
Albert Vataj/
Në korrespondencën e tij drithëruese, mbledhur te “Letra Felices”, Franz Kafka shtron një nga dilemat më vrasëse të raporteve njerëzore, tentativën insistuese për të tjetërsuar tjetrin. Kafka, ky mjeshtër i zbërthimit të ankthit dhe shndërrimit, na paralajmëron se insistimi për të ndryshuar dikë në imazhin e dëshirave tona nuk është akt dashurie, por një formë e hollë e terrorit psikologjik.
Kafka shkruan me një prerje kirurgjikale se “Duhet t’i marrësh njerëzit ashtu siç janë ose t’i lësh ashtu siç janë. Nuk është e mundur t’i ndryshosh; vetëm mund të prishësh ekuilibrin e tyre.” Kjo fjali mbart një peshë paralajmëruese. Për Kafkën, individi nuk është një objekt plastik që mund të rimodelohet sipas tekave tona. Kur ne tentojmë të “ndreqim” dikë, ne nuk po e përmirësojmë atë, por po godasim qendrën e rëndesës së shpirtit të tij. Rezultati nuk është një njeri “më i mirë”, por një qenie e nxjerrë nga binarët, një integritet i thyer që humbet busullën e vetvetes.
Thellimi i Kafkës merr përmasa pothuajse biologjike kur ai shpjegon natyrën holistike të njeriut, sipas të cilit”Një qenie njerëzore, në fund të fundit, nuk përbëhet nga pjesë unike, nga të cilat një e vetme copë mund të hiqet dhe të zëvendësohet me diçka tjetër. Përkundrazi, ajo është një e tërë dhe nëse e tërheq njërin skaj të saj, tjetra, ju pëlqen apo jo, fillon të tkurret.”
Këtu Kafka godet iluzionin tonë se mund të ndryshojmë te tjetri vetëm “atë pjesë që nuk na pëlqen”. Ai na kujton se njeriu është një sistem i ndërlidhur, nëse tenton të zhbësh një dobësi, mund të jesh duke asgjësuar njëkohësisht edhe burimin e forcës së tij. Ky reagim “tkurrës” nuk është thjesht një qëndresë aktive apo kokëfortësi, është një reagim ontologjik. Njeriu tkurret sepse po mbron bërthamën e tij, të vërtetën e tij të vetme, përballë një domosdoshmërie të huaj që kërkon ta tjetërsojë.
Polemikë e Kafkës qëndron te dëshmimi i një të vërtete tragjike, njerëzit nuk mund të jenë “të tjerë”, edhe nëse duan. Dhuna që ushtrohet mbi ta për t’i bërë të përshtatshëm, të bindur apo “idealë”, ndeshet me murin e pamundësisë ekzistenciale.
Sipas Kafkës, kjo prirje njerëzore për të dominuar formën e tjetrit ka pasoja kërcënuese. Ajo krijon individë që jetojnë nën hije, të huaj ndaj vetes, duke dëshmuar se sa më shumë kërkojmë ta bëjmë tjetrin “tonin”, aq më shumë e detyrojmë atë të pushtojë një zbrazëti ku as ai dhe as ne nuk gjejmë dot paqe.
Në thelb, mësimi i Kafkës është një thirrje për përulësi. Të pranosh tjetrin në tërësinë e tij të paprekshme është e vetmja mënyrë për të ruajtur shenjtërinë e njeriut. Çdo përpjekje tjetër është thjesht një mënyrë për të thyer një shpirt në emër të një egoizmi që e maskojmë si kujdes.