Një libër me dëshmi historike për Kryengritjen e vitit 1911/
Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë vjen në botim libri “Flamuri në Deçiq” me autor Palok Traboini (Gojçaj). Gjithçka që ka të bëjë me krijimet e Palok Traboinit janë botuar pjesërisht më parë apo kanë mbetur në dorëshkrim dhe i takojnë viteve 1908-1911. Libri përfshin katër kapituj që paraqesin aspekte të ndryshme të krijimtarisë e të jetës së këtij autori që gjithashtu ka qenë një veprimtar i njohur në vitet e pavarësisë si gazetar, mësues e si luftëtar. Ai ka qenë sekretar i Ded Gjo Lulit dhe i ngarkuar prej tij ka sjellë përmes Dalmacisë flamurin e porositur në Vjenë nga Alardo Kastrioti për kryengritësit shqiptarë të Malësisë së Veriut, flamur ky i njohur nga fotografia e Marubit fiksuar me emrin Flamuri i Deçiqit apo ndryshe Flamuri i Ded Gjo Lulit.
Kapitulli i parë përfshin veprimtarinë e Palok Traboinit si një ndër publicistët e parë të pavarësisë me shkrimet në gazetën “Bashkimi” të Dom Ndoc Nikës, duke përshirë artikuj e kryeartikuj. Ndër to ka shkrime si “Lidhësia forcon kombin” në të cilën kërkohet një unitet kombëtar për të patur përparim në mes të kombeve të tjerë të Europës, shkrime mbi ilirët e pellazgët që evokohen qëllimisht për të ngjallur krenarinë si komb i lashtë, për përhapjen e arsimit e të dijes në popull apo edhe për plagën e thellë shoqërore të gjakmarrjes.
Në kapitullin e dytë me dorëshkrime shkollore vijnë të përkthyer nga frëngjishtja disa prej shkrimeve që mbajnë vitin 1908 si ai për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, për Washington-in, Ligurkun si dhe disa ngjarje nga jeta në shkollën e mesme teknike italiane në Shkodër ku ai ka qenë student.
Padyshim interesin më të madh e ka poema “Lufta e maleve” e shkruar në Prizren në vitin 1911, në të cilën ai duke qënë pjesmarrës aktiv në Kryengritjen e Malësisë së Madhe e përshkruan këtë ngjarje të madhe historike me rreth 1700 vargje. Një poemë epiko-historike me ngjarje dhe heronj realë.
Padyshim kjo poemë veç vlerave artistike ka një rëndësi të veçantë se është shkruar nga një njeri që i ka parë ngjarjet me sy dhe ka qënë vetë në të gjitha betejat e zhvilluara. Aty gjen emra personazhesh historikë që nga Ded Gjo Luli, Nik Gjelosh Luli, Kol Ded Gjo Luli, Deli Meta, Mirash Luca, Tom Nika, Ded Preci, Gjelosh Gjoka e të tjerë. Por i thuret hymn edhe trimave që bien e ndër ta Kol Marash Vatës, Gjon Ujk Çekut e trimave të tjerë të rënë për liri.
Moment të veçantë në poemë zë ai kur Ded Gjo Luli u kërkon djemve të shkojnë e të vënë flamurin e Skënderbeut në maj të Bratilës së Deçiqit.
Shkrimet e studiueve Hamit Boriçi, Fran Camaj, Gjovalin Shkurtaj dhe Fatmir Terziu mbi disa tipare tipare të publicistikës dhe analiza të poemes historike të Palok Traboinit përbëjnë kapitullin e tretë të librit “Flamuri ne Deçiq”.
Kapitulli i katërt vijon me dëshmitë e ish-nxënësve dhe bashkkohësve mbi veprimtarinë e mësuesit dhe luftëtarit të dy luftrave kombëtare duke përfshirë dhe luftën e Koplikut 1920, Palok Traboini e në vazhdim kujtimet e të birit Kolec Traboini, i cili, anipse i mbetur jetim që në moshë të vogël, nëpër vite ka arritur të mbledhë plot materiale e fakte mbi jetën e prindit të munguar. Shënimet e birit për Atin mbajnë titullin “Një kërkim që fillon e nuk mbaron kurrë”.
Libri mbyllet me një album fotografik të nxjerra nga Fototeka Marubi ku Palok Traboini shihet bashkë me Ded Gjo Lulin e krerët e Malësisë që në vitin 1908, në mes të një grupi të vogël që Kel Marubi e ka shënuar “Disa luftëtarë të Deçiqit”, një foto tjetër ku Palok Traboini është bashkë me At Gjergj Fishtën, At Anton Arapin, At Benardin Palaj, At Martin Gjokën, At Marin Sirdanin, Simon Rrotën, Kol Gurashin, Kolë Kamsin, Ndue Palucën e të tjerë si trupa mësimore e shkollës së fretënve në vitin 1924.
Dëshmitë që sillen në këtë libër plotësojnë një kuadër të munguar të ngjarjeve historike të Kryengritjes së Malësisë së madhe 1911, por edhe sjellin në vëmendje një figurë atdhetare të lënë në heshtje, publicistin, poetin, mësuesin e parë të Malësisë së Madhe, sekretarin e Ded Gjo Lulit dhe luftëtarin e flamurtarin e Deçiqit – Palok Traboini.(Dielli 28 Nentor 2012)