• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjala flet ndryshe

April 14, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Mbulesë e gjerë dhe ata që e mbajnë torturohen nga frika se po të hiqet, ajo që fshihet nën ’të, do të shkatërrojë sistemin e tyre. Artistët thonë se natyra është mënjanuar; studiuesit nuk kanë ideal. Ata i rëndojnë fjalës së sinqertë me shaka për të ngritur veten; qeshin kur flasin dhe ndryshojnë temën. Fakti është se gjithçka që ka të bëjë me lirinë, e kështu me radhë, është zhdukur. Personat praktikë dhe komodë i shtypin ata që kanë pretendime, ose që mendojnë ndryshe, dhe pushteti mbetet për heroizmin dhe vetëflijimin si ushqim për propagandën e tyre. Shprehja  “Ik sot për të luftuar një ditë tjetër”, si koncept është shuar.
Asnjë poet nuk guxon murmuritje bukurie jashtë nga zona e rimave. Ashtu si asnjë klerik nuk guxon të sugjerojë një Providencë e cila kritikon kombin kur sheh se ka zgjedhur rrugë të keqe. Shqipëria është ishull vullkan i zhurmshëm i fatit, i vlerave materiale, i tarifave e taksave të larta dhe ligjeve që rëndojnë, tregjeve të gllabëruara dhe çmimeve pa vlera. Të gjitha në mungesë të qëllimeve më të larta, të dashurisë së pastër të dijes dhe dorëzimit ndaj natyrës; ekziston shtypja e imagjinatës dhe mendimit; kemi “faktik” në vend të “natyrshëm”; dhe shpenzime pa shije; art dhe vetëkënaqësi; shpërblim për cilindo që krijon një pengesë më shumë për të ndërhyrë midis njeriut dhe sendeve.  Kështu fjala degradohet; poezia bëhet udhëzues i rimuar turistësh. Dhe bibliotekat e vargjeve që shtypen marrin këtë karakter vendor. Në sa vëllime duhet të qëmtojmë para se të mbushemi, të mësojmë, të përtërihemi? Kërkojmë mrekullinë, bukurinë, që nuk mund ta prodhomë në asnjë mulli, që nuk mund të japë llogari; bukurinë, prodhimin e së cilës e mbajtën sekret poetët e mëdhenj; nuk dihet ku e gjetën. 
Është humbur nga sytë fakti që poezia ekziston që shpirti të flasë, dhe se asnjë pasuri e përshkrimit ose e zbukurimit është risi derisa të arrihet. Prandaj, poetët fare fare të vjetër u vunë veshin vargjeve dhe më pak konsideronin gjykimin. Fjalët e tyre të çojnë te burimi. Dhe lexuesi do të thoshte: Për Zotin, nëse fjalët nga shpirti do të ishin si të kalemxhinjve,
Shkrimi do të kishte më shumë ligësi. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Fjala, Ndryshe

FJALA

August 17, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-
“Mirëdita!”, përshëndeti George W. Bush në parlamentin shqiptar, dhe shqiptarët u ngazëllyen, por vetëm për një çast, pa kapur bukurinë e fjalës që çdo mëngjes u kalon nëpër gojë. Sa shpejt harrohet efekti i momentit të parë?!“Mirëdita”, që presidenti amerikan tha si fjalë të parë, kaloi fillimisht në mendje dhe doli pasi u përpunua, çka tregon një mendje analitike dhe etje të jashtëzakonshme të njeriut për përgjigjet e pyetjeve të heshtura, të cilat zgjojnë interesin e fortë për të eksploruar çështje, filozofi dhe madje edhe mistik; fjala e parë zotëron qartësi dhe këmbëngulje në kërkimin për të vërtetën; me dëshirë për njohuri midis iluzionit dhe realitetit, ku shqiptarët sot notojnë.“Mirëdita” e pajis njeriun me këtë dëshirë të brendshme për daljen në ditë a dritë për të ndihmuar dhe u kujdesur për vete, për njerëzit që do, shtëpinë, familjen, për t’i bërë sa më të rehatshëm dhe të sigurt.Dashuria për miqtë është burim kryesor i lumturisë dhe nganjëherë i pakënaqësisë, kur miqtë të zhgënjejnë. Por s’ka gjë. Dëshira për të ndihmuar të tjerët është aq e fortë sa shpesh njeriu e gjen veten duke sakrifikuar nevojat personale për dikë tjetër, dhe ndonjëherë mund ta teprojë, duke u përfshirë thellë në jetën e të tjerëve.Fjala rrezaton energji dinamike dhe efikase. Me ‘të njeriu kontrollon veten dhe duket më i aftë, përndryshe pse duhen intervistat a bisedat, që shpesh zgjaten?Fjala shpreh guxim dhe përpjekje përballë vështirësive; dhe i bënë të tjerët të mendojnë se nuk do të tërhiqesh. Njeriu vishet në mënyrë dinjitoze dhe korrekte, duke u kujdesur për detajet e pamjes, por është fjala që kryen funksionin e parë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Fjala

Shpirti Yt, o Shkodran i Nderuem, pushoftë në Paqen e Perjetëshme!

February 25, 2019 by dgreca

Nga Julian ÇEFA*/2 Kolec-Pikolini-250x291KOLEC PIKOLINI- (1923 – 2019)/

Zonja dhe Zotnijë, miq dhe dashamirë të Familjes Pikolini !

N’ emen të vllaut Ernestit, djalit Tonit, bashkshortes zonjës File dhe bijave të dashtuna Liljanës dhe Kristinës me familje, Ju falnderojmë përzemersisht per ngushllimet Tueja të sinqerta me rastin e vdekjes së Vllaut, bashkshortit, babës, gjyshit e stergjyshit tonë Kolecit, që aq shumë e deshti jeten, familjen dhe vendlindjen e Tij, të dashtun dhe të paharrueshmen Shkoder Locen tonë.

Ishte viti 1923, pikrisht me 23 Dhjetor kur Nana loke Luçija, leu djalin e dytë Kolecin, I cili bashkë me vllaznit Paloken, Ernestin , motrat Gjyljana e Madalena u rritën me nji edukatë e kulturë katolike qytetare të qytetit vjeter të Shkodres.

Ngjarjet ecnin me shpejtsi të jashtzakonshme: Me 1939 Shqipnia okupohet nga Italia fashiste e mbas saj, nga Gjermania naziste. Ndersa në 1944, Shqipnia e Gencit e Teutës dhe e të Madhit Gjergj Kastrioti, pushtohet nga kthetrat gjakatare komuniste, që mbrenda pak kohe e ktheu Atdheun tonë aq të dashtun në nji kamp perqendrimi të rrethuem me tela me ferra e perde të hekurta tue, i mohue Popullit Shqiptar liridashës lirinë e Atdheut dhe të Fesë, e tue e shpallë Shqipninë tonë: “Shteti i parë ateist në Botë”. Komunizmi shkatrroi Kisha, Xhamija e Teqe, burgosi klerikë të tre besimeve dhe pushkatoi  nji numur të madh Klerikësh Katolik, të cilët punuen aq shumë per Fe e Atdhe, dhe mbushi kampet e shfarosjes dhe të perqendrimit me qinda e mija Atdhetarë të pafajshem.

Qeveria komuniste filloi vrasjet dhe arrestimet në masë. Familja e Kolecit si shumë familje të tjera  shkodrane e perjetoi  kalvarin komunist. Në vitin 1945 i arrestojnë vllaun e madh Paloken, dhe e pushkatojnë vet’ i teti para Bashkisë së qytetit të Shkodres.  Nji plagë e pasherueshme u hap në zemren e Nanës Luçia… Baba Marku, vdiq në spitalin e burgut, ndersa vllau i vogel Ernesti, u dënue me 10 vjet burg i pafajshem. Koleci u dënue edhe Ky me 20 vjet burg dhe, mbas pak kohe u dergue në burgun e mnershem të Tiranës komuniste.

Vetvetiu vjen pyetja, pse gjithë kjo urrejtje kunder Popullit të pafajshem?! – Pergjegja asht e thjeshtë: Sepse, Populli Shqiptar kerkonte liri dhe demokraci, të cilen nuk e gëzoi asnjëherë per njigjysë shekulli robni.

Fati I Kolecit ishte i lidhun ngusht me gjithë Shpirtë e me gjithë zemer  me Kishen e famshme  të Zojës së Shkodres, brij Kështjellës së lashtë Rozafat, e cila e udhëheqë në rrugen drejtë Lirisë në shpetimin e jetës së Tij… Gjatë gjithë kohës, Koleci bante plane dhe mendonte si me ikë nga burgu. Njiditë para se të zbardhte drita shef nji anderr shumë interesante dhe domethanëse të cilen dishroj t’a ndaj me Ju: “Shef anderr se dikush po e ndiqte prej mbrapa dhe, Ky po vraponte neper disa livadhe të pambarim. Ma në fund Koleci mërrijti në disa kodra  shkambore të papyllzueme, dhe tue kalue neper nji shteg ku kishte nji kapercyell, pau se toka ishte mbushë me qinda gjarpijsh. Nuk shikonte mbrapa se per Te nuk kishte kthim… Në këte moment Koleci bertiti me za të naltë: “O Zoja e Bekueme, ku je sot per mue?!” Pertej gardhit disa metra mbi tokë, Ju duk nji Grue me t’ bardha tue buzqeshë… “Kaloje gardhin !” I thotë Ajo, dhe Koleci i trishtuem mendonte se mos po e kafshojnë gjarpijtë… “Nuk të hanë, kalo!” I thotë, Ajo persëri… Kur kaloi pertej Koleci, shkeli mbi gjarpij sepse kishte besim tek Ajo Nanë. Kaloi pertej gardhit dhe shikoi mbrapa, gjarpijtë ishin zhdukë!.. Kjau me za sepse Nana Loke, gjithë jeten i kishte folë per Zojen e Bekueme!”

Shpjegimi i “andrres” asht shumë i lehtë: Kur Koleci iku prej burgut, focat e ndjekjes apo gjarpijtë që kemi permendë ma naltë, n’ atë anderr, e ndoqën gjatë gjithë rrugës prej Tirane në Shkoder, derisa ata i humben gjurmët. Mbas shumë vuejtjesh gjatë udhtimit, prej mungesës ushqimit, ujit dhe netëve pagjum, Ai vazhdoi rrugen drejtë Urës së Bahçallekut. Drini kishte shterrë dhe tri shtyllat e urës ishin në zall.

Nepermjet mrinave mërrijti tek shtylla e tretë. Ajo Ju duk shumë e naltë dhe capi nuk mërrinte as sesi në platformen e urës. Vuni kamben mbi dru dhe capi mërrijti tek hekuri  mbi shtyllen e urës.

U mundue me gjithë fuqinë që i kishte mbetë, po nji  zhurmë misterioze u ndigjue bum, bum, bum…

Në këte moment u ul shpejt perdhe dhe, shikoi rretherrotull po, nuk pau njeri… Në fakt ishte zemra e Kolecit që rrahte aqsa e ndigjonte me veshët e vet. Në këte moment solli kryet nga qielli dhe me za t’ ultë filloi lutjen: “O Zoja e Shkodres, që je pertej kësaj urë n’ Atë Kishë të Kalasë, o më merr n’ atë anë, ose më mbyt në Dri, e vullneti i Yt u baftë!…”

Mbas pak kohe u ngrit dhe afrohet e holli capin mbi hekurin e shtyllës dhe u mundue që të kacaviret, por kot… Koleci kishte dy javë pa bukë as ujë, pra nuk kishte ma forcë… Në këte moment, sjelli sytë nga Kalaja e Shkodres  me thirrë në ndihmë Zojen e Bekueme, por Ai.., kishte mërrijtë mbi shtyllen e urës…”

Në librin e Tij “Rregjimi I Hijenave” Koleci, shkruen: “Lexuesi mund të komentojë si të duen, por per mue ishte nji mbrekulli! Ishte pikrisht Zoja e Shkodres që më dha doren per me u ngjitë mbi shtyllë të Urës…” Me vështirsi Koleci mërrijti tek Kisha e Zojës, ku nepermjet nji grues shkodrane e Motra, i pruni  teshat e Nanës së vet, brandavekët dhe çarqafin shkodranë dhe me ata hyni në Shkoder i veshun  si grue, po i armatosun me livore dhe dinamit. Mbas 31 ditëve udhtim nder male e shkrepa ma në fund e kaloi kufinin dhe doli në Mal të Zi…

Prej natyre Koleci ishte puntor i fortë, dhe punoi elektriçist. Mbas pak kohe mori veten nga arratisja e tij legjendare dhe u njoh me arsimtaren e parë në Malësi, Zonjen File, me të cilen lidhi Kunoren Shenjte. Prej Jugosllavije emigruen bashkë në Belgjikë, mandej në Kanada dhe ma në fund në vitin 1967 në SHBA, në qytetin e njohun Firmington Hills të Michiganit ku, u njohëm  bashkë perherë të parë me Kolecin familjarisht… Fëmijët tonë që nga mosha e brishtë u rritën bashkë me nji dashni dhe harmoni të jashtzakonshme, derisa krijuen familjet e veta. Sot Ata janë gjysha e gjyshe me nipa e mesa…

Gjatë kohës që jetoi në Michigan Koleci, ishte shumë aktiv në Komunitetin Shqiptar, e sidomos, Ai kje nji nder nisiatorët e parë per ndertimin e Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit, në Michigan që u ngrit në vitin 1981.

Koleci jetoi jetë të gjatë e të shndetëshme aqsa, të lumtun dhe në mesin e Familjes vet. Bijat e Tij Liljana dhe Kristina i sherbyen me dinjitet Babës së vet të dashtun deri në momentet e fundit të jetës.

Kjofsh mirë n’ Atë jetë të Pasosun, Shok e Mik i dashtun! cShpirti Yt o Shkodran i Nderuem, pushoftë në Paqen e Perjetëshme dhe të kjoftë i lehtë Dheu i Amerikës!

* Fjala e Julian Çefes në Kishen e Shën Palit Michigan, me rastin e vorrimit të Kolec Pikolinit

22 Shkurt 2019.

Filed Under: ESSE Tagged With: e Kolec Pikolinit, Fjala, Julian Cefa, ne varrimin

ABAZ KUPI BURRE I PUSHKES DHE I KUVENDIT

January 11, 2016 by dgreca

Nga Asllan Bushati/*
New York- 9 Janar 2016 Sot mbushen 40 vjet nga dita kur u nda nga jeta, burri i madh i Kombit Shqiptar , gjeneral Abaz Kupi. Per këtë personalitet tashmë janë shkuajtur libra, artikuj, vjersha, poema, këngë etj. Por jam i bindur se akoma më shumë do të shkruhen në të ardhme, sepse e tillë është jeta dhe veprimtaria e tij. Cfardo të themi sot,në përkujtimoren e 40-të të tij, është fare pak, sepse asnjë llojë ligjërate nuk mund ta rroki aktivitetin dhe veprimtarinë patriotike të tij. Por në të njejtën kohë,ne kemi obligim para vehtes,fëmijve tanë, bashkëkohsëve dhe së ardhmes, të mblidhemi dhe qoftë edhe me pak fjalë, të kujtojmë e të sjellim në fokus ate cfarë bëri për kombin ky burrë i madh.
Të nderuar bashkëatdhetar,familja ime ka qenë përkrahse dhe dashamirëse e Mbretit Zog. Që në fëmijri prindërit më kanë folur me respect për Mbretit Zog, por po ashtu me shumë respect edhe për Abaz Kupin. Një vartës, mik, shok dhe bashkëpunëtor i Abaz Kupit, Kapiten Sali Llani (ish komandanti i forcave të Legalitetit në Mat), ka jetuar në shtëpinë time për më shumë se gjashtë muaj në kohën e Luftës Dytë Botrore. Ai ka lënë gjurmë të thella respekti tek Babai im dhe në të gjithë gjakun tim, vecanerisht per vlerësimin e anës ushtarake që ka bërë për Abaz Kupin. Kurse miq te familjes time në Gardhac të Kurbinit: Lam Kurti, Nel Lika, Dik Neziri dhe Dil Cakon e Met Ali Cakoni në Baz të Matit (të gjithë këta miq e bashkëluftëtar të Abaz Kupi), më kanë folë me ndieshmëri shumë të lartë për fjalën dhe burrërinë në kuvend të Abaz Kupit.
Të dyja këto cilësi të Abaz Kupit, pra mencurinë në kuvend dhe trimërinë në luftë, historiografia komuniste, nuk i ka përmendur kurrë, madje për ta errësuar sa më shumë figurën e këtij heroi popullor, ka hedhur shumë baltë mbi të, vetëm e vetëm që ta cvleftësonte sa më shumë që të ishte e mundur.Por sa më shumë koha kalon,aq më e shëndritëshme bëhet vepra dhe veprimtaria e tij.
Të nderuar bashkëatdhetar, më lejoni që me këtë rast, të sjellë në fokusin e kujtesës tuaj,për mprehtësinë dhe integritetin në bisedime të Abaz Kupit,thëniet e dy ushtarakëve të lartë britanik që janë diametralisht të kundërta me ata që ka thënë diktatori E.Hoxha..Së pari Julian Amery në librin “Bijtë e Shqipes” thotë:”Në takimin e parë me të u befasova nga përzemërsia që tregoi dhe vecanërisht më bëri përshtypje profili i tij me atë të Napoleonit, me një cullufe mbi ballë, me të cilën mundohej të fshihte një shenjë plage plumbi…Ai fliste pak me ngadalë, por me një shprehje të mahnitshme, me gjeste dhe me një ton të ngrohtë, të cilat përkthyesi i kishte shumë të vështirë të na i përkthente.”Së dyti Davis Smajli në librin me titull”Me detyrë në Shqipëri”, thotë:”Ishte i qetë dhe i rezervuar nga natyra, ai kishte sjellje të përsosur dhe kurrë nuk i tradhëtoi ndjenjat me ndonjë gjest apo shenjë të dukshme”. Po tu shtosh këtyre thënieve dhe mendimet e tij ne Konferencën e Pezës dhe atë të Mukjes, në mbledhjet e Shtabit Pergjithshëm dhe në cdo kuvend që ai ka qenë i pranishën, bindëshëm mund të thuhet se ai ishte burrë i madh i kuvendeve shqiptare.
Historiografia komuniste , jo vetëm nuk e ka vlerësua, por nuk i ka permendur as dhe emrin në një nga ngjarjet më të medha sic ishte rezistenca kundër pushtuesve fashistë italiane më 7 prillë të vitit 1939. Ai nuk ishte një i pa njohur per kohën, por ishte Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, ku i bëri rezistencë armikut pushtues edhe në një raportë forcash 50 me 1, rezistencë që i dha nder Shqipërisë në sytë e gjithë botës. Po ashtu nuk u përmend asgjëkundi lufta e 3 gushtit të vitit 1943 nga Qaf-Shtama deri tek Pylli i Kadiut ku u asgjësu tërësisht regjimenti Italian “Guida”, luftimi në pritë në Klos, Ura e Lus, Kurdari, lufta kundër gjermanëve në Krujë,lufta e Koplikut kundër serbve etj , vetëm se të gjitha këto e shumë të tjera i organizoi e drejtoi Gjenerali i madh popullor Abaz Kupi.
E nderuar Familja Kupi, të nderuar bashëatdhetarë. Mendoj se ka ardhur koha të bëhen disa ndryshime në funksion të kujtimit të veprës kombëtare të Abaz Kupit.
Së pari, këtej e tutje, sygjeroj të përkujtohet e të festohet , ditëlindja e Abaz Kupit. Pra 6 gushti të këthehet në një festë popullore,ku të përcillen në mënyrë festive cdo gjë që ka lidhje me figurën dhe veprimtarinë e tij. Kjo jo vetën nga familja, por nga gjithë organizmat shoqëror e shtetror.Festimi të ketë kumtesa, këngë, valle,muzikë, pije dhe ushqim.
Së dyti: Monografia që është bërë për Abaz Kupin duhet të ri shkruhet ,sepse kanë dalë shumë dokumenta , kujtime e materiale të rëndësishme të cilat nuk janë përfshirë në këtë botim. Por në të njejtën kohë, botimi i ri të nxjerrë më mirë në pah gjithë dimensionet e figurës së Abaz Kupit .
Së treti: Eshtrat e trupit të pajetë të heriot popullor Abaz Kupit e kanë vendin pranë munomentit “Nëna Shqipëri” në Tiranë. Këtë detyrim e ka komuniteti shqiptar i Amerikës dhe Partia e Legalitetit, (madje edhe Vatra e shoqatat etjera duhet të ndihmojë ),në kordinim me autoritet shtetrore në Tiranë .
Së katërti: Një bust i bronxtë i Abaz Kupit në qytetin e Krujës, do ti bënte nder gjithë shqiptarisë. Shpenëzimet për të duhet ti marrë përsipër Partia e Legalitetit në bashkpunim me komuniteti shqiptaro-amerikan dhe Bashkinë e Krujës.
Të nderuar pjesëmarres, në emër të Federatës Panshqiptare Vatra, dhe në emrim tim, i shpreh ndiesitë më të larta Familjes Kupi dhe ju që ishit të pranishëm në këtë përkujtimore. I nderuar qoftë për mot e jetë kujtimi dhe vepra e Abaz Kupit.
*Nënkryetari i Vatrës

NY , më 9 Janar 2016.

Filed Under: Vatra Tagged With: 40 vjetorin e Abas Kupit, asllan Bushati, Fjala

VATRANËT,VIKTIMAT E DIKTATURËS,LANË AMERIKËN PËR ATDHEUN

November 24, 2014 by dgreca

Nga Gjon BUCAJ*/
I nderuem z. President,
Kemi ardhë nji grup i ngushtë vatranësh për të qenë të pranishëm këtu, në këtë ditë historike kur ju, në emën të kombit, nderoni disa viktima të pafajshme të komunizmit.
Këta patriotë, të cilët ju po i dekoroni sot pas vdekjes, vepruen me përkushtim e dashuni për dobinë e atdheut sa ishin në Shtetet e Bashkueme,u këthyen në vendlindje dhe vazhduen t’i shërbejnë atdheut, gjithnji me përkushtim e dashuni derisa,me dhunë të përgjakshme, erdhi në pushtet regjimi i diktaturës fsllavokomuniste dhe ua këputi mizorisht fijen e jetës,“në emën të popullit” dhe të “drejtësisë” së diktaturës së proletariatit.
Janë zhdukë pa faj edhe mija të tjerë, por meqenë se për nji periudhë të jetës këta ishin pjestarë të Federatës “VATRA”,e ndjemë për detyrë t’ju propozonim dekorimin e tyne për merita patriotike dhe për padrejtësinë që ata pësuen, si dhe për kalvarin të cilin e vuejtën të afërmit e tyne gjatë nji gjysmë shekulli. U zhdukën mizorisht jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe ushtarakë të karrierës, shtetarë e profesionista të fushave të ndryshme dhe përsonalitete të traditës, me qellim për të konsolidue fitoren e luftës civile për pushtet dhe për të përmbushë e tejkalue porositë e anmiqvet tanë shekullorë, synimi i të cilëvet ishte, si gjithmonë, zhdukja e vlerave të identitetit tonë dhe dobësimi i strukturave të kombit shqiptar.
Mbas ramjes dejure të diktaturës, familjarët e martirëve, tue ruejtë fisnikinë e trashigueme, nuk lypen hakmarrje, por lypen drejtësi dhe drejtësinë e presin ende: kurrëkush nuk u ka kërkue falje, krimet dhe kriminelët e komunizmit nuk janë dënue, as ligjisht as moralisht.
Nderimi që u bahet sot këtyne martirëve, asht nji akt drejtësije kundër padrejtësisë dhe nji hap me randësi drejt larjes së boxhit të cilin dhuna e ideologjisë se huej ia ngarkoi ndërgjegjes së kombit tonë të lashtë.
Jemi mirënjohës për vlersimin pozitiv të propozimit tonë, për të dekorue ato viktima të pafajshme dhe për të lehtësue, sado pak, ankthin e familjarëve të tyne. Por me këtë veprim, ju, President Nishani, nderoni edhe vetën tuej, nderoni Institucionin e lartë që përfaqësoni. Përgëzime pra, qofshit gjithmonë i nderuem!
Ju keni dekorue “Vatrën” si organizatë për shërbimet historike që i ka ba kombit, keni dekorue dhe disa nga ne udhëheqësit e sotëm të saj, gja që ia rritë vlerësimin dhe jemi miënjohës, por, çdo meritë që na mund të kemi si individa, u dedikohet paraardhësave, në mënyëtë veçantë të gjithë atyne që dhanë edhe jetën për shqiptarizëm, për
idealet e lirisë, të drejtësisë dhe të demokracisë. Ata na frymëzojnë sot dhe do vazhdojnë të frymëzojnë edhe breznitë e ardhëshme.
*Përshëndetja e Kryetarit të VATRËS, dr. Gjon Bucaj, në ceremoninë e dekorimit të martirëve të VATRËS.
Tiranë, 24 nandor 2014.

Filed Under: Vatra Tagged With: Fjala, Hjon Bucaj, ne ceremoni

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare
  • “The Adriatic Review”: Mehmet Konica dhe Apeli për Presidentin Wilson
  • SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ
  • SEJDI DIDA – INTELEKTUALI QË I DHA HASIT ARSIM, KULTURË DHE IDENTITET
  • Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë
  • Banaliteti i së keqes…
  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT