tij publik, përgjatë gati katër dekadave të jetës së tij aktive. Por keqkuptim po kaq i madh u ushqye prej prijësave edhe për shkak të cilësisë dhe thellësisë së satirës së tij shpartalluese, sidomos për prijësitë e korruptuara e jo demokratike. Dhe kjo ka ndodhë në të dy mënyrat; me censurën e gjatë, ku për t’u ruajt nga fjala e tij e nga librat, madje edhe nga përmendja e emrit të tij u hapën dyer burgjesh. Kurse në kohën postrregjim kjo ka ndodhë e ndodh me heshtim, me heshtje. Ndaj tij e sidomos ndaj veprës së tij.
Politika, pa dyshim ka frikë nga kujtesa…Vetë shoqëria jo. Në Muzeun kombëtar të fotografisë Marubi në Shkodër, është një foto e vitit 1921. Të fotografuarit janë tre deputetët parakë të Parlamentit të parë shqiptar; Gurakuqi, Mjeda dhe Fishta në mes. Përveç versionin origjinal të fotos ka edhe një tjetër version ku personi në qendër të fotos [Fishta pra], nuk është. Në vitet e rregjimit fotoja është ritushuar, pra Fishta është fshirë, nuk është. Sot nuk ndodh taman kështu. Sot Fishta përmendet, po radhë, Fishtës i është rindërtuar shtëpia e viteve të fëmijërisë, po prej 4 vjetësh është e mbyllur dhe oborri i saj është i mbuluar me ferra; është ndërtuar një memorial multifunksional për té, aty në vendlindje, po edhe ai është i mbyllur. Ato, kishte me qenë e mira me u kthye në qendra pelegrinazhi, se vetëm ky mund të ishte destinacioni i tyre; vetëm kështu ata do “trembnin” harresën e kujtesa për to e veprën e tyre do të shërbente përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë tek brezat e sotëm e ata që do të vijnë. T’u bëhen me dije atyre këto vlera të idenditetit tonë kombëtar dhe kjo do ta shërbente më mirë se shumëçka ndërtimin e së ardhmes. Tashmë, i gjithë korpusi i veprës së Fishtës është i botuar, po ndër shkolla nuk studiohet; emri i tij vetëm sa çeket, përmendet si autor i traditës. Ndërkohë që janë thurë e thuren mite për shkrimtarë socrealistë, ca syresh edhe periferikë si kualitete letrare.
E gjitha kjo nuk ndodh rastësisht. “Nuk don pasha kallaballëk”- thuhej në kohën e perandorisë osmane. Prijësat e shtetit shqiptar, piedestalet i ruajnë për vete…
Ditën që përurohej ky memoriali multifunksional, 4-5 muaj më parë, për të cilin shkrova më lart, , kishte ardhë edhe kryeministri shqiptar. Ishte prag i fushatës elektorale. Dhe kur dikush më prezantoi mua tek ai si botuesi i Fishtës, bisedën me mua ai e filloi me pyetjen: “Për ke do të votonte Fishta ?”…Thua ky është vlerësimi i meritueshëm i të parit të vendit sot, për Fishten ? Sa për një…votues ?