Nga Albert HABAZAJ/*
1. Parafjalë. Qerim Vrioni, studiues i fotografisë dhe fotograf, është i krahasueshëm me veten, së paku në dy rrafshe: në aftësinë profesionale dhe në thjeshtësinë qytetare. Pa u futur në dhomëzat e 100 artikujve analitikë dhe studimorë mbi fotografinë shqiptare dhe të huaj, nga një vështrim i përshkrimit bibliografik të titujve libra të autorit në Bibliotekën Kombëtare, spikasin dy tituj: “Fjalor i fotografisë: terma, gjini, rryma e drejtime artistike, botime, revista e gazeta, konkurse, çmime, procese teknologjike, aparatura e pajisje”, i pari i llojit në gjuhën shqipe e përfshin një punë heroike të autorit, që do ta quaja Fjalor Enciklopedik të Fotografisë; si dhe studimin monografik “Pikëllim në një foto të vjetër”, ku trajtohet sidomos fotografi shkodran Kolë Maca dhe fotoja e tij “Gjon Pali dhe e bija”. Vërejmë se botimet e këtij autori janë pajisur me aparat bibliografik, indekse e kronologji, si dhe abstrakt në gjuhën angleze. Redaktorë apo konsulentë (këshillues) ka personalitete të shquar të kulturës, artit, gjuhësisë dhe letësisë shqipe si prof.dr. Agron Duro, Viktor Gjika, Ferid Hudhri, Pandeli Koçi, Suzana Varvarica Kuka, dr. Zef Paci etj. Për këtë standard të lartë studimtarie dhe botimi, ndjejmë nderim për autorin dhe mendojmë se, çdokush e kupton që kemi të bëjmë jo me libra – libra, por me punime shkencore.
2. Kush na e fali Kolë Macën, që nuk kemi njohur? Emrin e Kolë Macës nuk e kishim ndeshur deri para pak vitesh, kur na shfaqet në shkrimet e Qerim Vrionit dhe, para një viti, shpaloset me profilin e duhur në studimin monografik “Pikëllim në një foto të vjetër” të këtij autori. Sipas Vrionit, Kolë Maca diku haset me emrin Niccolo Maca, it., e diku tjetër edhe Kolec Maca. Ndërkohë në Shkollën Shkodrane të Fotografisë, emri i Macës paska pasur peshë specifike. Fatkeqësisht emri i tij nuk është përmendur jo vetëm para viteve ’90, por as pas rrëzimit të diktaturës. 20 vjet heshtje. 20 vjet indiferencë. Nga frika e shkëlqimit të emrit të Macës?! Nga xhelozia e vogël?! Nga paaftësia liliputeske apo nga ligësia e veremtë? Qe pikërisht viti 2013, kur studiuesi i sotëm i zhvillimit të fotografisë shqiptare dhe punëtori i mirë i fjalës së shkruar shqipe Qerim Vrioni ndriçoi qartësisht figurën e Kolë Macës dhe kolegut të tij shkodran Gjon Rrota (Shkodër, 1893-Vlorë, 1931). Është një shkrim me titull: “Dy fotografë shkodranë në Vlorë: Në Vlorë fotografët e parë shqiptarë ishin shkodranët Kol Maca dhe Gjon Rrota”, ku Vrioni na njeh me veprën e dy shkodranëve, sidomos me kontributin e tyre në Vlorë në vitet 1915-1920 e në vijim. Aty mësojmë se Kolë Maca ka filluar ndihmesën e tij të rëndësishme në vitet 1907-1908, kurse në qytetin bregdetar të Vlorës firma e tij shkëlqen pikërisht në vitin 1915 me atelien fotografike (Foto Studion) që çeli; ndërsa Gjon Rrota, vëllai i piktorit shkodran Simon Rrota, spikat në vitin 1919. Me librin studimor “Pikëllim në një foto të vjetër”, autori na e bën më të lehtë leximin e tekstit, shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të bukur, sipas shqipes standarde, sikur të ishte një mësues i devotshëm i gjuhës shqipe, ku shpërfaq një kulturë të gjerë e të thellë jo vetëm në fushën që rrok studimtaria e tij, por dhe me shkencat e tjera, me të cilat ka lidhje fotografia dhe na paraqet saktë e me korrektesë çfarë ka synim të na japë nga dija dhe njohja e tij. Mendojmë se tek Qerim Vrioni, fotot sipas subjektit, me llojin e paraqitjes në formë historike, kanë gjetur të zotin, mjeshtrin e duhur, që me vërtetësi dhe dashuri na shërben me informacionin e nevojshëm, për të cilin duhet t’i jemi mirënjohës autorit dhe krenarë me figurat e shquara të fushës, që i ngrenë lart ballin jo vetëm Shkodrës, Korçës e Vlorës, por mbarë Shqipërisë në rajon e ndërkombëtarisht me syrin e tyre të artë nëpërmjet shkrepjes së aparatit fotografik.
3. Kolë Maca i Qerim Vrionit. Një gjë është fort e qartë, që falë këmbënguljes studimore të autorit Qerim Vrioni, shqiptarët njohën Kolë Macën (1882-1945), një Kolë Macë që zë vend nderi në Historinë e Fotografisë shqiptare. Kolë Maca, prurë nga Qerim Vrioni, nuk i përket vetëm Shkodrës. Q. Vrioni është “gjerman” në disiplinën e punës së tij gjurmuese për hulumtimin gati deri në shterim të objektit tematik që ka përpara qenies së tij në laboratorin profesional e kërkimor-shkencor. Libri “Pikëllim në një foto të vjetër” shërben si burim referencial dhe kërkon respekt për profesionistët e fushës së dhomës së errët, që të ngelen në kujtesën pamore të ngurtësuara aq ngrohtë.
Në libër kemi shumë informacion e analizë, sidomos analizë të përpiktë, të krahasueshme dhe të klasifikuar. Përsiatjet e Q. Vrionit për biografinë e fotografit shkodran fokusohen mbi një foto simbol, kryefoton e Kolë Macës “Gjon Pali dhe e bija”, ku autori shpërfaq kulturën e tij njohëse dhe përshkruese, të menduarit thellë, rrahjen mirë me mend të gjërave për të gjetur shkaqet e arsyet që pse kjo foto e bëri Kolën pronar të një trofeu moral në “Kampionatin Shumëpërmasor të Fotografisë Shqiptare”; për të zbuluar të vërtetën, për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve a mëdyshjeve, që atij i patën lindur në terren: në Shqipëri, Itali e gjetkë, si dhe laboratorin e punës së tij kërkimore-shkencore.
Libri studimor “Pikëllim në një foto të vjetër” përshkruan dhe analizon në këndvështrime dokumentare, historike, folkoristike, etnografike dhe estetike veçmas foton “Gjon Pali dhe e bija” të realizuar në vitin 1913 në Shkodër nga Maca, ndoshta i pari mjeshtër në historinë e fotografisë shqiptare arsimuar për këtë mjeshtëri në Vjenë në fillimshekulin XX e pajisur kështu me kulturë austriake. Periudha e realizmit të fotos i takon gjashtë muajve (tetor 1912-prill 1913) të Rrethimit të Shkodrës (që atëherë ndodhej nën administrimin ushtarak turk) nga ushtria e Malit të Zi, i përket asaj lufte sfilitëse 183 ditore për mbrojtjen e qytetit nga pushtimi malazez. Qyteti u dorëzua trupave malazeze në prill 1913, po vetëm për 2-3 javë sepse me ndërhyrjen e Fuqive Ndërkombëtare, Shkodra i kaloi sërish Shqipërisë dhe në të u ngrit Flamuri Kuq e Zi.
Kjo foto është botuar së pari në një gazetë italiane (“La Domenica del Corriere”, shtojcë javore e “Corriere dela Sera”) të datës 25 maj-1 qershor 1913, në një artikull redaksional me titull: “La fine della Guerra Balcanica” (Fundi i Luftës Ballkanike). Pak ditë më pas, në qershor 1913, fotoja u botua, sërish në Itali, në ballinë dhe në brendësi të librit “L’assedio di Scutari” (Rrethimi i Shkodrës) të gazetarit Italian Gino Berri, korespondent shtypi në Shkodër gjatë rrethimit të qytetit. Gjatë kësaj periudhe në qytet e rrethina pati luftime të ashpra midis sulmuesve dhe mbrojtësve të qytetit, shoqëruar me shumë të vrarë e plagosur nga të dy krahët. Njeri prej tyre, nga ana e mbrojtësve, sipas shënimeve të gazetës është edhe i plagosuri që paraqitet në foto. Kjo foto e Macës gjendet në faqen 133 të librit të G. Berrit dhe shoqërohet me poshtëshënimin: “Montagnuola che assiste il padre morente, colpito al capo e alla mano destra” (Malësore që rri pranë të atit që po vdes, i goditur në kokë dhe në dorën e djathtë). Fotoja e godit menjëherë shikuesin e saj me dhëmbshurinë e vajzës për të atin që po largohet nga kjo botë dhe të mbush me ndjenja humane universale.
Autori i librit “Pikëllim në një foto të vjetër”, studiuesi Vrioni, ka hulumtuar gjatë mbi këtë foto, ai ka gjetur, ndër të tjera, emrin e të plagosurit (Gjon Pali) si dhe fshatin nga është (Shllak), por edhe paraqitjen e saj në 2-3 botime të tjera. Ai mendon se Maca ndoshta është ndodhur në kohën e duhur në vendin e duhur për këtë foto. Pra, studiuesi e analizon foton edhe nga ana estetike, duke e vendosur atë në një vend nderi në historinë e fotografisë shqiptare. Edhe pse fotografi, nga “Gjon Pali dhe e bija” përfton gjendje emocionale të fuqishme, saqë qoftë nga ajo heshtje e dhembshme e bijës për atin e plagosur, çdokush nga ne përjeton trishtim njerëzor, trazuar me ndjesinë e së bukurës, sepse është një foto që mund të mbahet gjatë para syve e të jep kënaqësi estetike. Autori Qerim Vrioni është i pari studiues që është marrë seriozisht dhe plotësisht edhe me klasifikimin e fotos. Sipas logjikës dhe argumentimit shkencor që sjell ai, “Gjon Pali dhe e bija” klasifikohet, së pari, si fotografi familjare; së dyti, fotografi e luftës (mendohet se historikisht është fotoja më me vlera ndër fotografitë shqiptare të luftës, ndoshta e para); së treti, fotografi dokumentare dhe ikonë dokumentare, sepse fotografia nga natyra cilësohet art dokumentar; së katërti, fotografi etnografike (antropologjike); së pesti, kompozim fotografik; së gjashti, foto shtypi (foto e gazetarisë); së shtati si fotografi artistike (fiction, fotografi e artit); së teti, fotografi humanistike, sepse siç sqaron autori, “Gjon Pali dhe e bija” është hulli ku ngrihen lart vlerat mirësisë së njerëzve në botë, sidomos atyre që vuajnë pasojat e luftrave dhe konfilkteve të armatosura midis shteteve, më kryesorja e të cilave mbetet humbja e jetëve njerëzore dhe pikëllimi që shkaktojnë. 14 foto të zgjedhura nga krijimtaria e Kolë Macës, të cilat ngërthejnë gjini të ndryshme të fotografisë, një pjesë e tyre të botuara për herë të parë janë ilustrime që e zbukurojnë librin në hijeshinë e tij. Këto foto janë vetëm një shufër floriri nga thesari fotografik i mjeshtrit Kolë Maca, ndërsa “Gjon Pali dhe e bija” vërtet është kryevepra e tij, por s’i përket më as vetëm Kolë Macës, as vetëm Shkodrës, madje kalon në përmasa universale për nga realizimi simbolik gjithëpërfshirës. Mjeshtri ka shumë merita, por fjalë falënderimi meriton edhe autori Qerim Vrioni për strukturën e librit, trasenë, zhvillimin e subjektit në dinamikë, stilin, udhëtimin kronologjik deri në plotësim të synimit shkrimor që i ka vënë vetes. Detajet që përdor autori ia kanë arritur qëllimit, sepse e tregojnë thelbin që Kolë Maca është një nga ikonat më simpatike dhe interesante të imazhit nga celuloidi. Autorit ia vërejmë që përtej vëzhgimin e imtë profesional, gati si një pikasje dyshuese, qysh kur merret me pionierët e fotografisë në historinë e artit pamor botëror, veçmas me ata të Rilindjes Italiane, apo dhe kur shtjellon vdekjen e njeriut dhe pasvdekjen në arte, pasvdekjen në fotografinë botërore dhe në atë shqiptare. Ai guxon të mbajë qëndrim kritik ndaj të angazhuarve me këtë punë, qofshin dhe studiues të huaj dhe i mëshon fotografimit të vdekjes të gjumit të fundit, më saktë fotove të pasvdekjes. Me kompetencë profesionale ai e cilëson shkrepje të veçantë “Vajtimin e Nasim Elshanit, 1990” të fotografit francez George Merillon, realizuar në një fshat të Rahovecit, Kosovë, por që nuk mund të futet në historinë e fotografisë shqiptare. Lexuesi e ndjen qëndrimin konceptualisht rigoroz të autorit nëpërmjet argumentave shkencorë që paraqet, përmes karakterit prezantues, përshkrues e tematik në vijë kronologjike, analitik deri në detaje, korrekt dhe i vëmendshëm në deduksione, respektues i parimit krahasimtar midis botimeve të ndryshme për Macën dhe veprën e Mjeshtrit në italisht, gjermanisht, shqip, etj. Plotësohet me kulturën e studimeve në vite fjala e syrit të profesionistit Vrioni dhe ky element vërehet në argumentimin e shkallëzuar e mbushmendës me logjikën e ekspertit të aftë, të guximshëm e të vërtetë. Laboratori i fotografit binjakëzohet me bibliotekën e studiuesit në shërbim të kulturës shqiptare të fushës, duke na dhënë hipoteza, variante, përnjohje, gjasa paraqitje argumentash, që mund t’i bëjë kaq saktësisht vetëm një fotograf studiues dhe shkrimtar i fotografisë si Qerim Vrioni.
Ky libër dallohet edhe për gjuhë të pastër e të pasur shqipe, falë punës së vëmendshme, të kujdesshme, të matur e të panxituar gjithëpërfshirëse të autorit me personat e duhur të kontaktit në fushën e shkrimtarisë, folkoristikës dhe etnografisë, gazetarisë e publicistikës letrare, pikturës e kritikës së artit, gjuhësisë, letërsisë dhe historisë. Fjala vjen, duke vënë re këshillimet e begata me prof.dr. Afërdita Onuzi, përvojën e punës në terren dhe diturinë e së cilës e njoh mirë, guxoj të them që studiuesi Vrioni me këtë libër jep edhe një ndihmesë të vlefshme në etnologji dhe çel një dritëz etnografike, ku shquan për logjikën në njohjen e Kanunit, të drejtës zakonore të shqiptarëve, veçmas malësorëve të Shqipërisë së Veriut. Po japim një këndvështrim të autorit se si e trajton foton e Macën, që u publikua për herë të parë e shoqëruar me poshtëshënimin “Donna Albanese che assiste il padre morente per le ferite riportate in guerra” (Grua shqiptare pranë të atit që po vdes nga plagët e marra në luftë) në shtojcën javore “Domenica del Corriere” të gazetës “Corriere della sera” të Milanos në numrin e javës 25 maj – 1 qershor 1913. “… Shpjegimi kumton se shqiptari i shtrirë është goditur me armë në luftë (dhe jo në gjakmarrje do thoshim), aq më tepër kur edhe artikulli flet për fundin e një lufte dhe jo të një zakoni primitiv siç ishte vrasja për shpagim të gjakut. Kësisoj, ai mund të merret dhe trajtohet edhe si një luftëtar e dëshmor i Atdheut. Emërtimi luftëtar shkon shumë mirë pranë emrit të Gjon Palit”. Foton e Macës “Gjon Pali dhe e bija” studiuesit e huaj dhe personat publikë të angazhuar e kanë vendosur me kohë në piedestal nderi, ndërsa në Shqipëri është Qerim Vrioni, që me dëshirë, vullnet dhe vërtetësi shkencore ngriti këtë në përmendore shkrimore.
- E dergoi per Diellin bashkepunetori yne, autor i artikullit Albert Habazaj