-Katër komunat veriore të Kosovës -Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviçi e Zubin Potoku banohen me shumicë nga komuniteti serb/
PRISHTINË, 22 korrik 2016-B.Jashari/Bordi Menaxhues i Fondit Zhvillimor gjatë takimit të sotëm të mbajtur në Prishtinë ka ndarë 700,000 euro për dy projekte në pjesën veriore të Kosovës.Zyra e BE në Kosovë në njoftimin e dërguar thekson se, mbi 400,000 euro janë ndarë për zhvillimin ekonomik lokal në Komunën e Zubin Potokut, përfshirë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mbështetjen në bujqësi dhe vet-punësimin.Bordi ndau gati 300,000 euro për Komunën e Zveçanit për ndërtimin e rrjetit komunal të ujit dhe ujërave të zeza, rrjetit të energjisë elektrike dhe infrastrukturës rrugore për 10 shtëpi banimi të rasteve sociale të financuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe për 20 shtëpi për të zhvendosurit të financuara nga Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Bordi u pajtua gjithashtu me planin e sugjeruar të auditimit të veprimtarisë së Fondit që të bëhet nga ana e Auditorit të Përgjithshëm. Kjo do të fillojë në vjeshtë të këtij viti.
Fondi Zhvillimor gjeneron të hyra nga taksat e mbledhura në vendkalimet kufitare Jarinje/Rudnicë dhe Tabavije/Bërnjak (vendkalime veriore Kosovë-Serbi). Të hyrat e mbledhura deri më tani arrijnë në 10 milionë euro dhe përdoren për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të komunave veriore të Kosovës. Deri më tash, mbi 7 milionë euro janë dhënë nga Fondi Zhvillimor për katër komunat veriore të Kosovës. Funksionimi i Fondit vendoset nga Bordi Menaxhues i përbërë nga Samuel Zhbogar, Kryesues i Bordit në cilësinë e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti në emër të autoriteteve kosovare dhe Danijella Zubac në emër të komunitetit serb.Katër komunat veriore të Kosovës -Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviçi e Zubin Potoku banohen me shumicë nga komuniteti serb.