Nga Flora Nikolla/
Dita e Skënder Murtezanit si mjek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nis me kujdesin për pacientët në Flushing Queens të Nju Jorkut. Zyra e dytë e tij është në Douglaston NY, ku punon prej pesë vitesh dhe përkujdeset për klerikë në pension të kishës katolike. Thotë se ndihet i nderuar të përkujdeset për pesë peshkop, shumë monsinjor dhe priftërinj, me të cilët ka jo vetëm një marrëdhënie profesionale, por edhe një miqësi të sinqertë. Një ditë zbuloi se Peshkop Catanello Ignatius dhe Monsinjor Gradillon Thomas ishin me prejardhje arbëreshe. Dr. Skënder Murtezani punon edhe si doktor privat në spitalin NYHQ (New York Hospital Queens). Puna e tij përfshin pato/fiziologjinë e hormoneve të stresit që prodhohen në hipotalamus. Ai është i specializuar në hulumtimet shkencore të fushës së endokrinologjisë, më saktë neuroendokrinologjisë dhe gjithë këtë eksperiencë kërkon ta ndaj edhe me mjekët dhe studentët këtu në Shqipëri. Ndaj edhe iu përgjigj pa mëdyshje ftesës së Kryeministrit Edi Rama për takimin e organizuar në 22 nëntor në Tiranë me mjekë shqiptarë, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Në atë takim, dr.Murtezani tregon se ka hedhur propozime konkrete për një sistem shëndetësor, pse jo të përkryer në Shqipëri, ndërsa ka ofruar edhe ndihmën e tij falas në fushën e pedagogjisë.
Mungesën e degës së radiologjisë intervencionale në Shqipëri, e quan të papapranueshme, ndërsa mendon se nëse një ditë Shqipëria do të adoptonte një model shëndetor, më i miri është “sistemi universal Japonez”.
Prej vitit 1992, Dr.Skëndër Murtezani, një shqiptar i Tetovës, është angazhuar në studimin e fiziologjisë së hormonit urocortin, geni i të cilit u zbulua në vitin 1997. Në vitin 2006 u emërua instruktor klinik dhe në vitin 2008 asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell, pozicion që vazhdon ta mbaj edhe sot me pretendimin për të marrë titullin profesor i asociuar.
Dr.Murtezani, ju erdhët në Tiranë në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me një grup mjekësh shqiptarë në botë, të ftuar nga Kryeministri Rama për një mision të përbashkët, për të ndihmuar mjekësinë shqiptare. Cili ishte impakti i parë kur ju morët këtë ftesë?
Ftesa më entuziasmoi shumë, sepse mendimet e mia dhe bisedat me pacientët dhe kolegët në Amerikë për problemet e shëndetësisë në Shqipëri morën formë me këtë takim. Tani të gjithë bashkë mund të veprojmë, të ndërtojmë një model të sistemit shëndetësor, të krahasueshëm me qendrat e suksesshme shëndetësore në Amerike e kudo. Së pari duhet të ndërtojmë një model të shëndetësisë terciare në Tiranë, që do të jetë qendër e shëndetësisë në të mirë për gjithë shqiptarët dhe rajonin. Ky model do të transferohet në qendrat shëndetësore të fakulteteve të mjekësisë në Prishtinë dhe Tetovë. Ideja dhe angazhimi i mjekëve të SHBA-së për këtë iniciativë, na mobilizoi të ndërtojmë një program solid që do të jetë i pranueshëm për tre entitetet; shëndëtësor, ekonomik dhe politik. Takimi në Tiranë ishte historik, së pari sepse na mblodhi të gjithë së bashku në një vend, në një sofër, me një qëllim: T’i themi “po” Shqipërisë. Me rëndësi do të veçoja edhe faktin se ky takim na mundësoi të njihemi me gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi shëndëtësor shqiptar. Pra, ky takim na dhuroi ne mjekëve jashtë Shqipërisë mjetet e punës, me të cilat do t’i japim kahje energjisë sonë profesionale.
Sa optimist jeni në realizimin e ideve që u hodhën gjatë forumit të organizuar në Tiranë?
Tani “topi është në fushën” tonë. Po të veprojmë si një skuadër do të jemi të suksesshëm në ndërtimin e një sistemi të përkryer shëndetësor. Duhet patjeter që idetë t’i jetësojmë në krijimin e një sistemi shëndetësor, pse jo, të përkryer në Shqipëri.
Angazhimi juaj personal në këtë iniciativë?
Personalisht mendoj se ndihma ime do të ishte në trajnimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë dhe më e rëndësishme në trajnimin e specializantëve të Mjekësisë Interne. Propozova që eksperiencën time profesionale ta ndaj me studentët e vitit të fundit të mjekësisë dhe specializantët duke ardhur në Tiranë, çdo semestër, me shpenzimet e mia. Të këtij mendimi ishin edhe shumë kolegë të mi shqiptar, të cilët praktikojnë mjekësinë në SHBA. I shpreh falenderimet dr. Mihal Tase, shef i shërbimit të mjekësisë interne në QSUT dhe prof.dr Margarita Resuli, për pritjen e ngrohtë që na rezervuan në repartin e Mjekësisë Interne. Në këtë takim dy orësh mësova shumë për sukseset në trajtimin e hipertensionit dhe për programin mësimor që aplikohet në Shqipëri. Gjatë vizitës në QSUT, mësova se në Shqipëri nuk është hapur ende dega e radiologjisë intervencionale. Kjo situatë është e papranueshme, pasi mungesa e specialistëve të tillë rëndon edhe më shumë në shëndetin e pacientëve të diagnostikuar me kancer. Kam realizuar një studim të sistemeve shëndetësore në botë dhe mendoj se për Shqipërinë siguria shëndetësore universale është më e përshtatshme. Nga gjithë modelet që hulumtova, sistemi universal japonez me duket më i pranueshëm, kuptohet me modifikimet e nevojshme për kushtet në Shqipëri. Ky sistem ka një rrafsh horizontal në shpenzimet mjekësore dhe nuk lejon kompeticion. Ai është i njëjtë si në sistemin publik dhe atë privat, pra nuk lejon abuzime.
Dr.Murtezani, si mjek në SHBA ju jeni i angazhuar në disa drejtime. Mund t’i përshkruani shkurtimisht ato?
E para është kujdesi për pacientët e mi në Flushing Queens të Nju Jorkut, numri i të cilëve rritet nga ditë në ditë. Zyra e dytë është në Douglaston NY ku punoj prej pesë vitesh dhe përkujdesem për klerikë në pension të kishës katolike. Jam i nderuar të përkujdesem për pesë peshkop, shumë monsinjor dhe priftërinj, me të cilët kam jo vetëm një marrëdhënie profesionale, por edhe një miqësi të sinqertë. Ndihem i nderuar që ata janë të kënaqur me kujdesin dhe profesonalizmin tim. Këtu zbulova se Peshkop Catanello Ignatius dhe Monsinjor Gradillon Thomas janë me prejardhje arbëreshe. Gjithashtu punoj si doktor privat/attending physician në spitalin NYHQ (New York Hospital Queens) me privilegje të plota, pra kontrolloj pranimin e pacientit tim duke filluar nga urgjenca, në spital, njësitë intensive dhe daljen nga spitali. Njëkohësisht përcaktoj se cili specialist, apo kirurg, mund të marr pjesë në trajtimin e pacientit tim. Jam asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell dhe pjesëmarrës në programin Global Health, ku një student i vitit të parë të shkollës së mjekësisë kalon një ditë në javë në zyrën time për të mësuar mbi diversitetin e pacientëve dhe dallimet kulturore në bindjet shëndetësore. Në semestrin e pranverës jam mentor i klasës prej 10 studentësh, në programin e imunologjisë, i quajtur Host Defense. Gjithashtu jam pjesë e programit të Magjistraturës për kuadrin akademik të shkollave Columbia, NYU, Cornell dhe spitalit botëror të kancerit Memorial Sloan kattering dhe Hospital for special surgery, me qëllim identifikimin e problemeve spitalore dhe metodave hulumtuese më të përshtatshme për të zgjidhur problemet aktuale. Programin tashmë e kam përfunduar, ndërsa priten dy publikimet e mia për pranimin e tezës shkencore.
Doktor Murtezani, keni filluar studimet në mjekësi vite më parë, por ende sot vazhdoni të trajnoheni në shkollat më të mira amerikane. Si nisi karriera juaj në këtë fushë?
Shkollën fillore dhe gjimnazin në Tetovë e kam përfunduar shkëlqyeshëm dhe kësisoj u pranova pa konkurs në fakultetin e mjekësisë në Shkup. Pas diplomimit punova për dy vite në fshatrat e Shkupit dhe më pas emigrova në Amerikë, ku fillova punë në një laborator të spitalit Cabrini ne Manhatan. Aty, dr.Poretsky, drejtor i endokrinoligjisë, më drejtoi tek dr. Leon Bradlow dhe Jon Michnovicz të cilët më besuan të jem pjesë e studimit për parandalimin e kancerit të gjirit. Për shkak të kufizimit të fondeve s’pata fatin të vazhdoj hulumtimet në lëmin e endokrinologjisë si postdoctoral research fellow, për tri vite, në projektet e dr. Hollander në Qendrën Mjekësore Universitare të Nju Jorkut, ku ai ishte drejtor i endokrinologjisë dhe drejtor i CRC (clinical research center). Në vitin 1997, bashkë me dr.Hollander, i transferuam punimet shkencore në një nivel tjetër, në patentimin e hormonit që do të parandalonte proceset negative të shkaktuara nga stresi kronik. Në vitin 2001 fillova specializimin në mjekësinë interne, në programin NYHQ-Weill Cornell medical college në mbikqyrjen e dr.Terrence Brady dhe pas përfundimit me sukses aty kreva edhe praktikën. Në vitin 2006 u emërova instruktor klinik dhe në vitin 2008 asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell, pozicion që vazhdoj ta mbaj dhe sot me pretendimin se vitin e ardhshëm do të fitoj titullin profesor i asociuar. Për magjistraturën (master of science in clinical epidemiology and health services research) fola më sipër. Mund të them se ky angazhim më ndihmon në avancimin akademik, por edhe vazhdimin e punës së pavarur hulumtuese.
Ju jeni specializuar në endokrinologji. Si do ta përkufizonit këtë degë të mjekësisë?
Jam specializuar në hulumtimet shkencore të fushës së endokrinologjisë, më saktë neuroendokrinologjisë. Puna ime përfshin pato/fiziologjinë e hormoneve të stresit që prodhohen në hipotalamus. Prej vitit 1992 pata fatin të studioj fiziologjinë e hormonit urocortin, geni i të cilit u zbulua në vitin 1997. Vitet që vijnë do të prezentojmë edhe më shumë hormone të paidentifikuara deri më sot. Ata notojnë në lëngjet trupore si peptide. Zbulimi i fiziologjisë dhe identifikimi i tyre gjenetik është esencial në familjarizimin dhe njohjen e patologjive të ndryshme, si proceset e inflamacionit, kancerit, sëmundjeve autoimune.
Ju jetoni prej vitesh në SHBA. Tani pas kaq vitesh dhe pas një karriere të suksesshme si e kujtoni impaktin e parë me këtë vend?
Ditët e para në SHBA ishin emocionuese. Isha pa fjalë, me respekt përulës. U shndërrova në një shpuzë që thithte të gjitha mrekullitë që ky popull ka bërë për vete dhe gjithë botën e lirë.
Si arrin një mjek dhe hulumtues si ju të menaxhoj jetën profesionale me atë familjare?
Mirëkuptimi nga ana e bashkëshortes është vendimtar në sukseset profesionale dhe sukseset brenda familjes. Nëse nuk gjendet një balancë punët mund të ngecin në të dyja drejtimet.
Keni pasur reagime nga pacientët apo kolegët kur kanë mësuar se jeni shqiptar?
Gjithë pacientët e dinë se jam shqiptar, jo vetëm ata por edhe kolegët në spital, në universitet, në lagjen ku jetoj. E dinë se mburrem me historinë time, me gjuhën, për optimizmin që kam për të ardhmen e shqipes dhe Shqipërisë.
Komuniteti shqiptar në Nju Jork është një nga më të organizuarit në SHBA. A jeni pjesë aktive e këtij komuniteti?
Jam anëtar i Vatrës nga viti 1991, kur kryetar ishte Arshi Pipa. Kam qënë një ndër nismëtarët e shoqatës së intelektualëve shqiptarë, në vitin 1992 dhe jam anëtar i shoqatës së punëtorëve shqiptarë në institucionet shëndetësore të Amerikës (AAMS).
Në Nju Jork ndiheni më shumë amerikan, shqiptar, apo qytetar i botës?
Gjithmonë, së pari, shqiptar, por jeta dhe informacionet e perceptuara në SHBA më japin mesazhin se ndikimi i kulturës amerikane është i pashmangshëm. Edhe pse flas shqip, veprat dhe të menduarit anojnë nga ana amerikane. Këtë e shoh si diçka pozitive. Çdo njujorkez është njëkohësisht qytetar i botës. Ne mburremi me Kombet e Bashkuara.
Na përshkruani shkurtimisht një ditë nga jeta juaj?
Dita fillon me një vrap, në orën 06:00, në parkun që ndodhet pranë detit në College Point. Më pas mëngjesi, zakonisht mediterian, që më jep energji për të nisur ditën në zyrën time dhe që zakonisht dal prej saj në orën 16:00. Një orë e shpenzoj me kompletimin e notave dhe në orën 17:00 filloj vizitat e pacientëve në spital. Mbrëmjen e kaloj me familjen, shokë apo kolegë, por nuk mungojnë edhe telefonatat nga pacientë, farmacistë etj. Ndonjëherë detyrohem të kthehem në spital apo në zyrë…
Zgjidhni tre fjalë për të përshkruar veten?
Punëtor i palodhur besnik, praktik.
E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë? Kush është vendi juaj i preferuar?
Për herë të parë isha vitin e kaluar. Saranda dhe Himara më mahnitën!
Si e shihni sot Shqipërinë?
Shqipëria është në përparim e sipër. Shqipërinë e shoh si avangarde të zhvillimit mbarëkombëtar. Gjakmarrja është një sociopatologji që kërkon ndërhyrje urgjente. Një pjesë e vogël e popullatës vepron me një hipokrizi të pafalshme. Kjo pjesë e kombit, fatmirësisht e vogël në numër, e kalon një pjesë të ditës në shekullin e XVII dhe pjesën tjetër në shekullin XXI. Kjo e shëmton fotografinë e shumicës.
Ju jeni lindur dhe rritur në Tetovë. Si e kujtoni vendlindjen?
Kam fatin që jam lindur dhe rritur në Tetovë, ku kanë jetuar rreth gjashtëmbëdhjetë gjenerata të trungut të familjes sime. Shkollën patriotike e mbarova në familje. Prindërit na shkolluan duke sakrifikuar të gjitha kënaqësitë dhe mundësitë e kohës. Pastaj babi më la porosinë më të shtrenjtë, që më hapi dyert e suksesit: “Punën e sotme mos e lërë për nesër”. Më kujtohen tregimet e xha Memetit, vëllait të madh të babait. “Më e rëndësishme është dy orë të ruash kufijtë e mëmëdheut se të falesh pesë herë në ditë…”. Shembull i pashoq i patriotit të kulluar, i cili nuk u pajtua kurrë me padrejtësinë që iu bë qeverisë së Ismail Qemal Beut. Në vitin 1940 dyqanit tonë ia ndërroi emrin në Farkatarija Vlora, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u emërua arsimtar në fshatin Nerasht dhe shkollës ia dha emrin Ismail Qemal Vlora. Vëllezërit e mi, Naimi dhe Arbeni, të cilët u rritën me shembuj të pakrahasueshëm të intelektit dhe qytetërimit, më ndihmuan t’i tejkaloj momentet më të vështira. Më kujtohet përkrahja e pashoq e trajnerit tim të pingpongut, z. Steve Zakovski, i cili me durim më ndihmoi të fitoj të gjithë titujt e kampionatit kombëtar në këtë lloj sporti. Tetova më njeh jo vetëm si student i shkëlqyer, por edhe si sportist. Disa herë jam nderuar si sportist i dalluar i qytetit.
Çfarë mendoni për situatën e shqiptarëve në Maqedoni?
Shqiptarët nuk kanë parti politike me shtyllë kurrizore të qëndrueshme. Dy partitë më të mëdha janë ngritur në formë të piramidës ku kreu urdhëron anëtarët e partisë, popullin. Kjo majë e piramidës merr këshilla direkte nga partitë maqedonase që janë shumë më të përgatitura për qeverisje. Pse janë më të përgatitura? Arsyeja e vetme është se ata vazhdojnë të angazhojnë nëpër pozicione të ndryshme ish-titistët e zgjedhur nga filtrat e UDB-së së vjetër dhe të re. Ata janë të trajnuar të dëgjojnë urdhërat dhe të përgatitur në frenimin e avancimit shqiptar. Fryma evropiane në Maqedoni duhet të mbillet sa më shpejt, duhe të shuhet kompleksi i pabazë i superioritetit sllav, të vendoset një themel i të drejtave kombëtare dhe mbi të ndërtohen marrëdhënie të mira dhe kreative në dobi të të gjithë qytetarëve. Sipas mendimit tim kjo mund të arrihet me përshtatjen e sistemit belg në qeverisjen e Maqedonisë.
Keni menduar ndonjëherë të riktheheni në vendlindje?
Sigurisht. Për pak vite, dëshiroj të angazhohem në një prej fakulteteve të mjekësisë.
Si e konsideroni nismën e Albanian Excellence?
Ky projekt i mirëmenduar do të ketë efekt pozitiv si brenda botës shqiptare ashtu edhe jashtë saj. Ne që jetojmë jashtë atdheut, me punën tonë, duhet të jemi në çdo mënyre ambasadorë të vërtetë të botës shqiptare dhe dijen duhet ta prezantojmë në vendlindje. Ky projekt i shkëlqyer hap rrugën e njohjes dhe kompetencës pozitive. U uroj suksese të gjithë atyre që u angazhuan në këtë projekt të mirëpritur.(Marre nga Agjensia Telegrafike Shqiptare)