
Prof. Afrim Krasniqi/
Ne ende nuk e njohim, nuk e respektojmë dhe nuk arrijmë ta kuptojmë forcën e tyre morale. Akuza politike si “revizionist“, hetuesi e ashpër, tortura, fillimisht denim me vdekje, më pas 17 vjet burgim politik ndjekur nga internimi, shkatërrim të familjes dhe një jetë intelektuale dhe qytetare e dënuar me urdhër politik. Gjyqtari ka emër (Koçi), hetuesi ka emër (Porodini / Josifi), prokurori ka emër (Konomi), dëshmitarët fiktivë kanë emra. 17 vjet. Vaskë Orgocka (Vasillaq Orgocka) është një simbol, pasuri dhe vlerë e gjallë e një kohë dhe historie dramatike që shoqëria shqiptare ka kaluar. Dëshmia e tij në “Histori me Zhurmues” dhe dokumentarin mbi historinë e martesave me shtetaset e huaja, – janë dëshmi nga më të jashtëzakonshëm.
Në auditorin e Universitetit në Korçë kisha rastin dje të bisedoja me të, ta ridëgjoja historinë e tij dhe mesazhin që ai ka për brezat e sotëm. Asnjë shenjë hakmarrje, dëshirë për drejtësi, memorie, kujtesë, reflektim shoqëror. Këshilla të çmuara për të rinjtë, dijen dhe vlerat e të drejtave të njeriut. Çfarë force, çfarë kulture, çfarë integriteti!
Bashkë me të dëgjuam edhe histori të tjera nga Shqipëria e Spaçit, – si ajo me 15 vjet burgim politik për shkak se tentoi arratisjen. Hyri djalë adoleshent dhe doli prej andej burrë i pjekur. Humbi rininë dhe jetën më aktive. Edhe ai asnjë fjalë hakmarrje, por këshilla dhe mendime të jashtëzakonshme.
Vetëm njerëz me vlera të larta morale mund ta kenë një forcë të tillë. Ata ishin dhe janë. Ne, ende jo. As publiku, as media, as institucionet dhe natyrisht as politika. Sa pak i njohim, sa pak i dëgjojmë, sa shumë dhimbje e amoralitet mbart e kaluara, sa mite fiktive kemi ushqyer e sponsorizuar nga ata që ideuan e drejtuan një regjim kriminal, dhe sa të vërteta të mëdha kemi fshehur e refuzojmë të njohim për ata që ishin viktima politike të atij regjimi. Ata që e dënuan nuk kërkuan kurrë ndjesë, madje vijojnë të nderohen edhe sot (fotoja e njërit prej tyre është në odeonin e nderit të Pallatit të ri të Drejtësisë), ata që ishin viktima të pafajshme, vijojnë të ndjejnë mungesë vëmendje dhe respekti.
Kur kupton se më të mirët i burgosëm dhe ua morëm rininë, është më e lehtë për të kuptuar se jemi të vonuar në histori, ku gabuam, përse jemi ende në këtë gjendje krize vlerash dhe përse e ardhmja mund të ndërtohet vetëm nëse gjen forcë, kurajë, aftësi dhe maturi për tu ndarë me drejtësi e moralitet me të kaluarën.
Me fat që të kemi ty dhe mendjen tënde të kthjellët e brilante Vaskë!