

Intervistoi: Sokol Paja/
1. I nderuar z. Halilaj përgëzime për çmimin në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”. Çfarë përfaqëson ky konkurs?
Konkursi ku u shpalla fitues është New York Photography Awards, një konkurs ndërkombëtar që vlerëson fotografë nga e gjithë bota. Për të njëjtën fashion editorial photo, unë fitova Gold Winner dhe gjithashtu Silver Winner në kategorinë Fashion Photography – Editorial. Këto çmime janë njohje ndërkombëtare për punën dhe vizionin tim artistik, dhe për mua përfaqësojnë motivim dhe afirmim të nivelit tim profesional.
2. Cila është historia e këtij konkursi dhe vlerat artistike që përfaqëson?
New York Photography Awards është një konkurs prestigjioz që promovon kreativitetin, origjinalitetin dhe storytelling-un vizual. Ai mbledh profesionistë nga e gjithë bota dhe vlerëson punime me identitet artistik të qartë dhe nivel të lartë profesional. Çmimet e tij janë shumë të respektuara në industrinë e fotografisë.
3. Cilat ishin të veçantat e punimeve tuaja artistike? Çfarë kombinojnë ato?
U paraqita me një fashion editorial photoshooting, të realizuar në Central Park, New York. Konkursi kishte shumë pjesëmarrës ndërkombëtarë, gjë që e bën fitimin e çmimeve edhe më të vlefshëm. Punimet e mia kombinonin modën me ambientin urban dhe natyrën, me fokus në storytelling vizual dhe detaje artistike.
4. Çfarë stilistike dhe kompozimi kanë punimet dhe cili është dimensioni i tyre?
Fotografitë dallohen për stilistikën editorial, kompozimin, përdorimin e ndriçimit natyror dhe mënyrën se si moda ndërthuret me ambientin e New York-ut. Projekti ka një dimension kulturor dhe emocional, sepse si dizajnerja ashtu edhe modelja ishin shqiptare, duke treguar talentin shqiptar në një skenë ndërkombëtare.
5. Ky konkurs a ishte një promovim i talentit dhe identitetit shqiptar në skenat ndërkombëtare?
Fotografitë që u vlerësuan u realizuan në Central Park, New York, dhe projekti përfaqëson kreativitetin dhe identitetin shqiptar në një nivel botëror. Juria ishte ndërkombëtare dhe shumë profesionale, me fotografë, redaktorë dhe kuratorë arti nga vende të ndryshme, duke përfshirë: Gigi Chung (SHBA), Alessandra Minotti (Itali), Robert Lie (Indonezi), Pieter Clicteur (Belgjikë) dhe të tjerë. Juria vlerësonte kryesisht kreativitetin, origjinalitetin dhe storytelling-un vizual. Çmimet Gold dhe Silver Winner përfaqësojnë jo vetëm suksesin tim personal, por edhe një afirmim të talentit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
6. Cili është projekti juaj i radhës?
Aktualisht jam duke punuar në projekte të reja në fashion editorial photography dhe bashkëpunime ndërkombëtare. Fotografia është një media shumë e fuqishme, sepse transmeton emocione, ruan momente dhe ka aftësinë të ndikojë në perceptimin e kulturës, modës dhe identitetit.