
Ligjërimi historik mbi trajtimin e së shkuarës osmane të Ballkanit është shndërruar shpesh në një ligjërim historiko-letrar, i cili pasqyron jo vetëm zhvillimet historike e kulturore të marrëdhënieve të popullsive ballkanike me Perandorinë Osmane, por edhe identifikimin e prototipeve letrare që kanë ushtruar një ndikim të rëndësishëm në veprat e mëvonshme të letërsive përkatëse. Zhanri i romanit historik dhe i poemës epike historike duket se është forma letrare që i përshtatet më së miri përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në letërsi.
Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirëfilltë të shkruar. Edhe ato që kishin identifikuar tashmë paraardhësit e tyre, zotëronin vetëm disa kapituj të mangët, thelbi i të cilëve mbetej ende për t’u ndërtuar. Ky proces, i cili në Europë nis me romanet historike të Walter Scott-it, nuk mund të mos ndikonte edhe shkrimtarët e Ballkanit, veçanërisht në çastin kur ata përfshihen në proceset e shtetformimit të shteteve të tyre kombëtare.
Shkrimtarët ballkanikë, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, duke përshkruar përjetimet e tyre rreth së shkuarës osmane të vendeve përkatëse, krijuan një lloj epopeje historike që lidh të shkuarën me të tashmen kombëtare. Në këtë kontekst, romani dhe poema historike shërbyen si modele narrative për përpunimet e para “shkencore” të historive kombëtare, por edhe si vektorë të fuqishëm për përhapjen e një vizioni të ri mbi të kaluarën.
Në Shqipëri, poeti Gjergj Fishta krijoi “Lahutën e Malcisë”, një poemë epike monumentale mbi konfliktet shqiptaro-sllave dhe shqiptaro-osmane, të shtrira në më shumë se gjysmë shekulli histori.
Fishta ndërtoi një Shqipëri heroike, me heronj që, si në antikitet, ndihmohen nga “mirat” dhe “orët”, me mallkime e ofshama larg idealizmit kalorsiak, por therëse dhe thellësisht realiste. Vargjet e tij, me rrokullimën ritmike dhe fuqinë e rimës, na rikujtojnë bëmat dhe personazhet e Eposit të Kreshnikëve. Autenticiteti i poezisë së Fishtës rizbulohet sa herë që e rilexon duke e kthyer atë në një zë profetik në në nënvedijen tonë – një orakull të shqiptarizmit në kohët moderne.
© Dorian Koçi
Tablo: Gjergj Fishta nga Pashk Përvathi