Ministër i Mbrojtjes Maqedonci, kolegë ambasadorë, gjeneral-lejtnant Jashari, gjeneral-brigade Boziçeviq, gjeneral-brigade Hamerstajn, ushtarë, diplomatë dhe miq:
Mirëmëngjesi. Më vjen mirë që kam mundësinë të flas para jush për mbështetjen tonë për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Qeveria e ShBA-së është e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e FSK-së përmes NATO-s dhe asistencës dypalëshe, ShBA-Kosovë.
Në kontekstin dypalësh, ndër prioritetet tona strategjike është mbështetja e planit 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së në forcë profesionale, shumetnike, të ndërveprueshme me NATO-n, e aftë për të kryer mision mbrojtës territorial, nën mbikëqyrjen civile.
Janë bërë më shumë se katër vjet prej se punojmë për këtë qëllim në pajtim me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.
Vetëm gjatë vitit të shkuar kemi pasur një varg arritjesh në aspektin e asistencës për siguri. Dëshiroj t’i përmend disa prej tyre:
Së pari, FSK-ja ka marrë pjesë në gjashtë ushtrime dhe gara të Forcave të Armatosura amerikane për Evropë. Kjo pjesëmarrje e madhe përfundimisht rezultoi në validimin e regjimentit të parë të këmbësorisë së FSK-së.
Gjatë vitit të kaluar i kemi dhënë 24 milionë dollarë fonde ndihmëse për trajnimin dhe pajisjen e personelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK.
Një shembull i përpjekjeve tona stërvitore ishte vizita e ekipit të stërvitjes mobile të ushtrisë amerikane në Ferizaj, ku mbështetën zhvillimin e kurseve bazike dhe të avancuara të këmbësorisë për nënoficerë në Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës së FSK-së.
Gjithashtu, 47 oficerë të FSK-së përfituan arsimim profesional ushtarak në shkollat ushtarake të ShBA-së krah për krah homologëve të tyre amerikanë, duke zhvilluar aftësitë dhe duke vënë lidhje që do t’i bëjnë liderë më efektivë dhe do të thellojnë partneritetin tonë dypalësh.
Në bashkërenditje me partnerët gjermanë, i kemi dërguar 23 prijës dhe profesionistë kosovarë në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë „George C Marshall“ për të thelluar edhe më tej lidhjet dhe bashkëpunimin tonë të fortë në fushën e mbrojtjes.
Po ashtu, tashmë kemi financuar ose së shpejti do të financojmë pesë këshilltarë në fushën e komunikimit strategjik, inteligjencës, blerjeve, sigurisë kibernetike, si dhe planifikimit, programimit, ndarjes dhe ekzekutimit të buxhetit. Këta ekspertë janë këtu, duke dhënë këshilla për praktikat më të mira dhe duke ndihmuar Kosovën për përmirësimin e kapaciteteve në tërë sektorët.
Nuk do të bëja punën time siç duhet nëse nuk do të theksoja dhe lavdëroja marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Kosovës dhe Ajovës – marrëdhënie që filloi me programin e partneritetit shtetëror me Gardën Kombëtare.
Partneriteti ndërmjet Ajovës dhe Kosovës tashmë ka rezultuar me 26 angazhime (dhe po vazhdojnë) ushtri me ushtri që do të mbahen në të dy vendet, por këto shkojnë përtej angazhimeve ushtri me ushtri.
Në fakt, presidentja Osmani shkon në Ajovë këtë javë, ku e di që do të përforcojë këtë marrëdhënie të fuqishme në një varg sektorësh.
Edhe pse institucion i vogël, MM-ja ka marrë pozitën e saj në skenë globale të sigurisë duke u bërë pjesëmarrëse e rregullt e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Gjithashtu dëshiroj të shpreh mirënjohje që gjatë sulmit të 24 shtatorit ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës në veri të vendit nga sulmues paramilitarë të armatosur dhe të pajisur, FSK-ja dhe MM-ja demonstruan pjekurinë e tyre profesionale, duke vënë në pah reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm të sigurisë duke shmangur retorikën provokuese dhe duke u përmbajtur nga veprimet që do të kishin sjellë përshkallëzim të mëtejshëm.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjithë për rolin tuaj në stabilizimin e gjendjes.
Pres me padurim të shoh Kosovën duke vazhduar rrugëtimin e nisur vite më parë me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara për të përfunduar Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.
Edhe njëherë, ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot.