
Paulin Zefi/
Duke u mbështetur kryesisht në analizën etimologjike të toponimit “Fregna” dhe ngjashmërinë me emrin e qytezës antike “Fégenæ (sot Maccarese)” afër qytetit të Romës, por edhe afërsisë me “Kastrën e Vigut (Vicus)”, Dom Gaspër Gurakuqi e identifikon fshatin Fregen ose Fregna si koloni romake (1). Megjithatë, në kuadrin e studimeve mbi Perandorinë Romake, një përfundim i tillë nuk mund të konsiderohet i qëndrueshëm vetëm mbi bazë gjuhësore. Përcaktimi i një vendbanimi si koloni romake kërkon evidencë të plotë arkeologjike dhe burimore. Në mungesë të këtyre të dhënave, ky interpretim duhet trajtuar si hipotezë dhe jo si fakt i mirëfilltë historik. Vetë ekzistenca e Kështjellës së Komlikut, e vendosur në jug të Fregnës dhe në kufi me territorin që ndan me fshatin Ungrej, e rrëzon një supozim të tillë. Ndërsa, fshati Ungrej përfaqëson një ndër vendbanimet më të lashta në vendin tonë, çka dëshmohet nga prania e madhe e tumave ilire në pjesë të ndryshme të vendbanimit, gjetjet arkeologjike për të cilat ka dëshmuar albanologu hungarez, Franz Baron Nopcsa von Felső-Szilvás (2) dhe ekzistenca e gjurmëve të dy fortifikimeve, të njohura nga banorët vendas si “Kalaja e Komlikthit ose Komlikut”, e cila është objekt i këtij studimi, si edhe “Kalaja e Gjokës (3).
“Fortifikimi ose Kështjella e Komlikut ndodhet në majën me të njëjtin emër, me lartësi 658 m mbi nivelin e detit, në jug të fshatit Fregen, në krahun e djathtë të rrjedhës së përroit të Ungrejit, në të majtë të përroit të Melsës dhe pranë rrugës së hershme: Lezhë-Kallmet-Kreshtë-Ungrej-Fusha e Papërdhokut (Kalor) – Qafë Vorrez – Qafë e Valmorit – Shpal – Orosh – Lugina e Fanit të Vogël – Kukës – Prizren. Vendi ku është ndërtuar i jep fortifikimit një mbrojtje natyrore të sigurtë, çka e bën të pamundur pushtimin e tij nga forcat armike (4). Të dhënat e para për këtë fortifikim i kemi nga studiuesi, etnologu dhe folkloristi, Dom Prend Suli, në studimin e tij me titull, “Toponomastika e katundit Ungrej”, të botuar në Revistën “Leka”, në Shkodër, në vitin 1932 (5). Dom Prend Suli, i cili e ka vizituar këtë sit arkeologjik, i shoqëruar nga banorët vendas, shkruan: “Thonë se kjo Maje ishte kênë kalá dhe e difton me të vërtetë se ká kênë, vetë unë e kam pá: e para punë, kjo maje ndollet e nêltë, e dyta, rreth e më rreth âsht e rrethueme me mure të vjetra; donë me thânë se kjo kalá ká pasë bâ luftë me kalá Gjytetin (Kastri, n’at anë Domet – Sherqel, e bashkohet me Giadrin), qi gjindet ndërmjet Vigut e Kullagjive (Kashnjet); … (6).
” Me pak fjalë, kjo do të thotë se trupat ilire (piruste) të garnizonit të Komlikut kanë luftuar kundër forcave pushtuese romake të inkuadruara për mbrojtjen e kështjellës fushore të Vigut, e cila kontrollonte rrugën antike “Via Lissus-Naissus”! Me qëllim për të saktësuar më tej të dhënat e Dom Prend Sulit mbi gjendjen fizike të strukturave murale që i kanë mbijetuar kohës, në vitet 1988-1990, Muzeu Historik i Lezhës organizoi në Majën e Komlikut dy ekspedita arkeologjike, që u zhvilluan nën drejtimin e arkeologut të Muzeut, Z.Ndue Përleka. Gjatë gërmimeve u përcaktuan konturet e plota të mureve rrethuese, të ndërtuara me gurë të lidhur me llaç, me një teknikë ndërtimi mjaft solide dhe përgjatë tyre u zbuluan dy porta të përforcuara me kulla mbrojtëse (7).
Për ndërtimin e mureve është shfrytëzuar me mjeshtëri terreni, pasi maja e Komlikut ka me shumicë gurë, blloqe dhe në jug një kreshtë shkëmbore masive (
. Muret përputhen plotësisht me vijën e izoipseve, duke e rrethuar majën e Komlikut në pika të ndryshme sipas izoipsit (9). Ato janë bërë me themele në pjesët ku mungonte bazamenti solid dhe në veçanti përgjatë anës lindore. Kështjella e Komlikut është e përafërt me madhësinë e asaj të Kastrit në Vig (10) dhe ka një planimetri në formë katërkëndëshi të çrregullt (11). Në krahasim me fortifikimet prehistorike të Gajtanit dhe Zejmenit, Komliku dallon për përdorimin e relievit natyror dhe për planimetrinë e tij të veçantë.
Nga shënimet e historianit Loro Gjeçi, të cilat mbështeten mbi raportin e gërmimeve që janë zhvilluar në këtë kështjellë në vitet 1988-1990, ku paraqet një përmbledhje shumë sintetike, mësojmë se: “Objektet arkeologjike që u zbuluen mbrenda dhe jashtë mureve rrethuese të kësaj kalaje i përkasin periudhës iliro-arbnore që fillon nga epokat e bronxit dhe të hekurit dhe vazhdon në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme. Materiali arkeologjik i përftuem âsht i paster pa ndikime helene, romake apo bizantine. Objektet e zbulueme janë deshmi e zhvillimit të pandërpremë të jetës dhe banimit në këto troje të hershme (12).” Sipas planit të rilevimit që ka bërë studiuesi vendas dhe ushtaraku i lartë, Jak Nikolli (Lala), në vitin 2013, Fortifikimi i Komlikut paraqitet me një planimetri në formë katërkëndëshi të çrregullt, me përmasa rreth 60 m gjatësi x 50 m gjerësi, me orientim veri-jug (13). Sipas tij, ka qenë i përforcuar me 10 kulla mbrojtëse: 2 që mbronin portën lindore dhe 2 në atë perëndimore, 4 kulla në formë vezake të vendosura nëpër kënde dhe nga 1 kullë midis këndeve, të vendosura njëra në murin verior e tjetra në atë jugor (14).
Po ashtu, në anën lindore, në një distancë që varion midis 15 – 20 m larg mureve të kështjellës, ky autor ka identifikuar edhe gjurmët e një muri të jashtëm mbrojtës, të ndërtuar me gurë të madhësive të ndryshme me lidhje horizontale e vertikale, 1 – 1.5 m lartësi dhe 60 – 80 cm gjerësi (15). Muri në fjalë, sipas J.Nikollit, mendohet se ka shërbyer si mbrojtje e afërt e kështjellës, aty ku përplasej vala e parë e agresorëve (16). Ndërsa nga rilevimi i arkeologut, Saimir Shpuza, pas një vëzhgimi të imtësishëm dhe matjeve të kryera në këtë sit arkeologjik më 21 mars 2022, rezulton se: Fortifikimi i Komlikut ka formë drejtkëndëshe të parregullt, me përmasa 53 × 40 m brenda mureve, duke mbuluar një sipërfaqe prej 0.2 ha në majë të kodrës (17).
Muri perëndimor është i ruajtur mirë dhe përfshin një portë të thjeshtë, 1.80 m e gjerë, ku muret përreth janë ndërtuar me gurë pak më të mëdhenj se pjesa tjetër e strukturës (18). Trashësia e murit pranë portës perëndimore është 1.40 m. Po ashtu, në segmentin jugor të murit perëndimor është identifikuar një kullë gjysmërrethore, me përmasa maksimale 3.80 × 2.70 m, pjesë integrale e strukturës mbrojtëse origjinale (19). Pjesa veriore e mureve mbrojtës shtrihet me një rresht gurësh dhe është integruar pjesërisht me shkëmbin natyror. Muri jugor ruan një lartësi maksimale 0.70 m dhe është ndërtuar me gurë më të vegjël. Prania e llaçit të vërejtur në një pjesë të vogël të këtij muri sugjeron përdorim sporadik të vendit në periudha të mëvonshme, gjatë Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës (20).
Pjesa tjetër e mureve mbrojtës është e ruajtur dobët dhe vetëm një segment i murit verior ka mbijetuar deri në ditët e sotme, ndërsa linja e murit lindor mbetet hipotetike. Duke u mbështetur mbi strukturat murale që kanë ardhur deri në ditët e sotme, supozohet se në anën e brendshme muret kanë patur një lartësi 1.5 – 2 m dhe në anën e jashtme lartësia rritej e shkonte 3.5 – 4 m (21). Brenda hapësirës shkëmbore të fortifikimit janë identifikuar gjurmë shfrytëzimi të gurëve, që dëshmojnë nxjerrjen in situ të materialit ndërtimor (22). Disa fragmente muresh gjurmohen në sipërfaqe në pjesën jugore të zonës së rrethuar, mbi një tarracë më të ulët pranë mureve mbrojtës, e cila përbën të vetmen pjesë të sitit ku janë ruajtur shtresa depozitimi. Në afërsi të kështjellës së Komlikut është edhe nekropoli i vendbanimit, i cili, me materialim e tij arkeologjik mund të na ofrojë informacion të mjaftueshëm mbi Antikitetin dhe Mesjetën e Hershme të Komlikut dhe zonës përreth tij.
Duke u mbështetur në pozicionin dominues mbi të cilin është ndërtuar mund të thuhet se Fortifikimi ilir i Komlikut ka pasur një rol të rëndësishëm strategjik dhe mbrojtës gjatë historisë, veçanërisht në periudhën e Antikitetit. Krahas funksionit primar si një pikë strategjike mbrojtjeje, pirustët duhet ta kenë përdorur atë edhe si pikë vëzhgimi dhe sinjalizimi, bazë ushtarake për forcat e armatosura ilire, vendstrehim për banorët e zonës në rast lufte, por edhe si qendër administrative lokake, ku merreshin vendimet dhe mbikëqyrej aktiviteti ekonomik dhe shoqëror i të gjithë zonës përreth Komlikut. Fortifikimi i Komlikut në Ungrej përfaqëson një shembull të spikatur të arkitekturës ushtarake ilire, i cili ka ruajtur karakteristikat e tij të veçanta deri në ditët e sotme. Mendohet se ky fortifikim, i cili është ndërtuar sipër trojeve të vjetra të fshatit Ungrej, “Kodrës së Katundit (23)”, është i njëkohshëm me atë të Kastrit në fshatin e Vigut, ndoshta edhe më i hershëm (24).
Mirëpo, Kështjella e Kastrit është ndërtuar në vitet 312-320 (25). Kurse, disa prej objekteve arkeologjike të zbuluara brenda dhe jashtë Fortifikimit së Komlikut, të cilët i përkasin Epokës së Bronzit (26), dëshmojnë se kjo qytezë e fortifikuar ka një vertikale shumë më të thellë historike. Nga disa studiues mosha e kësaj kështjelle të hershme iliro-arbërore vlerësohet 3.000-3.500 vjeçare, çka e bën atë rreth 500-1.000 vite më të vjetër se Këshjella Lissitan (Lezha e sotme) dhe 1.300-1.800 vjet më të vjetër se ajo e Kastrit, në Vig (27). Mirëpo, tipologjia ndërtimore e segmentit të mureve që gjenden përreth portës në anën perëndimore, sugjeron një datim në shek. V p.k. Ndërsa, arkeologu S.Shpuza, duke u mbështetur në tërësinë e të dhënave të evidentuara in situ është i mendimit se Fortifikimi i Komlikut mund të datohet, ndoshta, në shek. IV p.k. (28).
Për rrjedhojë, mënyra e vetme për të arritur në një definicion përfundimtar me karakter shkencor mbetet ndërmarrja e gërmimeve arkeologjike sistematike, rezultatet e të cilave do të mundësonin përcaktimin e saktë të moshës dhe kronologjisë së këtij fortifikimi. Pozicioni strategjik, teknikat e ndërtimit dhe funksionet e shumta të Fortifikimit të Komlikut e bëjnë atë një objekt studimi të rëndësishëm për historinë e mbrojtjes dhe organizimit social në rajonin e Veriut të Shqipërisë. Kërkohet intensifikim i kërkimeve arkeologjike dhe konservimi i strukturave ekzistuese për të thelluar njohuritë mbi këtë sit dhe shpallja e tij Monument Kulture me qëllim për ta integruar atë në rrjetin e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare.
BIBLIOGRAFIA:
1) G.Gurakuqi, Fiset e Veriut dhe dioqezat, f. 184.
2) F.B.Nopcsa, Archäologisches ans Nordalbanien, në: Wissenschäftliche Mitteilungen aus Bosnien und der Hercegovina, XI, Bosnisch-Herzegowinisches Landesmuseum in Sarajevo, Wien: Adolf Holzhausen, 1909, f. 83-84.
3) P.Suli, Toponomastika e katundit Ungrej, në: Revista “Leka”, Vjeti IV, Nr. 12, Shkodër: 1932, f. 386-388.
4) L.Gjeçi, Shtatë brez, nji flamur, nji bajrak (shënime historike), f. 74-75; M.Uci, Lezha: tempulli i historisë kombëtare, f. 51.
5) P.Suli, Toponomastika e katundit Ungrej, në: Revista “Leka”, Vjeti IV, Nr. 12, Shkodër: 1932, f. 386-388.
6) Ibidem, f. 388, Shënimi Nr. 1.
7) L.Gjeçi, Shtatë brez, nji flamur, nji bajrak (shënime historike), f. 74.
8)J.Nikolli (Lala), Ungrej: Vështrim historiko-gjeografik, f. 32.
9) M.N.Kola, Për vendlindjen time – Ungrej, f. 37.
10) L.Gjeçi, Shtatë brez, nji flamur, nji bajrak (shënime historike), f. 74.
11) J.Nikolli (Lala), Ungrej: Vështrim historiko-gjeografik, f. 33.
12) L.Gjeçi, Shtatë brez, nji flamur, nji bajrak (shënime historike), f. 75.
13) J.Nikolli (Lala), Ungrej: Vështrim historiko-gjeografik, f. 33.
14) Ibidem, f. 33-34.
15) Ibidem, f. 34.
16) Ibidem, f. 34.
17) S.Shpuza, Pre Roman Settlements and Communities in the Hinterland of Lissos, në: Novensia 34, January 2024, f. 40.
18) Ibidem, f. 40.
19) Ibidem, f. 40.
20) Ibidem, f. 40-46.
21) J.Nikolli (Lala), Ungrej: Vështrim historiko-gjeografik, f. 33.
22) S.Shpuza, Pre Roman Settlements and Communities in the Hinterland of Lissos, në: Novensia 34, January 2024, f. 40.
23) J.Nikolli (Lala), Ungrej: Vështrim historiko-gjeografik, f. 26.
24) L.Gjeçi, Shtatë brez, nji flamur, nji bajrak (shënime historike), f. 74.
25) A.Baçe, Kështjella e Vigut, arkitektura, rikonstruksioni dhe restaurimi i saj, në: Monumentet, 14, Tiranë: 1977, f. 75-95; Shih edhe H.Sokoli, Gjurmime arkeologjike në rajonin e Shkodrës, në: Gegnia, Nr. 4, Vjeti II i botimit, Shkodër: 2017, f. 56.
26) L.Gjeçi, Shtatë brez, nji flamur, nji bajrak (shënime historike), f. 75.
27) J.Nikolli (Lala), Ungrej: Vështrim historiko-gjeografik, f. 26.
28) S.Shpuza, Pre Roman Settlements and Communities in the Hinterland of Lissos, në: Novensia 34, January 2024, f. 45.