
Deti – Nga Charles Trenet
Përktheu nga frëngjishtja: Dr. Sadik Elshani
Deti, që e shohim duke vallëzuar
Përgjatë gjireve të kthjellëta
Ka shkëlqimin e argjendtë
Deti, shkëlqimi i tij ndërron në shi.
Deti, në qiellin e verës i përzien
Delet e tij të bardha
Me engjujt aq të pastër, deti
Bariu i kaltërsisë së pafundme.
Shikoni, pranë këtyre lagunave
Këta kallama të mëdhenj të lagur
Shikoni, këta zogj të bardhë
Dhe këto shtëpi të ndryshkuara.
Deti i ka përkundur ato
Përgjatë gjireve të kthjellëta
Dhe me një këngë dashurie, deti
Zemrën time e ka qetësuar përjetë.
Vargjet e mësipërme janë teksti i këngës shumë të bukur e të njohur franceze, “La mer” (“Deti”), kompozuar nga kompozitori, kantautori e këngëtari i njohur, Charles Trenet (18 maj 1913 – 19 shkurt 2001). Kjo këngë (shansonë) është një homazh poetik, një himn për detin që me atë kaltërsinë e pafundme, me ato valët e lehta e qetëson shpirtin e njeriut, e mbush me plot frymëzim, energji pozitive e dashuri për jetën.
Vetë Treneti ka treguar se ai e ka shkruar verzionin fillestar të tekstit të kësaj kënge kur ka qenë 16 vjeçarë, shumë vite para se ta gjente melodinë. Melodia i ka ardhur gjatë një udhëtimi me tren në vitin 1943 në mes Montpellierit e Perpignanit, kur ai po vështronte nga dritarja Etang de Thau (Laguna e Thaut). Kënga së pari është inçizuar nga këngëtari francez, Roland Gerbeau në vitin 1945. Verzioni i Trenetit është lëshuar në qarkullim në vitin 1946, duke u bërë një këngë e suksesshme (hit) e papritur. Që nga ajo kohë ka ngelur një shansonë klasike, ikonë e muzikës franceze, si dhe një pjesë standarde e repertorit të muzikës jazz. Kënga fillon duke u kënduar qetë, si ato valët e qeta të detit dhe përsëritet dy herë, por në herën e dytë dy strofat e fundit këndohen të shoqëruara me grup këngëtarësh dhe me një zë të fuqishëm, duke kumbuar si një odë për detin, për jetën, që të sjell ndër mend atë pjesën korale, finale të simfonisë së nëntë të Betovenit. Kënga është mjaft e popullarizuar ne botë dhe këndohet në shumë gjuhë të huaja nga këngëtarë të njohur në vendet e tyre përkatëse. Po ashtu, shpesh paraqitet edhe nëpër filma e programe televizive. Pse te mos e shijojme edhe ne në këto ditë të nxehta të verës?! https://www.youtube.com/watch?v=ka–QM_tJ-s&list=RDka–QM_tJ-s&start_radio=1