
Mësimdhënia e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha për shkak të ndikimit të gjuhëve të huaja, të teknologjisë dhe largimit fizik nga rrënjët kulturore. Për të përballuar këto sfida, është e domosdoshme një qasje moderne, që ndërthur metodat tradicionale me mjetet teknologjike që flasin “gjuhën” e brezit të ri.
Në seminarin e XVIII mbarëkombëtar në Shkodër, Sadiona Abazaj paraqiti mënyra konkrete dhe praktike për të përdorur platformat dixhitale interaktive si mjete që fuqizojnë mësimdhënien dhe e bëjnë atë më tërheqëse, bashkëkohore dhe të lidhur me identitetin.
Sadiona Abazaj sygjeron se platforma si Kahoot, Blooket, Wordwall, Quizizz, Padlet, Book Creator dhe Mentimeter janë ndër më të përdorshmet për të zhvilluar kuize, lojëra edukative, reflektime kulturore dhe krijime të personalizuara nga nxënësit.
Për shembull:
-Me Kahoot fëmijët mund të konkurrojnë në një lojë me pyetje rreth filmave të vjetër shqiptar si filmi “Beni ecën vet”.
-Me Wordwall krijojmë fjalëkryqe me simbole kombëtare.
-Me Padlet, nxënësit ndajnë kujtimet e tyre për Shqipërinë ose trajtojnë tema dhe tekste në rubrikën Di, Dua të Di, Mësova
-Me Book Creator, fëmijët krijojnë libra dixhitalë për gjyshen në Shqipëri apo pushimet e tyre.
-Me Mentimeter, përmbyllim mësimin me reflektime dhe përgjigje të drejtpërdrejta live.
Sadiona Abazaj shprehet se qëllimi kryesor është të kalojmë nga dëgjimi pasiv në pjesëmarrje aktive, nga të mësuarit përmendësh në krijim e bashkëpunim, nga mësimi që rrotullohet vetëm rreth mësuesit në një mësim të përqendruar te nxënësi.
Kjo qasje synon jo vetëm ruajtjen e gjuhës shqipe, por edhe forcimin e identitetit kulturor dhe ndjenjës së përkatësisë te fëmijët shqiptarë të rritur jashtë vendit.
Rreth autores – Sadiona Abazaj:
Sadiona Abazaj është një mësuese, lektore dhe lidere arsimore me mbi 14 vite përvojë në fushën e arsimit ndërkombëtar në Shqipëri dhe Finlandë. Ajo është drejtoresh pranë një shkolle ndërkombëtare në Helsinki, Finlandë, ku gjithashtu jep mësim gjuhën angleze dhe shqipe.
Ka përfunduar studimet universitare në Studime Britanike dhe Amerikane pranë Universitetit të Tiranës me rezultate të shkëlqyera dhe mban tre diploma masteri në:
Mësimdhënien e Gjuhës Angleze,
Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik,
Menaxhim dhe Supervizim të Institucioneve Arsimore.
Gjithashtu, ka përfunduar një program të specializuar 1-vjeçar në Studime Pedagogjike në Universitetin e Helsinkit në Finlandë, të njohur nga Autoriteti Kombëtar i Arsimit Finlandez.
Sadiona Abazaj është e përkushtuar ndaj zhvillimit profesional të mësuesve, përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie, dhe ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Paraqitur nga Sadiona Abazaj.