Nga Defrim CANI/
I qetë, i qartë, konkret, komunikues, vëzhgues i hollë dhe mjeshtër i zbulimit të poezisë dhe aty ku askush nuk arrin ta “gjejë” atë. Gati gjashtëdhjetë vjet, që poeti Ferik Ferra e bën këtë udhëtim të mrekullueshëm, një udhëtim herë lëndues, herë i vështirë, një udhëtim i fshehur për një kohë jo të vogël, por pa u ndaluar njëherë.
Poeti e ka ditur mirë se, poezia është si një shtojzovalle, e tejdukshme, e depërtueshme, është ajër, frymë, e mishëruar në marrëdhëniet që materia krijon me jo materien, një masë e eternizuar, vështirë për ta zotëruar, se ajo posedon kudogjendshmërinë dhe llojshmërinë më të madhe në gjërat e kësaj gjithësie, që ne njerëzit e prekim në masë të ndryshme, në ndjesi të ndryshme dhe në emocionalitet të ndryshëm.
Në këtë mori marrëdhëniesh të kushtëzuara dhe jo të kushtëzuara është shfaqur, ka lindur apo nuk ka mundur t’i mbijetojë trysnisë së vet poezia në përgjithësi, prandaj dhe mbijetesa e saj është një fat hyjnor për njerëzimin, kulturën, gjuhën, dijen njerëzore në përgjithësi. Popujt e lashtë, popujt e qytetëruar dhe me histori udhërrëfyese, e kanë njoftuar që herët këtë, dhe po prej kësaj pasurie të paçmueshme, ata kanë mbetur të tillë. Veprat e lashta të njohura si epe, për shkakun e energjisë që ata posedojnë, që në fëmijërinë e tyre, kanë qenë gur themeli dhe ekuilibri kulturor, historik, social, qytetërues, poetik, gjuhësor, dokesh dhe zakonesh për gjithë jetën në vazhdim të atyre popujve dhe më gjerë. Dhe ashtu siç besohet në doket popullore, ai eposi ka qenë si ajo “gjëja” e shenjtë, që e ruan shtëpinë, dhe ai e ka ruajtur popullin e vet në një mënyrë apo tjetër. Nuk ka gjë më të thjeshtë për ta kuptuar këtë.
Për fatin e mirë, dhe ne shqiptarëve, lashtësia jonë na krijoi një epos mitik, kohët pagane, me gjurmët e lashtësisë, në të cilën “kryqëzohen” koordinata të zhvillimeve historike, sociale, shpirtërore, kulturologjike, mitike, inteligjence dhe kodi mendor të mrekullueshëm, prej të cilit vijon të burojë një vijimësi etnopsikologjike, gjuhësore, shpirtërore dhe të kohëve te errëta, nga të cilat kanë ardhur të gjithë popujt e botës.
Ashtu siç e kanë pasur fatin gjërat e lashta, dhe eposi ynë, detyrimisht ka humbur diçka apo më shumë se diçka, që do të mbesë një dhimbje sëmbuese, e thellë dhe torturuese për studiuesit, të cilët e kuptojnë humnerën para të cilës ndodhen, por është e pamundur. Eposi e Veriut, i quajtur ndryshe Eposi i Kreshnikëve, gjithsesi ka qenë mrekullisht një zgjedhje e zgjuar. Ai i është besuar të kënduarit, përmes veglës së shenjtë lahutës, një vegël e vogël, me një tel, një harpë e çuditshme, me një gropë të vogël, e cila arriti të zërë brenda vetes kaq shumë kohë, kaq shumë hapësirë, heronj të jashtëzakonshëm, karaktere dhe një arsenal të madh pasurorë të kulturës sonë popullore. Fatmirësisht një popull, i cili është në thelb artist, i cili ka bërë një art të madhërishëm, jo vetëm në ditë të gëzuara, por dhe në dhimbje të madhe, dhe në vdekje, arriti t’i mbajë kronikat etnopsikologjike, të karakterit, të raportit me zotin dhe tokën në këngët e kënduara. Asnjëherë nuk ka qenë e mundur të hysh në këngë apo të të këndohet rapsodi nëse nuk e ke merituar atë.
Marrëdhënia e kulturës popullore me zhvillimet historike është dëshmuar si një dëshmi autenticiteti e popujve, të cilët janë jo të paktë që vuajnë për një referencë të tillë. Ne e kemi pasur dhe e kemi, pavarësisht se fryma, ndikimi dhe nevoja që kultura jonë, më së shumti ajo gjuhësore, ka nevojë të madhe dhe të domosdoshme për të, në jo pak raste është nënvlerësuar.
Poezia e Ferik Ferrës është një areal i mrekullueshëm, me të cilën mund të kuptosh lehtësisht simbiozën që Eposi Epik i Veriut ka me gjuhën dhe fjalën artistike, me detajin dhe figurën artistike, të cilat në poezi kanë vendin dhe funksionin e tyre të domosdoshëm. Në kohët e errëta dhe të vështira, popujt e kanë mbështetur kokën tek eposet e tyre, ashtu siç mbështesim kokën fëmijët në kraharorin e nënës.
Një studiues i njohur perëndimor, që në shekullin e kaluar sillte në vëmendjen e studiuesve një ‘qortim’ të rëndësishëm:-”Në doni të vrisni fëmijërinë e popujve, përveçse vrasjes dhe përdhosjes së gjuhës, asnjë gjë tjetër më shumë se kjo nuk mund t’i bëjë dëm atij populli. Në doni ta leni pa fëmijëri, pa origjinë dhe pa orientim një popull, asnjë gjë tjetër më shumë se vrasje e eposit të tyre nuk do ta bënte një punë të tillë…”
Poezia e Ferik Ferrës jep një mundësi praktike për të kuptuar jo vetëm ushqimin e përjetshëm dhe të gjithkundodhshëm, që eposi i jep poezisë të të gjithë kohërave, qoftë dhe asaj moderne, por në kushtet e zhvillimeve të sotme, ajo është ushqimi më i domosdoshëm i gjuhës së shkruar dhe i gjuhës së folur. Eposi i Veriut është një libër brilant, një thesar dhe një vepër e mrekullueshme, që duhet të lexohet gjithmonë dhe që nuk soset kurrë. Kohët këtë e kanë vërtetuar.
Mbijetesa e një pasurie thelbësore e gjuhës shqipe, kryesisht përmes strukturave dhe “relieveve të zverdhura “ të poetikës së lashtë veriore, të Eposit të Kreshnikëve, teksteve kishtare apo të baladave, është një fat i madh për shqipen, por dhe një dëshmi e luftës ideologjike, luftës praktike, e cila fatkeqësisht ka akoma dhe sot reminishenca të dukshme në një rreth ta caktuar akademikësh dogmatikë, të cilët dje donin ta zhduknin atë dhe sot ta zbehin vlerën e saj.
Arsyetimi është i thjeshtë, rregulli mijëravjeçar i komunikimit shpirtëror poetik, i besimit dhe i gjithë mbijetesës kulturologjike, e cila njihet për diversitetin, duelitetin e drejtpërdrejtë me invazorin sllavo-rus, nuk mund të vendosej me një akt ligjor të dhunshëm dhe me orientim politik, siç ndodhi me Kongresin e drejtshkrimit. Lufta që iu bë fjalës shqipe, e cila vinte nga kjo gurrë e lashtë, kur shqiptarët në historinë e tyre nuk kishin asnjë të tillë, si me i shkulë rrënjët etnisë.
Gjithë komunikimet që vijnë përmes kësaj pasurie dhe fondamenti, janë cilësisht të emancipuara, janë komunikuese nëpër të gjithë kohët e zhvillimit historik dhe aktual të shqiptarëve, kryesisht ai që lidhej me konceptin e të vërtetës dhe të të drejtës.
Eposi epik i Veriut, në të cilin lindi dhe u organizua gegnishtja, ka plazmuar, ka hyjnizuar e i ka bërë pjesë etike të këndueshme norma të pranueshme që në vijimisitë historike të shqiptarëve kanë qenë kolona të ekuilibrit social- kulturor, shpirtëror dhe psikologjik.
Në kohën kur perlat e gjuhës së lashtë shqipe ishin prangua, kur gjedhit brilante të Eposit të Veriut, elokuenca e pashoqe e Fishtës dhe e Koliqit ishin dënuar me vdekje, kur mijëra fjalë të poetikës e leksikut fondamental të shqipes përbënin heretizëm, po të përmendeshin, poeti Ferik Ferra në heshtin e vuajtjen e vet jetonte me to.
Në këtë kohë poeti do të shkruante poezitë më të bukura të tij dhe si të bashkëkohësve të tij dhe pse ai nuk kishte mundësi t’i bënte të njohura në mjetet e komunikimit të kohës. Në këtë kohë Ferra do të shkruante poezi të tilla “Në terrin e natës” (1954), “Credo” (1961), “Dromca drite” (1961), “Ave, Cesar” (1962), “Ka njëzet shekuj” (1965), “Nën rrasat e mermerta” (1972), “Pa pranverë” (1955), cikli i famshëm i tij “Hije lashtësie” (1954- 1973), në të cilët vazhdon tradita veriore poetike.
I trishtuar, epik dhe lirik, ai jetonte me eposin, Fishtën, Mjedën, Poradecin, me mbijetesën e fjalës shqipe, e cila vinte nga një sakrificë të pamenduar dhe të pabesuar. Ai e dinte se fjala ka instinktin e femrës Ajo jepet pa kompleks. Kërkon të zërë vendin e vet dhe i qëndron besnike vendit të vet.
E ashtu duke iu shmangur një eufuizmi tradicional, poeti u kujdes t’i gjente vend fjalës së lashtë në strukturat e mrekullueshme poetike që ka poezia e tij gjatë gjithë kohës. Poeti Ferik Ferra e dinte mirë, sepse e prekte vetë realitetin mbijetues të fjalës së vjetër në poezi, letërsi dhe gjithçka të shkruar. Ai e dinte se fjala do të mbeste aty, mes fjalëve të tjera, në vargun e në marrëdhëniet me të tjerat, për të “ndërtuar” emocion, histori, ndjesi të dhimbshme apo të gëzuara, ajo rrinë aty, pavarësisht kalimit të kohëve.
A nuk qëndroi mote, dekada, përballoi stuhi, vrer, cinizëm, vrasje e barbari, përçmim e dhunë fjala e Fishtës, e cila vinte mu prej thelbit të traditës së shqipes, mu prej thelbit të kulturës gjithësisht të tekstit të shkruar dhe gjuhës së eposit të lashtë, fjala e Konicës, Prendushit, Koliqit, A. Harapit, Camajt, Pipës, Kutelit, Haxhiademit, Mit’hat Frashërit, madje dhe Migjenit?
Gjashtëdhjetë vjet ua prenë biskun e fjalës, mollën e bënë drizë, dardhën e bënë ferrë, por fjalë është rrënjë që mbin vazhdimisht, në ditë të mira dhe jo të mira.
Poeti Ferik Ferra vazhdon të shkruajë poezi të mrekullueshme, me një freski të jashtëzakonshme të figurës, fjalës dhe ndijueshmërisë së lartë poetike. Ai ka dije të gjëra të poetikës dhe funksionin që fjala ka në poezinë tradicionale dhe atë bashkëkohore. Poezia e ruan fjalën, e mbron atë nga gjithçka ajo rrezikohet. Për shumë kohë fjala e vjetër, veçmas ajo e dialektit gegë u rrezikua jo pak. Vetëm poezia mundej ta ruante atë, siç e ka ruajtur eposi dhe gjithë poezia e vjetër pasurinë tonë më të madhe të gjuhës.
Eposin e Veriut poeti e sheh gjithmonë një burim të përjetësishëm me të cilin ushqehet letërsia. Në epos gjenden burimet gjuhësore, burimet e figurës, freskia e motiveve dhe detajet, thelbi i vijimësisë pre dhe historike të kulturës dhe fiziologjisë etnokulturore, totemizmi dhe etniciteti.
Gjithashtu përmes këtij burimi poezia në përgjithësi ruan një ritëm përmbajtjesor, ashtu siç gjendet veçmas tek Eposi i Kreshnikëve, një lloj energjie, që çlirohet vazhdimisht, një burim i lidhjes së ngushtë me paganizmin.
Poeti Ferik Ferra vazhdon ta bëjë me shumë dashuri dhe aftësi këtë detyrë fisnike:- në poezinë e tij të vazhdueshme ditë pas dite, rast pas rasti, fjala e rrallë, ajo fjala e “harruar” apo e “humbur” prej 40 apo 50 vjet, vjen dhe zë vendin e vet. Shqipja ka nevojë për të. Poezia ka mundësi ta bëjë këtë fytyrë fisnike. Ajo rrjedh…
Dëfrim Cani (studiues, shkrimtar dhe kritik letrar)
· * Parathënie e përmbledhjes poetike “Sytë Kast” e poetit Ferik Ferra
Poezi nga përmbledhja poetike “Sytë Kast”
Gjuha shqipe
Rriskën e dritës
N’petkun e diellit
Hapsit’ pellazge.
Biskun e verbit
N’gushën e zogjve
Breznitë ilire.
Knellin e gjakut
Në t’katër stinët
Buzët Arbnore.
Kpucët e bletve
Mjaltin e vargut
Hojet shqiptare.
Ashtin e fjalës
Që lvyren kohnat
Tkurrjes vrastare.
Gardhin e shpresës
Kufijve t’shkulun
N’rreshtat e fletës.
Qumshtin e nanës
N’ditët që vriten
Amzës lastare.
Te “Mrizi i Zanave”
Në Fishtë
Gurët e duerve t’muranës
Kryqin nën kambët e qiellit
Katër rreshta muri i themelit
Pret lindjet e perëndimet,
Ku bujnë dielli, hana e yjet
Ngenë e ditës e të natës.
Trenat e konakut
Brinjët e dhimbjes së shekujve Shqiptarë,
Mbështetun n’ cepin e kohës,
Plumba neneve t’kanunit thesi
Fijen e kuqe të trëndafilit
Lidh tehu i shpatës së huej.
Plagve t’etnisë
Vinte në jetë Zefi i vogël,
Që një ditë do të quhej Gjergji i Dytë,
Gjergji i Fishtës,
Gjergji i “Lahutës” e i “Anzave t’ Parnasit”,
Gjergji i “Mrizit të Zanave”,
Zanave që do t’i venin flakën Vraninës
E do ta shtinin Lugatin
Në dhomat e Knjazit.
Gjakun mbi vetull
Do t’ia fshinin Trinkës Zanat
E sytë e bukur të Eufrosinës
Do t’ia shtonin kristalin blusë
Ujnave t’liqenit.
Dyzetë fletë Jerina
Mbretnesha e trendafilave,
“Nji lule vjeshte”
Në katër stinë,
Çelë në vllajën e përjetshme,
Hullinë moderne
Vargu i parë Alb.
Drita e “Hyllit të Dritës”
Hapsinat e ndjejnë largimin
Lëndinave të mangta
Të dijes Shqiptare.
Nuk do të kishte zog nane
Të fliste për Atme e fe ndryshe,
As për Flamurin, as për Shqipninë
Hymnin e të cilit e shkruejti me lot,
As për Kryqin,
Bindjen e shpirtit në Zot.
Atij do t’i çonin nishane mbretnit
Për të mos mbetun shakuj në histori
Për t’i kthye dhimbjet e padrejtësive
Medaljet e plagve n’bezdi.
N’ heshtjen e rrezeve të dritës
Brilantet e vesës thyejnë ylberë,
Gërshetë të blertë vargjesh
Rreth mureve t’themelit.
Fishtë, 6 qershor, 2012.
Andrra e kuaj
Nata veshi majat,
Malet me shajak të zi,
Trokamën e tridhet Agëve,
S’e zen pylla,
Fir e trungje kryet,
Petkun e territ brinjët
A thue gjumin e vdekjes ua uli qiella.
Rrezet e hanës
Në kërrcujt e fytit,
Kangën e mortit t’shkurtën
N’thesin e hapsinës së shurdhët.
Dizdar Osman Aga andrron ndarje,
Tbanat e Krajlit,
Bejleg e mejdane
Diellin shue n’kokën e balozit,
N’hebe t’kalit preja
Gjokun veshë me gjak të ngri Behuri,
Çikat robina.
Mbbas dyerve t’mjegullës
Andrra e Halilit,
Fshehun në nji kand të errët kopshti,
Kurbat e Tanushës kullojnë serm,
Shtyjnë hapsinën para,
E deti i syve
Me dy yje zbritë midis qerpikëve,
Sytë e Halilit ndeshë.
Përtyp natën freni midis dhambësh,
Zhvishen hijet,
Hap krahët rruga e dashunisë
Flatrat e zanës në ravgime kambësh,
Gjoku shtyn peshën e brymtë të bukurisë.
Njat Halilit miku Zuk,
Andrra var në fërrni të kullës,
Nana i ban za nuses:
Merrja Rushë frenin e kalit djalit,
Deri n’agzhol shkallët e kurmit
Do t’i ulni e do t’i ngrini,
Flokët nën krye t’Zukut
Ka me t’i gjet agimi.
N’perde t’mendjes
Andrra kshtu i flet Mujit:
Hargelja e zezë
Ka ba mazin e bardhë,
Me yll e hanë në ballë
Ia rritë e ia shetitë Jutbinës
N’ cifla patkojsh çeliku vrullin koha,
N’mejdane t’krajlive
Ka me ta vjedhë lakmija,
S’ka me shalue mazin
Duvaku e bukurija.
Ne Foto: Ferik Ferra/