Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/
Me dekretet 140 dhe 141 te Mëkëmbësisë së Përgjithshme me, 8 prill 1940 u themeluan dy institucione:
2- Instituti i Studimeve Shqiptare.
Disa emerime ne kete Institut jane realizuar me dekret te Ministrit Ernest Koliqi: Aleksandër S. Drenova, poet, Bukuresht; Xhevat Korça, historian, Tiranë; Padër Justin Rota, linguist, letrar, Shkodër, Et’hem Haxhiademi, dramaturg, Tiranë.
Perndryshe me Dekret të Mekëmbësisë së Përgjithshme në Tiranë, anëtarë të Institutit të Studimeve Shqiptare u emëruan:
Italianë: Profesor Antonio Baldacci- gjeograf, etnograf, botanist (Bolonjë); Profesor Matteo Bartoli, linguist, (Torino); Profesor Sergio Bettini, historian arti (Padova); Padre Nilo Borgia historian dhe letrar (Grottaferrata); Padre Fulvio Cordignano, historian dhe gjuhetar (Shkodër); Profesor Francesco Ercole, historian (Romë); Profesor Angelo Leotti ekspert i gjuhes shqipe (Bolonjë); Dr. Nicola Lorusso Atoma, eksperti i studimeve historike (Tiranë); Profesor Genaro Maria Monti, historian (Napoli); Profesor Domenico Mustilli, arkeolog (Napoli); Paolo Emilio Pavolini, filolog (Romë); Profesor Papas Gaetano Petrotta, filolog, letrar (Palermo); Dr. Giuseppe Schiro, filolog (Romë); Profesor Carlo Tagliavini linguist (Padova); Padre Giuseppe Valentini historian dhe letrar (Shkodër).
Personalitetet shqiptare të emëruar ishin:
Dhimiter Berati ekspert i studimeve historike (Korçë); Profesor Eqerem Çabej, gjuhëtar (Tiranë); Padër Gjergj Fishta, poet (Shkodër); Profesor Karl Gurakuqi gjuhëtar dhe letrar (Tiranë); Padër Anton Harapi letrar (Shkodër); Profesor Kolë Kamsi gjuhëtar dhe historian (Tiranë); Dr. Vangjel Koço (Tiranë); Ernest Koliqi, poet dhe letrar (Tiranë); Senator Mustafa Kruja linguist dhe letrar (Tiranë); Profesor Mati Logoreci letrar (Tiranë);Padër Benardin Palaj folklorist; Profesor Ndue Paluca; Dr. Ilo Mitko Qafëzezi, historian (Korçë); Profesor Namik Resuli linguist (Tiranë); Dom Lazër Shantoja poet dhe letrar (Tiranë); Profesor Aleksander Xhuvani linguist dhe letrar (Tiranë); Dr. Eqerem bej Vlora historian dhe gjeograf (Vlorë).
Me të njejtin dekret President i Institutit u emërua Profesor Senator Mustafa Kruja, zevëndës President Profesor Taglaivini.
Këshilli Shkencor i Institutit të Studimeve Shqiptare i “Fondatës Skandërbeg” do të përbëhej nga kryetar Senator Mustafa Kruja, Nënkryetar Prof. Carlo Tagliavini, Këshilltarë: Prof. Eqerem Çabej, Padre Zef Valentini, Dom Lazër Shantoja, Prof. Aleksander Xhuvani.
Pasi Mustafa Kruja u be kryeminister, Kryetari i dytë i Institutit ka qene Prof. Ernest Koliqi.
Si Kryetari ashtu edhe anëtarët e Institutit te Studimeve Shqiptare gëzonin nderimet, titujt, privilegjet dhe dinjitetin e përcaktuem për Ministrat e Shtetit dhe për parlamentarët.
Mbas pushtimit gjerman të Shqipërisë, krijimit të institucioneve
të reja indipendente të shtetit, fillimit të stabilizimit të kuadrit
të ri ligjor,
INSTITUTI I STUDIMEVE SHQIPTARE
TRANSFORMOHET NË
INSTITUTI SHQIPTAR PËR STUDIME DHE ARTE
Instituti i Studimeve Shqiptare i paraqiti Këshillit të Ministrave, veç projektit të modifikimeve në statutin e këtij institucioni, një raport mbi veprimtarinë e plotë të tij deri në fund të vitit 1943, buxhetin vjetor prej 250000 fr. shq. dhe skicë-idenë e kanalizimit të veprimtarisë drejt themelimit në të ardhmen të Akademisë Shqiptare të Shkencave, sikurse ngjashëm kishte dodhur edhe në vendet e tjera ballkanike.
Me kërkesën e Kryeministrit Rexhep Mitrovica, drejtimin dhe
riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare me 25 shkurt të vitit 1944 e mori Patër Anton Harapi, në një mbledhje solemne të zhvilluar në Institut, ku morën pjesë e gjithë trupa e Këshillit të Shtetit, Misat e qeverisë, anëtarët e institutit, Aleksander Xhuvani, Ekrem Vlora, Anton Paluca, Xhevat Korça, Dhimiter Beratti, Don Lazer Shantoja, Karl Gurakuqi, Odise Paskali, Lasgush Poradeci dhe gjithë punonjësit e institucionit.
Të nesërmen me 26 shkurt 1944, në Zyrën e Këshillit të Naltë, At Anton Harapi, në cilësinë e tij si patron dhe drejtues i institutit, mblodhi anëtarët e caktuar për modifikimin juridik dhe përshtatjen me rrethanat e reja politike, të Misionit dhe Statutit të Institutit
të Studimeve Shqiptare, që u caktuan në mbledhjen e një ditë ma parë. Ky grup punues përbëhej nga Profesor Aleksandër Xhuvani, Profesor Karl Gurakuqi, Dr. Xhevat Korça dhe Prof. Odise Paskali. Në këtë mbledhje para së gjithash u vendos të transformohej emri i institucionit që nga kjo ditë e mbrapa do të thirrej, Instituti Shqiptar për Studime dhe Arte. Po ashtu u vendos që privilegjet që deri në atë kohë gëzonin të huajt, nënkuptoheshin studiuesit
italianë të lidhur me qeverinë e Romës e kohës së Musolinit zot i plotfuqishëm i vendit dikur, të abrogoheshin. Të huejt e çdo kombësije mund të merreshin si anëtarë të jashtëzakonshëm të institutit, por ata duhej të ishin përsonalitete të shquara për merita të posaçme në fushën e studimeve albanologjike. Anëtarët
e deriatëhershëm shqiptarë të Institutit rikonfirmoheshin. Anëtarët e rinj propozoheshin prej Institutit, ndërsa emërimi i tyre dekretohej vetëm prej Këshillit të Naltë të Shtetit (Regjenca). Anëtarët e brendëshëm nuk do të ishin ma shumë se 40 vjeç. Në statutin e ri, fjalët “Këshilli i Ministrave”, “Mëkambësija”,
“Ministrija” zëvëndësoheshin me fjalët “Këshilli Naltë”, mbasi Instituti me statutin e ri varej tanimë drejtpërdrejtë prej Kreut Kolektiv të Shtetit.
Me 23 prill 1944, ditën e Shën Gjergjit, u zhvillua ceremonia e riorganizimit të Institutit në Mbledhjen e Përgjithshme të Misave të tij, nën drejtimin e Kryetarit Padër Anton Harapi dhe me praninë e Kryetarit të Regjencës Mehdi Frashëri. Me ketë rast u komunikua ligja e re, që urdhnonte organizimin dhe aprovimin e Institutit në format të ri, emnimi i kryetarit dhe u pranuan Misat e rinj. Sipas strukturës së re Kryetar Nderi u caktua Shkelqesa At Anton Harapi, zv, Kryetar Dr. Odhise Paskali. N/Kryetarë: Prof. Aleksander Xhuvani për Degën e Letërsisë, Dr. Odhise Paskali për Degën e Arteve dhe Dr. Hasan Dosti për Degën e Shkencave. Misat e rinj ishin: Fan. S. Noli, Mit’hat Frashëri, Ali Asllani, Kristo Floqi, Ekrem Çabej, Krist Maloki, Dom Ndoc Nikaj, At Pashk Bardhi, Spiro Konda dhe Vasfi Samini. Misat e vjetër u riemëruan. Kryetari i Institutit, në fund të mbledhjes analizuese dhe riprogramuese të institucionit, emnoi edhe Misat Korrespondentë: Rexhep Krasniqi, Koço Tasi, Hamdi Sulçebe, Vangjel Meksi, At Marin Sirdani, Kostaq Cipo, Hamdi Karazi, Jakov Milaj, Dom Ndre Zadeja, Osman Myderrizi, Dhimiter Pasko, Hamdi Kokalari, Ilia Mitrush Panariti, Don Nikoll Gazulli dhe Bashkëpunëtorët e Jashtëm sipas drejtimeve.
Rreth Institutit të Studimeve Shqiptare/Institutit Shqiptar per Studime dhe Arte në Tiranë, qe eshte Akademia e Dyte Shqiptare e Shkencave, mbas Komisise Letrare ne Shkoder, u mblodh e gjithë elita intelektuale e letrave shqipe. Në qoftë se vihet re me kujdes, pjesa më e madhe e kësaj elite, ose do të eliminohet nga skena pas 4 vjetësh, ose do të detyrohet të largohet nga vendi dhe veç shumë pak nga ata, mundën të mbijetonin në vetminë e tyre intelektuale brenda territorit të shtetit shqiptar pas ardhjes së komunistëve në pushtet.
Zhvillimet e pas vitit 1944 në Shqipëri do t’i vendosin punët e vyera në fondin e dorëshkrimeve të shkruara nga autorë të ndaluar për 50 vite me radhë. Me kalimin e kohës, një pjesë e rëndësishme e
tyre humbën. Shumë vepra nuk gjenden as në fondet e Akademisë dhe as në ato të AQSH.
Ndërkohë që Shqipëria e pas vitit 1990 ende nuk ka ndërmarrë një nismë për t’i rinxjerrë në dritë përmes një investigimi zyrtar te programuar shteterisht, ose për t’i inventarizuar ata që ende ruhen ndër arkivat e lartpëmendur, ose për t’i përfshirë vëllimet e gjetura tanimë, në fondin e edukimit të brezit të ri të Shqipërisë.