
Muç Xhepa/
– Shkoi në… djali i Stalinit… – i qeshin sytë Yllit.
9 prill. 1985. Goja, që kishte prodhuar vetëm dhimbje, ishte prerë. Përgjithnjë. E thirrën… por, ishemia i kishte marrë këmbët…
“Frikoju Perëndisë… ora e gjykimit troket…!”, shkruajnë librat e shenjtë.
– Shkojmë te Nuja ta festojmë. Mbaroi.
Ylli Mehja, mësuesi i fizikës, ka njerëz në Tiranë. Diçka di, them me vete.
– Në shkollë s’na treguan gjë.
– Do ta mbajnë fshehur. Klasës punëtore… fshatare… – qesh dhe tund gazetën “ZËRIiPOPULLIT”.
– Më befason që ke blerë…
– Jo, e mora në sallën e mësuesve, ta shoh. Asgjë.
Te lokali ngjitur me murin e kalasë shërben Nuja. Ka vite aty. E kemi mik. Ka kaluar nëpër rrathët e ferrit dhe pak njerëzve u beson në Peqin. I ndrisin sytë. E ka mësuar, them me vete.
– Miq për të gëzuar… ditë… – flet si me vete.
Në tryezë na vendos një pjatë me turshi, përzier me ullinj Peqini dhe dy të vogla me peshk, konserva Vlore. Në vend të rakisë, dy gota uji të mbushura plot. Ylli shikon nga unë.
– Është djegur derëziu. S’i kërkojmë dot pije sot.
Nuja ulet pranë banakut. Ngre një gotë ujë.
– Gëzuar! Iku e keqja… e kam zier vetë.
Në Elbasan, autobusi ndalon pranë postës qendrore. Ylli merr për në shtëpi, unë lart bulevardit. Në kryqëzim ma bën me dorë Bujari. Është i gëzuar.
– Prandaj thonë që miku gjendet… edhe në gëzim, – më shtrëngon dorën. Fort. Ndryshe.
S’e përmban veten. E ka mësuar, them me vete. Jemi miq të mirë ndër vite. Na lidh letërsia. Mëson rusisht dhe adhuron Çehovin. E lexon në origjinal.
“…nuk jam murg. Por dua të jem një artist i lirë dhe asgjë më shumë”.
– Po citon Çehovin, Bujar?
– Muçi, të ka shkuar në mendje të kemi gazetën tonë?
– Ëndërr…
– Çfarë do të bëjmë me të?
– Botojmë.
– Po, atë që duam vetë.
1991. Bujar Hudhri themelon gazetën “Fjala e Lirë”. Dhe, ndër numrat e parë, boton poemën “Shpresë” të Shilerit, përkthyer nga unë.
Bujar Hudhri dhe Muç Xhepa