Nga DANILO TAINO
“Corriere della sera”, 17 gusht 2021 Përktheu Eugjen Merlika
Një majin e shkuar e përjavëshmja Ekonomist botoi një kopertinë me të cilin përcaktonte “Vëndin më të rrezikshëm të tokës”. E tregonte hartën e Taivanit, e kërcënuar të bëhet në kohë jo shumë të largëta objekt përplasjeje, me gjasë edhe t’armatosur, ndërmjet Kinës e Shteteve të Bashkuara. Tre muaj e gjysmë më pas podiumi ka ndryshuar. Në shkallën më të lartë po ngjitet Afganistani, ende më mirë, kufiri ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit. Tragjedia e Vëndit në të cilin talebanët kanë marrë pushtetin është natyrisht pamja më turbulluese e ngjarjeve të këtyre ditëve: cilido afgan që ka apo ka patur shpresë për sadopak liri, duke filluar nga gratë, është i kërcënuar fizikisht e moralisht, i terrorizuar. Tjetra tragjedi, në formim e sipër, është gjeopolitike e nuk ka të bëjë vetëm me tërheqjen e frikëshme e kaotike të Shteteve të Bashkuara nga terreni, me shëmbjen pasuese të besueshmërisë që pasqyrohet në të gjithë Perëndimin: ka edhe një rrezik bërthamor që të ngurtëson në rastin kur Irani do të ndërtonte “bombën” e tij.
Alarmi është në nivel të lartë në diplomacinë hindiane në New Delhi por, sigurisht, nuk është i panjohur në Washington, në Pekin e në shumë kançelari të tjera. Marrja e Kabulit i hap rrugën në fakt paqëndrueshmërisë së Pakistanit. Simbas çdo gjase, sapo talebanët të kenë fuqizuar pushtetin, ndërmjet gjërave të tjera do të kthejnë shikimin drejt Vëndit kufitar me synimin për t’a ndikuar seriozisht: marrëdhëniet ndërmjet dy anëve të Durand Line, që shënon kufirin, ndërmjet grupeve të terroristëve, politikanëve, ushtarakëve e shërbimeve të sigurisë janë të ngushta, shpesh në kundërshti por edhe në bashkëpunim. Fitorja në Afganistan është e paracaktuar të shtojë pa masë prestigjin, pushtetin dhe ndikimin e talebanëve në rajon.
Çështja është se Pakistani është një fuqi bërthamore: 160 raketa me mbushje bërthamore. Qeveritë që kanë pasuar njëra tjetrën në Islamabad, kryeqyteti i Pakistanit, në përgjithësi kanë mohuar se kanë mbështetur talebanët afganë. Në të vërtetë është ndërkombëtarisht e njohur që për dhjetëvjeçarë i kanë financuar, kanë përkrahur veprimet e tyre, i kanë dhënë mbulesa diplomatike, i kanë lejuar stërvitjen e milicianëve në territorin e tyre, u kanë dhënë armë e ndihma. Ushtarakët pakistanë, forca m’e fuqishme e Vendit, i kanë quajtur t’afërt jo vetëm nga pikëpamja fetare dhe ideologjike, por edhe si një digë kundër ndikimit të shemrës historike në rajon, Hindisë që në dhjetëvjeçarët e ndryshëm ka mbështetur qeveritë në Kabul me qëllim kundër Pakistanit. Shërbimet e fshehta pakistane. ISI, mbështesin talebanët afganë që nga Vitet Nëntëdhjetë. Kjo marrëdhënie ka shkuar sa s’ka më në dobi të zhvillimit të të ashtuquajturvet talebanë pakistanë, Tehrik-i-Taliban, që kanë si synim të përmbysin Shtetin e së fundi e kanë marrë veten, mbasi ishin përzënë në Afganistan nga ushtria e Islamabadit më 2014. Këta të fundit ndryshojnë shpesh nga frymëzuesit e tyre afganë, kanë objektiva të ndryshme, por një qeveri talebane në Kabul do t’u japë më shumë fuqi e, me gjasë, do t’i krijojë probleme serioze qeverisë së Islamabadit, të drejtuar nga Imran Khan, një udhëheqës i dobët, i varur nga ushtria e i pasigurtë deri në përcaktimin e talebanëve “Qytetarë të zakonshëm”.
Roli i dyshimtë i zhvilluar nga politikanët e ushtarakët pakistanë në drejtim të talebanëve, ndërsa në të njëjtën kohë mbanin marrëdhënie po aq të dyshimta me Perëndimin, rrezikon të kthehet tani kundër tyre. Hysen Hakkani, një ish ambasador i Pakistanit në Shtetet e Bashkuara, thotë se “skajshmëria islamike tashmë e ka ndarë shoqërinë pakistane simbas vijave të sektarizmit dhe ngjitja e islamikëve në portën afër do t’i japë më shumë guxim skajorëve të shtëpisë”. Kufiri vrimor ndërmjet dy Vëndeve do të lejojë, si në këta vite, kalimin e militantëve nga një anë në tjetrën, edhe të njësive terroriste: nga al-Qaeda tek idhtarët e Isis-it.
Rënia e Kabulit ndërlikon edhe më shumë një gjëndje tepër të koklavitur e qeveritë e diplomacitë po rivlerësojnë me ankth kuadrin e krijuar, sigurisht në Hindi por po ashtu edhe në Pekin e Moskë. Mundësia që Pakistani, fuqi bërthamore, të shpërqëndrohet e që në përdorimin e raketave bërthamore shpejt a vonë të mund të kenë ndikimin e tyre skajorët islamikë është diçka terrorizuese. Fitorja talebane në Kabul do t’u japë vrull lëvizjeve terroriste n’Azi, në Lindjen e Mesme dhe n’Evropë. Zotërimi i “bombës” do t’i galvanizonte e do t’a vinte botën në gjëndje tepër të vështira. Me fuqinë amerikane të mundur e në tkurrje, edhe një krizë në Taivan mund të jetë m’e afërt. Thuhet se Afganistani është “varri i perandorive”.
“Corriere della sera”, 17 gusht 2021 Përktheu Eugjen Merlika