Nga Visar Zhiti/
“100 ditë” është titulli i përmbledhjes me poezi nga Faruk Buzhala dhe po aq ishin ato, 100, siç duket ai quan ditë atë që ka poezinë e vet…
Po shfletoja librin, më kishte erdhur nga Kosova jonë, e dergonte autori. Secila poezi kishte vetëm 5 vargje dhe menjëherë mendova: ai do të flasë shkurt. Dhe po lexoja… edhe duke iu kthyer ndonjërës… Ky shkruakërka vetëm për ato që ndjen dhe që ka përjetuar me një modesti prekëse…. po vazhdoja leximin…
Sapo isha shkëputur nga një letër e gjatë dhe bezdisëse në fb, plot me këshilla nga një shkrimtar i suksesshëm si reklamat e plazhit dhe të restoranteve dhe kostumeve të banjos, na tregonte se çfarë duhej të shkruaje, ato që kishte qejf vetë, që e lezetonin, nejse nuk ia vlente më shumë, çdo jetë siç ka poezinë e saj, ka dhe kotësitë e veta, pa të cilat s’bën dot.
Ndërkaq unē i lexova të 100 poezitë e Faruk Buzhalës, madje dhe i shkruajta, e falenderoja për librin si lexues, si mik, me të cilin s’isha takuar ndonjëherë, që shpesh janë më të përzemërt e më të mirë se ndoca që edhe mund të ulesh në ndonjë tryezë restoranti – tempulli i tyre.
“ I dashur Faruk Buzhala, – thosha ndër të tjera, – poezitë Tuaja ashtu aq sintetike, gjendje persiatjeje poetike me 5 vargje duke ruajtur një rend dhe një renditje, të japin dhe pershtypjen e së tërës, të një poeme-mozaik, përqasja e një risie.
Struktura uniforme e jashtme e poezive nuk e ka penguar larminë e ndjesive dhe ngjyrimeve të tyre dhe një meditacion sentencial, gjithmonë metaforik e të begatë.
Ky libër më ndërmendi librin me poezi te një poeti japonez, Isikava Takuboku, – i shkruaja, – edhe ai perdor në të gjithë librin 5 vargshin, tankat, siç i quajnë ata. S’e di a e keni hasur këtë autor, është botuar në Tiranê para nja 20 viteve…” me përkthimin e lirikut Skender Rusi dhe timin, por janë dy libra të veçantë, paksa të ndryshëm, megjithëse e punuam bashkë, kur ishim studentë dhe miq të ngushtë. E përkthenim nga rusishta, siç mundnim atëhere dhe vonë na kapi trilli ta botonim ç’kishim hedhur në fletoret tona, secili në një libër më vete.
Dhe në përgjigje z. Faruk Buzhala më shkruante se e kishte atë autor në biblioteken e tij, në Ferizaj, ku dhe banon. U ngazëlleva. Shpesh na duket se s’dinë gjë për librat tanë, por veç për ‘bestseller’-ët e plazhistëve. Por të vazhdojmë me letrën:
“Mua më erdhi mirë që poezia Juaj, – i thosha, – nuk ngjan me të tjerët, as në formë dhe gjuhë dhe është një prurje e freskët siç duhet të jetë poezia…
Me urimet më të mira,
vëllazërisht” – e mbyllja letrën duke venë emrin tim në fund.
Nuk e di ç’do të thoshte ai shkrimtari i suksesshëm i plazheve, ç’këshillë do të jepte, se si do të duhej ta shkruaja letrën, etj, dhe ç’foto të trukuar të vendosja, por pse po zgjatem sot me të, kur s’e di a ekziston vërtet, mbase e shpika, eh, le të kthehemi te poezia jonë.
Mora nga 100 poezitë e Faruk Buzhalës 5 poezi, sa ç’janë dhe vargjet e secilës, pa ndonjë qëllim e kriter a këshillë, natyrshëm siç janë dhe ato, pëlqim i çastit për të ndjerë mbase dhe ju një çast tuajin dhe nëse gjeni diçka nga vetja, aq më mirë…
1
Kënga ime e kyçur në arkë
shurdhmemece dhe syshkoqur
me gërvishtje krijon melodinë
në errësirën ndrydhur nga ajri
frymon me dëshirën për lirinë.
2
Një gropë e pistë u zhyt në mua në fyt më mban shtrënguar
e miqtë me duar futur në te copëza mozaiku nga unë bluajnë dhe me to pastaj më gjuajnë.
92
Ngjyra e fytyrës sate
pa freski jete
e vyshkur
në thatësinë e lëkurës
pa erë, pa ngrohtësi!
90
Imazh i venitjes sate
pavërejtur le gjurmë
në mendime
hapësira është boshe
tej saj zgjatet një hije!
86
Mendimet pollën
një ide
ma barti era
andej shtegut
ku ndalohet hyrja.
Dhe në pasthënie kritiku i njohur Prend Buzhala na thotë në fletën e fundit: “E kjo ndodh pasi poeti u sprovua nëpërmes Këngës së Ndrydhur që në fund vjen si Këngë e Ringjallur.” Kështu e mbyll si me një porosi, si ringjallet poezia që është brenda ditës tonë…