
Në qytetin e Bostonit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u zhvillua sot ceremonia zyrtare e ngritjes së Flamurit Kombëtar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Aktiviteti u organizua nga Federata Pan-Shqiptare VATRA, dega Boston dhe MAASBESA, të cilat mblodhën dhjetëra shqiptarë, përfaqësues lokalë dhe miq të komunitetit për të nderuar këtë ditë historike.
Flamuri kuqezi u ngrit para godinës së Bashkisë së Bostonit, përkrah flamurit amerikan, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionale për komunitetin shqiptar në qytet.
Pas intonimit të himnit kombëtar shqiptar dhe atij amerikan, u lexua proklamata e Kryetares së Bashkisë së Bostonit, e cila uronte shqiptarët për Ditën e Pavarësisë dhe vlerësonte kontributin e komunitetit në qytet.
Më pas, deklarata zyrtare e Guvernatores së Massachusetts, që njeh 28 Nëntorin si “Ditën e Shqiptarëve në Massachusetts”, u lexua nga z. Faton Limani, anëtar i Këshillit Bashkiak të Arlington.
Në emër të MAASBESA-s foli zv/kryetarja Jorida Qirollari, e cila theksoi se kjo organizatë, prej 20 vitesh, së bashku me komunitetin shqiptar, ka mbajtur traditën e ngritjes së flamurit në Boston, duke organizuar aktivitete shkollore, kulturore dhe festive.
Në vijim, z. Mentor Maksutaj, kryetar i Federatës Pan-Shqiptare VATRA dega Boston, mbajti një fjalë të ngrohtë ku me emocion kujtoi burrështetasit shqiptarë që sakrifikuan për lirinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ai theksoi rolin historik të Vatrës në mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe u bëri thirrje shqiptarëve të mos harrojnë rrënjët dhe të jenë pjesë aktive e organizatave shqiptare në SHBA.
Ceremonia u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe “BESA” nga MAASBESA dhe “ABC” nga “Albanian Boston Comunity Center, ndërsa atmosfera festive u ndez nga vallet e shkollës “Bashkimi Dance” dhe nga këngë të kënduara nga shoqata “Labëria” Boston dhe DJ Ledio që mbylli aktivitetin.
Gjithashtu, si çdo vit tashmë që është kthyer në traditë, nëpër qytetin e Bostonit u zhvillua edhe parada me makina, e organizuar nga Neritan Xherimeja dhe grupi i të rinjve “Çunat e Bostonit”, të cilët, duke valvitur flamurin shqiptar, u mblodhën në sheshin e Bostonit.
E gjithë ngjarja u moderua me profesionalizëm nga studentja e Harvardit, Jonada Shukarasi.