
“ISHTE NJË AMAZONË PA SHQYT”
Myrta Merlino kujton gruan e vdekur pa shtetësi
Nga GIUSI FASANO
Vetëm dhe e dëshpëruar. Në xhep një leje qëndrimi me tre ”x” në vënd të kombësisë: Apolide. Në kokë më shumë guxim për të vdekur se sa për të jetuar.
Adelina 113 kapërceu parmakun e Urës Garibaldi e i u dorëzua errësirës, zbrazësirës, vdekjes. Dy kalimtarë e panë të shkonte drejt vdekjes, por ishin shumë larg për t’u përpjekur t’a shpëtonin. Binte shi me gjyma, mbi rrahjet e fundit të zemrës së saj e lotët, nëse ka qarë, janë humbur në shi. I janë afruar të parët policët e një patrulle të policisë hekurudhore. Kishte vdekur në vend, nën rrebeshin romak të natës ndërmjet të shtunës e të djelës së shkuar.
Jeta kishte qënë e egër me atë grua deri në çastin e fundit. Por, për të qënë të sinqertë, me atë qe i egër edhe Shteti italian, që ishte dashur t’a ndihmonte në shenjë mirënjohjeje për atë që kishte bërë ajo. Ndërsa e braktisi mbasi e kishte kthyer në një simbol. Myrta Merlino, gazetare, shkrimtare dhe autore programesh televizive, thotë se Adelina 113 “ishte një luftëtare, një amazonë pa shqyt”, e kishte ftuar shumë herë në emisionin Era që fryn (7), e me zor i mban lotët kur flet, sepse ka qënë e fundit së cilës i ka kërkuar ndihmë gjatë emisionit, tre ditë para se të vetëvritej, “dhe un nuk dita t’a kap vështrimin e saj të fundit”, vetëqortohet Myrta. “Me të kam humbur un, ka humbur Shteti tek i cili ajo besonte shumë, herë herë aq i verbër e i padrejtë. Ka humbur sistemi me burokracinë e tij vetëm në një kah. Ka humbur televizioni, që përtej të treguarit është i pafuqishëm.Qava nga zemërimi e shpresoj që ajo të na ketë falur të gjithëve”.
Të kërkohej ndihmë për Adelinën do të thoshte vetëm një gjë: të kishte nënshtetësinë italiane. Ishte ëndrra e saj e vetme.
Kishte lindur në Durrës, në Shqipëri, më 1974. Në moshën 22 vjeçare ishte gënjyer nga miklimi i një t’ardhmeje të shkëlqyer në Itali. Ajo si mijra të tjerë “t’inkurajuar nga bukuria e parë në televizion”, arriti në gomone në këtë Vënd që “i shëmbëllente një ëndërre të shtrirë për së gjati për t’u tharë”, për t’a thënë me poetiken Bukë e kurajë të Ivano Fossatit.
Njerëzit e premtimeve të gënjeshtërta e kthyen në një kurvë e në një skllave me fuqinë e grushtave. “Më prenë një këmbë me gërshërë e në plagët më hodhën kripë për të më dhembur më shumë” , tregoi ndërmjet mijë gjërave të tjera, kur më së fundi doli, mbas katër vitesh. Ishte betuar në vetvete se nuk do të kishte vdekur skllave e kështu në një natë, në Vareze, vendosi që asnjë nuk do t’a përdhunonte më. Thirri 113 e i u dorëzua në besë Shtetit. Që atëherë për karabinierët dhe policinë, që e kanë ndihmuar gjithmonë, u bë ”Adelina 113”, një lloj pseudonimi që e mbajti edhe gjatë hetimeve dhe proçeseve të lindura nga bashkëpunimi me Drejtësinë (emri i saj i vërtetë ishte Alma Sejdini).
Me dëshmitë e saj bëri të arrestohen 40 shqiptarë që vendosnin për jetën dhe vdekjen e femrave të përfunduara në kthetrat e tyre (shfrytëzues, pastaj të dënuar deri në njëzet vite burg). Ka bashkëpunuar gjithmonë me Prokuroritë e forcat e rendit pa ngurim e frikë, ka qënë një shëmbull për dhjetra e dhjetra femra që, në sajë të saj i u kundërvunë organizatave kriminale të kurvërisë, e ka shpënë zërin e saj në Senat, edhe në komisionin e Çështjeve Kushtetuese si eksperte në gjëndjen dramatike të prostitutave. Ka folur nëpër shkolla, ka vënë në shërbim kohën dhe energjinë e saj kudo ku kishin nevojë për të. Një qytetare model pa nënshtetësi. Një paradoks.
Kishte qënë vetë Myrta Merlino, më 2019, t’i a paraqiste rastin ministrit të atëhershëm të punëve të Brëndëshme, Matteo Salvini. Ai ishte interesuar që ajo të merrte një leje qëndrimi të posaçme, në pritje të praktikës burokratike për nënshtetësinë. Por pastaj, ndërmjet këmbimit të qeverive dhe gjatësisë së çdo hapi burokratik, Adelina 113 u gjënd përsëri me përfundimin e lejes së qëndrimit. Vetëm se këtë herë kishte edhe një tjetër arsye më shumë për t’u ndjerë e vetme dhe e dëshpëruar: një tumor shumë agresiv që e kishte shtrënguar të bënte cikle rrënuese kemioterapie dhe një dobësim të vazhdueshëm.
Nëse kishte mbetur ende në këmbë kundrejt një fati kaq të zi, ishte se vazhdonte të ushqente atë ëndërr: të shuante nga jeta e saj turpin e tre “x”. “Un jam një fantazmë pa Shtet” përsëriste gjithmonë.
“E dashuronte Italinë e ndjehej thellësisht italiane”, kujton Myrta. “Në Shqipëri nuk dua të kthehem as e vdekur”, i kishte thënë herën e fundit që kishin biseduar. E kështu do të jetë. Do të mbetet këtu përjetë, asnjë “x” nuk do t’a kthejë mbrapa.
“Corriere della Sera”, 11 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika