
Prof. Dr. Begzad Baliu/
Prej dekadash ekziston një mendim se studimet onomastike në hapësirën e Kosovës kanë filluar kryesisht në fund të viteve ’60, kur shkenca shqiptare në përgjithësi dhe organizimi institucional në veçanti u çliruan nga strukturat e sigurimit rankoviqist. Faktikisht në këtë mendim ekziston një e vërtetë e artikuluar për shkencën albanologjike, kryesisht nga vitet ’70 e këndej, por nëse e shikojmë gjendjen më thellë, nuk është vështirë të shihet se dija shqiptare për toponiminë e Kosovës, ashtu sikur edhe për çështjen gjuhësore, etnike – materiale e shpirtërore, të hapësirës etnike dhe gjeografike shqiptare ka treguar interesim që në vitet ’30-ta.
Është Profesor Ahmet Gashi, biri i Kosovës, gjeografi, intelektuali, patrioti, arsimtari i Shkollës së Elbasanit dhe shkencëtari i shquar i shkencës shqiptare të kësaj kohe, i cili në hartën e tij të trojeve etnike të viteve ’30 e bëri realitet disa herë hapësirën e Kosovës dhe e rishikoi, e sistemoi dhe saktësoi jo vetëm hapësirën e etnikumit shqiptar po edhe toponiminë, ojkoniminë, oroniminë e hidroniminë e trojeve etnike shqiptare. Kjo është koha kur shfaqen edhe artikujt e parë jo vetëm për të shquar toponiminë historike të Kosovës, po edhe për t’iu kundërvënë shkollës së Jovan Cvijiçit. Po në këto vite kemi artikullin e parë të Profesor Idriz Ajetit për toponiminë në gazetën e Sarajevës Muslimanski svjest (1938).
Pas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë munguar kërkimet në fushë të toponimisë, ndërsa përmasa e studimit të saj mbështetej në dijen e antropogjeografisë, gjuhësisë historike dhe dialektologjisë, një metodë kjo, e cila në studimet shqiptare në Shqipëri, pothuajse vazhdon ta ruajë statusin e njëjtë, ndërsa në Kosovë, u bë dije më vete që në vitet ’70, kur onomastika jo vetëm u bë dije më vete si kërkim gjuhësor po edhe sektor i veçantë brenda institucioneve ku studiohej ajo.
Në këtë rrjedhë do shquar Sektori i Onomastikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Seksioni i Onomastikës në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, institucione këto të cilat realizonin aktivitete shkencore të kësaj natyre në përmasa jugosllave (i pari, përmes konferencës Onomastica jugoslavica) dhe në përmasa kombëtare (i dyti, përmes kërkimesh në teren, realizimit të magjistraturave e doktoratave, konferencave shkencore etj.)
Nuk mbetej prapa as projekti i madh kombëtar i kërkimeve në fushë të onomastikës historike dhe onomastikës së zbatuar, i Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Albanologjik, realizimi i të cilit u bë i mundur përmes temave të magjistraturës dhe doktoratës. Le të kujtojmë këtu temat e magjistraturave dhe doktoratave nga studiuesi: Muharrem Peci, Onomastika e Shalës së Bajgorës (1983); Rexhep Doçi, Antroponimia e Llapushës (Prekorupës), (1983), Onomastika e shqiptarëve të Drenicës (1989) dhe Antroponimia shqiptare e Kosovës,I (1986); Bahtijar Kryeziu, Onomastika e Hashanisë (2000), Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanocit (2006); Begzad Baliu, Onomastika e Gallapit (2003); Ramadan Asllani, Onomastika e Kaçanikut (2004); Maksut Haxhibeqiri, Toponimia e Ulqinit dhe rrethinës, Ulqin, 2001; Skënder Hoxha, Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (I) (1992); Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (II), (studim) (2000); Mustafa Ibrahimi, Mikrotoponimet në vendbanimet shqiptare të Prilepit, Krushevës dhe Velesit (2010); Xhemaludin Idrizi, Mikrotoponimia e Karshiakës së Shkupit (2003); Vebi Rrustemi, Hulumtime onomastike në Dervenin e Shkupit; Izmit Durmishi, Vëzhgime gjuhësore mbi toponiminë e Pollogut të Epërm të Gostivarit (2008) etj.
Vepra e dr. Sejdi Gashit, Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut, i dalë nga shtypi kohë më parë (dhjetor 2020) nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, paraqet një vazhdimësi të këtyre kërkimeve në gjysmëshekullin e fundit, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë, qoftë në Tetovë-Shkup. Kjo vazhdimësi shihet prej projektit fillestar të realizuar si doktoratë (një traditë kjo e studimeve mbi modelin antropogjeografik (dialektologji, onomastikë përshkrim deskriptiv etj.) dhe modelin e botimit (hulumtim në teren, tipologji e mikrotoponimisë, studim etnogjuhësor e dialektor).
Vepra Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut, është strukturuar nga një parathënie, katër kapituj, rezymesë në gjuhën angleze dhe aparatit shkencor. Në parathënien e zgjeruar të këtij libri, autori sjell të dhëna për një traditë modeste të përshkrimit të toponimisë dhe antroponimisë së kësaj ane në gjuhën shqipe dhe për përkushtimin e tij që pas kërkimeve minimale të studiuesve të deritashëm ta marr përsipër një paraqitje sa më të plotë të kësaj lënde të pasur të mikrotoponimisë. Këtë lëndë gjuhësore, sikur e ka theksuar autori e ka mbledhur prej banorëve të tanishëm të kësaj ane duke udhëtuar nga njëri vendbanim në tjetrin dhe në situata të ndryshme: “në biseda të lira, në ndeja dhe festa të ndryshme, në dasma, në ceremoni varrimi; por edhe gjatë bisedave formale me folësit”. Në këtë mënyrë autori ka vjelë rreth 1200 njësi, të cilat, sikur thekson ai, emërtojnë fusha e toka bujqësore, zabele, kodra, brigje, lugje, livadhe e kullota, ara, lumenj, përrenj, troje, bjeshkë e male, kroje, varreza, qafa malesh, por edhe antroponime etj.
I bindur se paraqitjen e tyre sa më të saktë e ndihmon edhe hulumtimi i të folmes dialektore të kësaj anë, një specializim ky i tij në fushë të gjuhësisë, autori ka pasur në konsideratë dhe ka konsultuar edhe fjalorë të ndryshëm dialektorë të cilët që më parë kanë bërë përshkrimin e të folmes së kësaj ane dhe njësitë onomastike i ka regjistruar duke u mbështetur në regjistrat dialektore të këtij krahu të shqipes.
Kapitulli i parë sjellë të dhëna të cilat më parë i kishin përshkruar kryesisht antropogjeografët serbë e shqiptarë, por jo në ato përmasa, të cilat tani autori ynë i ka sheshuar e mbështetur në gjendjen aktuale të saj.
Të dhënat për pozitën gjeografike dhe klimën, përpjekjes për të dhënë një histori gjuhësore, etnografike, kulturore, patronimike të historikut dhe etimologjisë së vetë emrit Istog na e sjellin një pamje të mjaftueshme sociokulturore dhe socioetnografike, për të vazhduar më tej kërkimet në fushë të mikrotoponimisë dhe sidomos antroponimisë. Në këtë kapitull vend të rëndësishëm në kontekstin historiko-gjuhësor zë diskutimi mbi historikun e antikitetit dhe mesjetës së kësaj ane, si dhe diskutimi mbi etimologjinë e emrit Istog, i cili i konsideruar më parë përgjithësisht si oikonim sllav, këtu ubifikohet me patronimin Stoja, përkatësisht Istoja, duke ju referuar disa dokumenteve mesjetare të proveniencës sllave dhe osmane.
Kapitulli i tretë merret me veçoritë gjuhësore të të folmes së Istogut me rrethinë duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek dukuritë fonetike (ndërrimet e tingujve), veçori këto të cilat kanë ndikuar ndjeshëm jo vetëm në stabilizimin e njësisë onomastike të vendit, po edhe në ruajtjen e strukturës gramatikore dhe semantike të mikrotoponimisë shqipe përballë ndikimit të strukturës gjuhësore – administrative serbe, sidomos gjatë shekullit të fundit. Po këtu është përfshirë edhe një pasqyrë e rëndësishme e studimeve të derisotme për Istogun me rrethinë. Kapitujt më të rëndësishëm të këtij vëllimi janë fjalori i toponimisë së Istogut me rrethinë dhe kapitulli i patronimisë së kësaj ane.
Sikur është theksuar në hyrje të këtij vëllimi në regjistrin apo fjalorin e mikrotoponimisë janë regjistruar nga tereni rreth 1200 njësi. Autori i këtij hulumtimi sikur është kujdesur ta respektojë mendimin e Norbert Joklit, që në hulumtimin e tij t’i paraqes jo vetëm vendbanimet, përkatësisht ojkonimet e kësaj zone, po të gjitha gjetjet në teren, sepse duke shënuar vetëm vendbanimet, përkatësisht ojkonimet e regjistruara kryesisht nga administrata mesjetare e kishës në gjuhën sllave, një kohë të gjatë është krijuar edhe bindja se fjala është për vendbanime sllave edhe atë jo vetëm në Istog me rrethinë, po edhe në Kosovë e Shqipërinë Veriore e Jugore.
Në fjalësin toponimik të kësaj vepre autori është përqendruar në diskutimin dhe sjelljen e një pamje sa më të plotë të atyre ojkonimeve të cilat i gjejmë edhe në dokumentet e mëhershme, kryesisht mesjetare. Kjo është edhe arsyeja që ai të merret gjerësisht me vendbanimet, përkatësisht ojkonimet: Cërrcë, Lubozhdë, Vrellë, Studenicë, Kaliqan, Shushicë etj. Pa dashur të merremi me etimologjinë e emrave të vendbanimeve, le të theksohet në këtë rast prania e emrave të tyre në dokumentet shekullore së paku nga mesjeta e këndej, një dëshmi kjo e jetës sedentare të popullatës së tyre shqiptare ndër shekuj.
Duke e respektuar këtë qëndrim polemizues të Norbert Joklit me veprën e Selishqevit për toponiminë dhe popullsinë e Shqipërisë Jugore e Juglindore, autori i kësaj vepre njëkohësisht ka përmbysur edhe një prirje të studiuesve shqiptarë në Kosovë, të cilët prej vitesh në kërkimet e tyre në teren kanë regjistruar kryesisht mikrotoponiminë dhe antroponiminë, e cila shquante që më parë anën gjuhësore apo semantike të hershme shqiptare dhe eventualisht trashëgiminë e krishterë që mund të shfaqte ajo njësi. Gjithashtu, më vjen mirë që këtë prirje, të cilën e kam ndjekur në studimet e mia në vitet ’90 dhe e kisha diskutuar prej shumë vitesh me autorin, studiuesi dr. Sejdi Gashi, e ka marrë dhe realizuar me kujdes e me sukses.
Pavarësisht se këto njësi mikrotoponimike, kryesisht emërtime për fusha e toka bujqësore, zabele, kodra, brigje, lugje, livadhe e kullota, ara, lumenj, përrenj, troje, bjeshkë e male, kroje, varreza, qafa malesh etj., japin mundësi diskutimi mbi strukturën fonetike, morfologjike, dialektore e semantike të shqiptimit dhe artikulimit, ato nuk japin shumë mundësi diskutimi historik e etimologjik, prandaj autori i veprës e ka parë të aryeshme t’i regjistrojë dhe t’i përshkruajë nga aspekti dialektor me shenjat diakritike. Në këtë regjistër mjaft të pasur rëndësi të dorës së parë marrin edhe përshkrimet popullore dhe legjendare të disa njësive mikrotoponimike jashtë vendbanimeve, qofshin ato vendbanime të përkohshme fushore, qendra arkeologjike, zonave etnografike etj.
Kapitulli i fundit sjellë një regjistër patronimesh (f.123), me interes për studiuesit e kësaj fushe të onomastikës. E vërteta, onomastika shqiptare nuk ka bërë shumë studime për antroponiminë dhe patroniminë e kohës së re, ndërsa studimet mjaft të thelluara janë bërë kryesisht për antroponiminë antike (ilire) dhe deri diku për periudhën e mesjetës. Megjithëse dokumentariteti i antroponimisë dhe patronimisë është më i pasur dhe më i dukshëm në pesë shekujt e fundit, studimi mbi këtë korpus sikur është parë i parëndësishëm përballë kërkimeve në hapësirën mesjetare dhe të antikitetit. Regjistri i partonimisë së Istogut me rrethinë jep mundësi studimi, madje jo vetëm për strukturën gramatikore e dialektore të tij, po edhe semantike e krahasuese me periudha dhe kultura komplementare të kohëve më të moçme.
Vepra e dr. Sejdi Gashit, Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut mbyllet me një Resume (f.135) në gjuhën angleze si dhe me një shtojcë që paraqet aparatin shkencor të kërkimit e të parashtrimit të lëndës: Simbolet fonetike, shkurtesat për literaturën e konsultuar, shkurtesa të tjera, shkurtesat e emrave të vendbanimeve etj. Me interes, për vlerësimin dhe diskutimet e më tejme të lëndës në fund kemi edhe literaturën e përzgjedhur.
Dr. Sejdi Gashi, Fjalor i mikrotoponimisë së Istogut, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2020, f. 162.