De Biasi: Merituam fitoren, skuadra dha shpirtin në fushë /
Trajneri De Biasi është shprehur shumë krenar për lojtarët e tij dhe 3 pikët që Shqipëria mori. Në një intervistë për Supersport ai tha se skuadra e meritonte fitoren ashtu siç meritonte më shumë edhe në ndeshjen me Francën dhe Zvicrën.
“Sot kemi bërë një ndeshje shumë të mirë për nga cilësia, me një skuadër që vështirë të pësojë gol. Ishim shumë të aftë të kërkonim golin. Jemi vendosur mirë në fushë. Skuadra e kërkoi gjatë gjithë ndeshjes fitoren”.
Tekniku italian foli edhe për ndërrimet që bëri në ekip për këtë ndeshje: “Kemi ndryshuar vetëm Kukelin që u skualifikua për kartona, më pas patëm një problem me Xhakën që s’ndihej mirë. Lojtarët që luajtën me Francën nuk mund t’i ndërroja pasi dhanë kontribut të madh. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin”.
Sipas De Biasit, fatin duhet ta kërkosh dhe jo ta presësh, dhe kjo ishte pikërisht ajo që lojtarët bënë sot në fushën e lojës ndaj Rumanisë.
Portieri Berisha: U munduam me të gjitha forcat për këtë ndeshje/
Portieri Etrit Berisha ka lavdëruar të gjithë shokët e ekipit të tij në këtë fitore historike për lojën e bërë.Ai tha se ekipi e meritonte pas 2 ndeshjesh ku rezultatet nuk kanë qenë të duhurat
“Kemi treguar lojë mjaft të mirë, dhe krijuam shumë raste të mira. Kaluan si kaluan dy ndeshjet e para dhe nuk dua t’i komentoj ato humbje. Shpresoj që këto pikë të na japin kualifikimin. Lojën e kishim nën kontroll, pasi edhe ndeshja me Francës djemtë ishin të vëmendshëm dhe të përqëndruar që deri në minutën e fundit të ruanim lojën por nuk mundëm. 5 minutat shtesë më janë dukur si 50”.
Sipas Berishës, të tre repartet e ekipit kanë qenë të vendosur shumë mirë në fushë duke mos lënë kunëdshtarin të reagojë në asnjë moment
“Në këtë ndeshje nuk patëm asnjë rrezik. Ne të tre ndeshjet i luajtëm shumë mirë. Mbrotja, mesfusha e sulmi kanë bërë një punë shumë të mirë. U munduam me të gjitha forcat në këtë ndeshje pasi ishte jetë-a-vdekje” tha Berisha.
Hysaj: Fitore fantastike, dhamë 120% nga vetja jonë/
Një prej lojtarvë kyç të kombëtares shqiptare në këto tre ndeshje ka qenë pa dyshim Elseid Hysaj.
22-vjeçari e ka cilësuar si fantastike këtë fitore ndaj Rumanisë dhe ka shprehur dëshirën e madhe për t’u kualifikuar.
“Ka qenë ndeshje fantastike. Shpresojmë që ne të vazhdojmë kështu dhe të kualifikohemi. Tani nuk varet nga ne, por do presim ç’do ndodhë me skuadrat e grupeve të tjera”.
Hysaj tha se kjo ishte një fitore krejtësisht e merituar për kombëtaren shqiptare: “Besoj se e merituam, ashtu si ndeshjet e tjera, pasi edhe specialistët kanë thënë që kemi luajtur shumë mirë. Por kësaj radhe Zoti ishte me ne”.
Mbrojtësi i Napolit tha se ai gjithnjë përpiqej të jepte maksimumin për ekipin e tij për të kënaqur tifozët dhe veten e tij.
Urimi i tifozit rumun për Shqipërinë
Ne faqen e UEFA nje prej komentuesve romunuron Shqiperine per fitoren.
Ai shkruan: “Si nje tifoz romun nuk jam i lumtur me rezultatin por ne sot luajtem kunder nje skuadre e cila luajti me zemer dhe jo me mendje. Fitorja eshte mese e merituar dhe i uroj fat ne kualifikimin e fazes se ardhshme”.
UEFA uron kombëtaren shqiptare, publikon fotot e fitores
TIRANE, 19 Qershor/ATSH/- Federata Europiane e Futbollit ka vetëm fjalë të mira për kombëtaren shqiptare, pas fitores me Rumaninë.
Në faqen në Facebook, UEFA ka uruar Shqipërinë dhe shqiptarët për fitoren e parë në këtë kompeticion dhe marrjen e tre pikëve.
UEFA është mjaftuar me vetëm një fjalë për Shqipërinë: Bravo.