


përsiatje –
Visar Zhiti
Ngjajnë planeti dhe foleja?Ndoshta. Po, po… Qiellin e kanë të përbashkët dhe s’ka rëndësi madhësia. Një fole zogsh plot me cicërimagëzimesh është më e madhe për mua se sa një planet, sado i stërmadh qoftë, por i shkretë, pa ujë, pa një gjethe. Një pëndë vlen sa një kometë. Bombave që hedhin avionët luftarakë nga lart, duhet t’u vijë shumë turp nga foletë e zogjve, po mendoj si një fëmijë dhe fjala është pêr ata që hedhin bomba e sidomos për ata që urdhërojnë që t’i hedhin. Nuk kanë turp prej fëmijëve të tyre? A nuk u del fantazma e një fëmije të vrarë nga lufta?Si fëmijë po shikoja kësaj pasditeje foletë në degët e pemëve ende të zhveshura nga dimri. Janë fole jete, po thosha me vete. Pavarësisht historisë, revolucioneve, pakënaqësive pa kuptim apo dhe me kuptim të jetës, djallëzive dhe mënçurive të popujve, urrejtjes gjenerale, luftës që nga tani dhe dikur, këto fole zogjsh që i merr era, metaforikisht janë më të forta se të gjitha dhe e sfidojnë llahtarin planetar. Zogjtë nuk njohin kufij dhe s’u duhen pasaporta, thashë me vete si një fëmijë. As presidentë. Foletë e njeriut, për çudi, qytete apo vende ndodh që për një çast të bëhen gërmadhë me urdhër të një presidenti, që sigurisht është çmendur. Një shtet, që para ca kohe ka qenë vetë i shkatërruar nga një luftë e madhe, që e quajnë patriotike, por që ishte thjeshtë e çmendur, tani shkon t’i bëjë një vendi tjetër po atë hata, me po atë delir dhe çmenduri.Zogjtë nuk çmenden dhe as kuptojnë kryq të thyer apo yll të kuq, madje as emblemat me zogj e shpendë me dy kokë e me tigra e gomerë, etj, gryka e tankut mund t’u duket si zgavër e përshtatêshme për të bërë një fole, sa tmerr që vjellin zjarr!Si fëmijë shikoj foletë lart, po që ngjajnë si zemra të errta a si planete të largët? Krahasime mund të gjenden plot. Po i fotografoja. Puna është të mësojmë nga kujtesa e folesë së zogjve ashtu si foletë e njerëzve. Janë si planete. Janë vetë planete të universit më të bukur dhe më me kuptim, të dashurisë njerëzore dhe kërshërisë së pafund të njeriut. Që dhe një i vetëm është një univers. Mallkim planetar kur ka që guxojnë të shkatërrojnë e të vrasin jetëndhe mjedisin. Ata kurrë nuk do të kenë parë një fole mes degëve nëpër erëra, nuk do të kenë dëgjuar ndonjë zë fëmije të kërkojë një zog për ta marrë ndër duart plot paqe, nuk kujtohen që ata që nisin luftrat, e pësojnë po prej tyre, ja, hitleri u dogj, musolinin e varën, dhe çausheskun e vranë, po stalinin me statujat e tij që u shkulën nga kudo, edhe enverin etj, millosheviçit i pushoi zemra në gjyqin e Hagë, kujtova nga më të fundit, që i njohëm vetë, por edhe putini, ndjekësi i tyre qorr, ka për të humbur një ditë, së shpejti. Tani edhe fëmijët e dinë që në hapësirën pafund plot me yje jemi së bashku në një planet që edhe mund ta shkatërrojmë, jo ne, por të tjerë si ne dhe kundër nesh. Porosinë më të vlefshme për luftën sot na i jep ai fëmija që në zinxhirët e një tanku po derdh ujët e hollë,zhurmëritës si cicërimë zogu. Të mos harrojmë, se fillon te foleja dhe aty mbaron…Visar Zhiti