
Prof. Skender Asani/
Më 10 dhjetor 1979, bota u ndal përballë një të vërtete të madhe: një grua e thjeshtë, por e jashtëzakonshme shkupjanja Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, sot Shën Tereza e Kalkutës mori Çmimin Nobel për Paqe dhe me këtë akt u bë zëri më i fuqishëm i humanizmit në fundin e shekullit XX. Ky çmim nuk ishte vetëm një nderim për punën e saj, por një mesazh i qartë se bota ka nevojë për dashuri, për dhembshuri dhe për njerëz që dinë të bëjnë mirë pa zhurmë. Nënë Tereza, e cila e kaloi jetën mes të varfërve dhe të braktisurve, na kujtoi se paqja fillon me një buzëqeshje dhe me një gjest të vogël që i rikthen njeriut dinjitetin. Ceremonia e Oslos u shndërrua në një moment krenarie edhe për shqiptarët, sepse një bijë e kombit, një shkupjane e zemrës, u nderua me çmimin më të lartë të paqes në botë. Sot, 10 dhjetori na kujton se fuqia e vërtetë nuk qëndron te fjalët e mëdha, por te veprat e thjeshta që lindin nga zemra dhe që ndryshojnë jetën e tjetrit.