Nga Tahir Kolgjini/
Nxjerre nga “Shejzat”, 4-5, Romë, 1970/
Isha rritun bukur shum sa nji far’ voci, si me thanun,
Për të shkue në shkollë fillore, lakmi rrethit për me i lanun.
Nji ditë vere, dit’ë gjatë, qi prej vape me u tërmekë,
E shoh nanën tue lavrue, fort ngërmue permbi jekë,
Tue iu dhanun urdhën qeve: -Hajt bir, hajt, hallall ju qoftë,
Ç’ju kam dhanun tagji elbi, bar’ e kashtë e qullë të ngrofte!-
Komandonte qe e almise, si ma i miri burrë në dhe,
Për të kryem punë bujksije, si ma i miri bujk ndër ne,
Për ta bamë arën ugarë, qi ish djerrë qe tri vjet,
Për ta mbjellun n’muejt e vjeshtës me parmendë o me çdo mjet.
N’djers’ e n’pluhun ishte mbytun, i kullonte llom nga ftyra,
ishte lodhun, ish postatun, paraqitej ngjyra ngjyra.
-“Ah moj loke i thash’ dhimbshëm, po m’vjen keq se qenke lodhun.
A s’m’i l’shon almiset mue pak në ndihmë për t’u ndodhun?
Mbasi penda n’vendet tona asht për gra nji punë e randë.
Kosë e lavër janë për burra, gurë e baltë, me nxjerrun landë!”
M’u pergjegjë me fjalë bujare:
-“Hajt more bir, m’u bafsh katund,
Nuk don nana me t’helmue; c’asht nder ne, nuk asht gjithkund:
Kur Ti ishe n’djep, i vogël, msyni anmiku vend për vend.
Krejt polemi rroki armet, kush ish burrë, mbarë e me rend,
Edhe gra, nji palë, u lëshuen, si ulkojat e kësaj ane,
Për me bajtujn bukë e nozull, mjete tjera dhe xhebhane,
Për t’i dalun ballë për ballë e grykë me grykë, si ç’ish zakoni,
Për shqiptarët burra trima n’kohe te vjetra e te s’voni,
Që nuk dinë se kah del plumbi, se ç’asht vrasa, se ç’asht mbeta,
Kur luftojnë për nder e sedër, për Atdhe e troje t’veta.
Dhe Yt atë ishte bashkue me kët rragjë luftëtare,
Për të shkue n’ballë të luftës, ku kish krisë lufta batare,
Dhe përpara se të nisej, me nji za me plot urti,
M’u drejtue me kambëngulje, tue m’bamë kët porosi:
-Për kët jetë une ta kam lanun, për at jetë un’ ta kërkofsha,
Rritma djalin si ka hije, -mos ma rrit si pulë ndër kosha!-
Qi t’m’i dale zot Flamurti, si simbol qi na e kanë lanun,
Gjyshat tone, burrat e vjetër, edhe jetën për me e dhanun,
Tue luftue kundër anmikut, kur n’Atdhe ai ta kët prekun,
N’asht se shkrue asht për mue në kët luftë dëshmor me dekun!
Edhe mbet trimnisht si kushi; për mbi Të vegoftë drita,
U kujtoftë me të mira sa t’vazhdojë nata e dita!
* * *
“Pra, lum nana…, m’paç uratën, kambë ku ve, ku ban fërkem,
Un’ si grue e nanë shqiptare -si besnike e burrit tem-,
Qi perpiqet për familje e për rreth e ç’ka përanë,
Qi përpiqet dhe per Fis e për të fismin Komb të tanë,
Tue ngarendun ku t’jetë puna ma e veshtira me mundime,
Tue e bamë egis vetvetën ndër rreziqe të jetesës,
Tue u kredhun pa kursime nëpër pellgje të trishtesës,
Here me magje e pune shpijake, herë me gja e herë me blegë,
Herë me kmesë, herë me latoshe, lis me lis e degë më degë,
Herë me krrabza o me gjylpana, herë me bosht e herë me furkë,
Herë me lamsh e herë me pasma shpat me shpat e sukë me sukë,
Herë me vekë o me pune dorë, tue hakatun pa ia damë,
Herë me pleh e herë me ara, simbas shortit, qi ka ramë,
Diku ngime e diku unët, me bark thate si t’ketë qillue,
Pa u ungjun, pa pushue, qysh se drita t’ketë fillue,
Fushë e megje, bjeshkë e male pa i marrun parasyshë,
Kur nuk kane, me shoke e vllazen tue e dame kacoren dyshe,
Si c’na e la zakon i pari, gjysh mbas gjyshi e brez mbas brezi,
Me i ndihmue njuani tjetrit, qofte Ilia, qofte Elezi,
Sepse ndera e faqja e bardhe per shqiptaret qi kane mend,
Ose dhuna e fatkeqesia, iu vjen bashke vend per vend.”
** ** **
“Pra, lum nana…, Ti me qene se je xcope e trupit tem,
Gjithashtu -dhe dije mire se – i t’em burrit je nji rrem,
Qi ka mbetun si deshmore ne fushe te nderit per Atdhe,
Mall tue lanun, jete tue dhanun, tue bame fli gjithshka per ne,
E qi mue m’porositi per me t’rritun si ka hije,
Për me shkue n’gjurma t’babës, pa u shmangun asnji fije,
Kam m et’mbajtun, kam me t’rritun, tue punue ding e dang,
Kam me t’mbajtun ndezë oxhakun, kam me t’mbajtun shpi e plang,
Për me ruejtun amanetin, qi s’e kalbë as tokë as det,
Qi Yt atë ma kish dorëzue, sa t’kem frymën në kët jetë,
Kur u damë për herë të fundit, tue qamë me lot për faqe,
Kur ishëm tue e përcjellun rreth katundit me bajraqe…”
** ** **
Anishka, moj zemra e nanës, un’ jam nanë e ate për Ty,
Do t’punoj e do te lvirëm, në këtë s’ka tetë e dy,
Ja me pendë e me almise, o me mjete tjera lloje,
Por me thonj do t’i përvishem e me dhambë, simbas nevoje,
Der’ sa Ti, në moshë madhore me shëndet e mirë të rritësh,
Për të zanë vendin e babës n’moshë burrnije kur të ngjitësh,
Për t’kujtue nanë e babë, për t’mendue vlla e motër,
Për të dashtun far’ e fisin për të cmue vend e votër…
Mandej vijnë detyra tjera me flijime si përherë,
Qi të parët i kanë përballun: Komb, Flamur, Liri me nderë!…”
Eugjen Merlika says
Nje poezi e mrekullueshme, e denje per antologjine me te zgjedhur te letersise shqiptare, me vlera te medha per edukimin e rinise me normat e atij morali, i cili ishte ne bazen e marredhenieve familjare, shoqerore e nderbrezore, ne shoqerine shqiptare deri ne fundin e nendorit 1944, nje monument i ndritur, me se i merituar, virtuteve shekullore te gruas shqiptare, shpirtit te saj te flijimit per familjen dinjitetin vetiak, nderin dhe detyren.
Kater vargjet e fundit jane sinteza me e mire e trashegimise ideore te Shqiperise fisnike, fatkeqesisht, te masakruar nga barbaria komuniste. Gjeja me e paket qe mund te behet per te vleresuar kete krijim madheshtor e prekes, duke nderuar Autorin e saj, nje Shqiptar me SH te madhe, eshte qe te vihet ne çdo tekst shkolle qe i kushtohet letersise shqipe e te jepet si detyre qe, pjeserisht, te mesohet permendesh nga nxenesit e shkollave te mesme ne te gjithe hapesiren mbare shqiptare, nje sugjerim per Ministrite e Arsimit ne Shqiperi e Kosove dhe per autoritetet arsimore ne pjesen shqiptare te Maqedonise.
Nje falenderim te madh e te sinqerte, atij qe ka patur idene t’a dergoje per ribotim, mbas botimit ne njeren nga revistat letrare me cilesore te historise sone, te Shejzat, kete perle te rralle te vjersherimit shqip.