
Prof. dr. Emin Kabashi
Këshilltar shkencor
Instituti Albanologjik i Prishtinës/
(Tre poet, tre breza, tri poezi për Luftën çlirimtare të UÇK-së)
Parashtresa e parë
Nuk ka popull në botë që ka bërë luftë çlirimtare, që nuk i ka kënduar lirisë. Po ashtu, kënga, pra poezia për lirinë ka përcjellë ndër breza atë frymëmarrjen e lirisë që e ka karakterizuar luftën çlirimtare. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër veprimet me përmasë kombëtare në historinë popullit tonë, doemos ka gjetur përjetësimin e saj në poezinë shqipe, qoftë përmes tërësisë së ngjarjeve, qoftë përmes individëve si bartës të idealeve të lirisë, qoftë përmes shëmbëllimit të sakrificës për lirinë tonë. Poeti Pano Taçi, ndër krijuesit e rrallë e shumë të veçantë të shkollës së madhe lasgushiane të poezisë shqipe, përveç tharmit të tij të përjetshëm krijues, siç është poezia e tij e dashurisë, ka gjetur frymëzim edhe për luftën e UÇK-së. Pano Taçi nuk ka qenë luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pano Taçi nuk e ka pasur as moshën për të qenë luftëtar i saj. Pano Taçi, e ka përjetësuar UÇK-në mbi bazë të përjetësimit të traditës sonë kombëtare. Poet i shkollës së Lasgushit, nuk është lodhur të bredhë pas fjalëve të mëdha, pas shprehjeve ekspresive. Ai ka qëmtuar edukatën kombëtare të madhështisë shekullore të epokës së madhe të Skënderbeut, të luftës për liri. Andaj, jo rastësisht, vargu i tij, ‘‘Të vdes i bukur’’, bëhet lajtmotiv i përjetësisë së luftëtarit të lirisë, si individ, bëhet shkollë e madhe e përjetësimit të lirisë si kërkesë historike e asaj pjese të popullit që lufton për liri, bëhet kërkesë e shkollës së historisë kombëtare, për ta përjetësuar luftën për liri. Poezia e tij, ‘‘UÇK’’, i ka tri strofa me tri vargje, kurse vargu i katër vjen si kadencë muzikore, për të përmbyllur rrugën e gjatë shekullore të shqiptarëve që kanë luftuar për liri, andaj vdesin bukur: ‘‘jam zgjuar nga përgjumja, e dal në çetë,/ të vdes i bukur’’. E vetmja vdekje që përmbys kohët, shekujt, epokat është ajo e luftës për liri. Prandaj, në vargun përmbyllës të strofës së parë e ka shprehjen përgjumja, që shënjon gjendjen në të cilën ishim, para se të mësojmë të vdesim të bukur. Bota që merrej me hallet tona, e ka bindur poetin, se na do ‘‘fjalëzbehtë’’. Mirëpo, poeti që ka përvojën shekullore kombëtare të luftës për liri, bën këtë veprim: ‘‘flak gurin e Sizifit e dal në çetë/ të vdes i bukur’’. Një ves, thuajse me peshë historike, që na e mëson edhe historia, është prirja për drejtësinë që të na japin të tjerët. Mirëpo, poeti, Pano Taçi, e përmbyll poezinë ‘‘UÇK’’, me këtë varg lapidar, për ta bindur veten dhe botën se lirisë i ka hije: ‘‘Bëj ligjin e Zotit dhe dal në çetë,/ të vdes i bukur’’.
Parashtresa e dytë
Veprimtarja e çështjes kombëtare, edhe si frymë, edhe si edukatë familjare, por edhe si shkollë krijuese, poetesha dhe romansierja Flora Brovina, ka një poezi, me një titull shumë specifik Komandant, kurse nëntitulli, që është sqarues, e përkufizon hapësirën dhe vendin ku rrimë gatitu, që është bërthama e ndjeshmërisë në këtë poezi të autores. Pra, nëntitulli është (‘‘Para varrit të Adem Jasharit’’). Në këtë poezi, shumë të veçantë për nga struktura e ndërtimit, sepse poezia sa duket si një bashkëbisedim, në të njëjtën kohë komunikon me lashtësinë, mund të thuhet natyrshëm, duke shkrirë brenda dy vargjeve, edhe përmasën e tragjedisë, por edhe praninë e legjendës: ‘‘Në Marsin e ngrirë të Kosovës./Kur u ngrinë krushqit’’. Poezia do ta humbte ndjeshmërinë, qoftë edhe të mënyrës së bashkëbisedimit, sikur të mos ishte vargu: ‘‘Në legjenda, të kujtohet?’’. Do të thotë, poetesha ia kujton Komandantit, se marsi i Kosovës ishte i ngrirë, krushqit ishin të ngrirë, por Komandant, a të kujtohet se çka thuhej në legjenda? Kjo pyetje retorike e ka shpëtuar poezinë, nga vargu i zakonshëm me të cilët shumë shpesh ndërtohen poezi me temë luftën. Por, Flora Brovina, krijuese që e di peshën e secilës fjalë në varg, ashtu si i ndërton ajo poezitë e saj, thuajse në të gjitha vëllimet që ka botuar deri tashti, edhe pse në këtë poezi asnjë herë nuk e përmend fjalë UÇK, apo ushtri çlirimtare, apo luftë çlirimtare, fryma që e përshkon strukturën e poezisë, e jep këtë ndjeshmëri. Ndryshe, pse është ai Komandant. Më tutje, mund të thuhet se ky Komandant i poezisë së Flora Bovinës, së bashku me të gjithë ata që ju printe, me ushtarët e lirisë, kishte gjetur forcë për ta mundur peshën e robërisë, barrën e madhe të luftës, por edhe gatishmërinë që të flijohej, në emër të së ardhmes. Poetesha kishte munguar, andaj i kërkon falje. Por, mungesa e saj ishte në një kohë, në një çast, që të dyja thuajse sa një përjetësi, sepse ai kishte me vete diçka nga legjenda, këngën pra: ‘‘Më fal, Komandant, /Të lash vetëm kur këndoje/ Këngë kushtrimi/ Ta mundësh plojën e madhe’’. Çdo gjë ishte e rëndë, edhe qëndresa, edhe lufta, edhe rëniet, mirëpo kënga e tij, andaj edhe kënga e bashkëluftëtarëve të tij, edhe të atyre që kanë munguar, siç e thotë Flora Brovina, janë bërë pjesë e historisë, edhe për faktin se ai ishte Komandant i një lufte çlirimtare, para të cilit kërkonte falje poetesha, i cili po hiqte robërinë nga më shumë se gjysma e trojeve shqiptare. Qoftë edhe vetëm ky rrafsh i ndërtimit të strukturës së poezisë, i ka dhënë dorë krijuese që të bashkëbisedojë natyrshëm dhe lirshëm me këtë Komandant. Po ashtu, nuk mund as të kuptohen, as të përjetohen ndryshe vargjet që janë ndërtuar përmes pyetje retorike: ‘‘Ti më thua, Gatitu!/ Trupin drejt, më thua!’’. Do të thotë, ai është komandant që jep urdhra, që prin, por para se të fillojë marshimi, ai ia lëshon një sy secilit ushtar, kurse vetë është në ballë, pra prijës. Ndryshe, nuk do të ishte Komandant, as i kësaj poezie të Flora Brovinës. Prandaj, vjen krejt logjikshëm dhe natyrshëm vargu: ‘‘Vetëm i madhi nuk hidhërohet,/ Komandant’’. Ky varg e ka shpëtuar kërkim faljen në këtë poezi të Flora Brovinës, nga patetika që e vret aktin krijues. Prandaj, mund të thuhet se vargjet që përmbyllin këtë poezi të Flora Brovinës, janë edhe e sotmja, edhe përjetësimi i lirisë, e cila nuk vjen pa luftën çlirimtare të UÇK-së, ndryshe, vargu: ‘‘Me lule gjaku’’/ Komandant!’’, që e mbyll poezinë, nuk do të kishte asnjë shtresim kuptimor, për Kosovën, për luftën, për lirinë, që u shtruan në këtë parashtresë.
Parashtresa e tretë
Tahir Desku, poeti luftëtar i lirisë, ka botuar disa vëllime me poezi, por ajo që i kushtohet Luftë së Ushtrisë Çlirimtare, që u kushtohet Dëshmorëve të Kombit, që dhanë jetën për liri, që ishin pjesë e luftimeve të përgjakshme, është titulluar nga poeti, ‘‘Engjëjt e lirisë’’ , botuar në vitin 2000. Këta engjëj të lirisë, poeti i ka pagëzuar me emër e mbiemër në poezitë e tij. Poezia ‘‘Xhevat Demaku’’ i kushtohet Dëshmorit të Kombit, Xhevat Demaku. Për çudi, askund nuk zihet në goja lufta, as ushtria, as fronti, as krisma e pushkës dhe sërish poezia i është kushtuar luftëtarit të lirisë, që ia falë gjakun kësaj toke, për të qenë e lirë. Poeti Tahir Desku, mund të thuhet pa dilemë, se është i veçantë në ndërtimin e poezisë së tij, jo vetëm të këtij vëllimi, por thuajse i të gjitha vëllimeve të tij poetike. Nuk lodhet për të gjetur figurat stilistike, as krahasime të mëdha, as epitete të kërkuara dhunshëm, as metafora që e hutojnë lexuesin. Jo, ai vargun poetik e ndërton natyrshëm, duke qëmtuar bërthamën e gjëllimit të heroit të tij lirik. Xhevat Demaku i tij, e hap bashkëbisedimin me lexuesin me vargjet, thuajse krejt popullore: ‘‘ Ç’na u mbush toka plot me vorre /A durohet shkau n’oborre?!’’ Mjafton vetëm kjo dilemë shekullore në jetën e shqiptarëve, që një djalë i ri, siç thuhej, pa i vënë brisk fytyrës, të bëhet pjesë e luftë për liri, Jo vetëm të bëhej, por edhe të përjetësohej për lirinë. Nuk ka shëmbëllim me të plotë, se kjo mënyrë e rënies në altarin e lirisë së atdheut, ngase ai djalë i ri, e di si të vdes bukur, si e shtruam në parashtresën e parë të këtij shkrimi: ‘‘Një mortajë e mban në dorë / në tjetrën një yll’’. Vështirë e mund të ndërtohet më realizueshëm në strukturën e vargut, portreti i një luftëtari të lirisë. Por, çka ka ndodhur me njeriun tonë, a mos ndoshta ka harruar të kaluarën historike, apo për një çast e ka përgjumur vetëkënaqësia e jetës së zakonshme. Atëherë Dëshmori i kombit, e bën atë që zakonisht e bëjnë të gjithë luftëtarët e lirisë, të cilët kaherë janë pajtuar me jetën, e cila nuk ka kuptim nëse jetohet në robëri: ‘‘Kur shfaqet harresa / Ai zgjohet e bën roje / Maleve të Arbërisë’’. Për çudi, duke bërë roje, ndoshta si një lajtmotiv, që e përshkon, jo vetëm këtë poezi kushtuar Dëshmorëve të Kombit, ai kujtohet se në atë moshë nuk ka kuptim për të vdekur. Andaj, e thotë natyrshëm, thuajse bashkëbisedon me shokët e luftës, thuajse i tregon dikujt që e do shumë, dhe: ‘‘E thotë-jam tepër i ri/ për të vdekur’’. Poeti nuk ka nevojë as të shpjegojë, as ta thotë se cila ishte lufta e tij, heroizmi i tij, përpjekja e tij për lirinë e kësaj pjese të atdheut. Heroi i tij lirik, krejt natyrshëm, duke ecur nëpër tokën që nuk e duronte robërinë, përkulet pak dhe mbjell një lule. Një gjetje e mrekullueshme poetike, kur rënia për liri e një luftëtari shëmbëllen me lulen që mbjell njeriu në atdheun e tij. Pra, vetëm në atdheun e lirë, ka kuptim të mbillen lule, sepse nuk i shkel më këmba e pushtuesit. Kjo gjetje e poetit Tahir Desku, andaj e bën poezinë e tij të veçantë, qoftë si strukturë e ndërtimit të vargut kushtuar Dëshmorëve të Kombit, qoftë kur trajton motive të tjera, që në poezinë tij janë aq të larmishëm. Nuk është gjetje gand dhe e rastit kjo në këtë poezi të poetit, ngase heroi i tij lirik, Dëshmori i Kombit, Xhevat Demaku, bën edhe këtë veprim dhe nuk harron se është shumë i ri për të vdekur: ‘‘Ndalet sërish e mbjell një lule / Midis atdheut / Bën roje-është tepër i ri për të vdekur’’. Ky është lapidari shpirtëror që poeti Tahir Desku ju ka ndërtuar të gjithë Dëshmorëve të Kombit, që i ka përjetësuar në poezinë e tij me temë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse në këtë rast Dëshmorit të Kombit, Xhevat Demaku.
Prishtinë, qershor, 2024
Referencat
Pano Taçi, Prit e prit, poezi, Tiranë, 2007
Flora Brovina, Përflakje e stuhi, poezi, Prishtinë, 2021
Tahir Desku, Engjëjt e lirisë, Poezi, Prishtinë, 2000
(Kumtesa është lexuar në Tribunën shkencor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Festivalin Drini poetik, që mbahet për nder të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit).