Sokol Paja/
Fitore e jashtëzakonshme e kombëtares shqiptare të futbollit përballë Polonisë. 2 gola nga Asani dhe Daku dërgojnë Shqipërinë në krye të Grupit E duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejtë Europianit 2024.
Një Shqipëri perfekte. Një Shqipëri që di të luajë bukur, që të emocionon, që luan si e barabartë, që prodhon lojë spektakolare. Një Shqipëri që s’ka më frikë, që di të sulmojë, që di të mbrojë, që di të administrojë, që di të shënojë. Një Shqipëri që ka vrarë euforinë, që është rritur shumë e që është pjekur fort. Një ekip me personalitet, me temperament të lartë, një skuadër me dinjitet. Një Shqipëri që ka fantazi, kualitet dhe cilësi të lartë. Një Shqipëri që të kënaq zemrën.
Reparte që kuptohen, lojtarë që të mrekullojnë teksa i sheh tek vallëzojnë me topin. Sylvinho një trajner që i ka dhënë freski ekipit, besim skuadrës, maturi lojës, harmoni grupit, fizionomi spektakolare paraqitjes së kombëtares. Një skuadër argëtuese, agresive, kërkuese dhe mbi të gjitha kompakte në çdo repart. Një skuadër e fortë që sakrifikon dhe nuk dorëzohet asnjë çast. Një Shqipëri magjike, një skuadër ëndrrash…