![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/480356450_1050259450475910_5604817251259340307_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/480515115_1050259603809228_5259487797740397068_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/480289561_1050259657142556_4475288288007604789_n.jpg)
Kujtojmë Gjon MILIN në përvjetorin e vdekjes, 16 Shkurt 1984.
Fragment nga libri GJON MILI.
Në pranverën e vitit 1975, (7 Prill – 25 Prill), Wellesley College, në Massachusetts, organizoi një seri seminaresh për studentët me dhjetë personalitete të njohur në fusha të ndryshme si, botues arti, fotograf, kineast, ekonomist, psikiatrist etj.
‘’Qëllimi kryesor,’’ thuhet në hyrje të librit, ‘’ishte të zgjerojmë këndvështrimin mbi fotografinë përtej sferës së muzeumit të artit, duke bër pyetje rreth këtij arti, që mund të çoj përpara një njohje të lidhjes së tij me fusha të tjera të ngjashme dhe kështu, do të artikulonte këtë lidhje.’’
Pjesëmarrësit, gjatë mëngjesit dhe në mbrëmje dhanë nga një leksion publik, ku midis të tjerave folën për rolin e fotografisë në jetën dhe punën e tyre. Në sallën kryesore të mjediseve u ekspozuan 100 fotografi të pjesëmarrësve. Këto leksione dhe fotografitë e ekspozuara u botuan në vitin 1977 në librin e sipërpërmendur. Në ekspozitë Mili u prezantua me 11 fotografi. Në libër kapitulli kushtuar Gjon Milit, fillon me një biografi të shkurtër, si më poshtë.
‘’ Gjon Mili ka lindur në Korçë, në Shqipërinë e Jugut dhe rininë e kaloi në Rumani. Erdhi në Amerikë kur ishte 19 vjeç, 1923. U diplomua si Inxhinier Elektrik në Massachusets Institute of Technology (M.I.T.) në 1927. Si student i posa diplomuar punoi për një vit në Westinghouse Elektrik Co., në prodhimin e paisjeve elektrike. Nga viti 1928-1938, po në Westinghouse Co., si inxhinier në sektorin e kërkimeve për ndriçimin. Ka shkruar disa artikuj teknik për kërkimet e tij në projeksionin e dritës, optikës dhe fotografisë. Ai zhvilloi llampën me dy filamente më e ndritshmja për kohën. Mili ka bërë punë të konsideueshme në interpretimin e koncepteve fotometrik duke fotografuar shpërndarjen e rrezeve, imazhe filamentesh dhe enë qelqi të ndriçuara. Gjatë viteve 1930 – 35, ai zhvilloi teknikën e ndriçimit, që aq shumë përdoret tani në fotografinë me ngjyra me inkandeshencë të lartë dhe ‘photoflash lamp.’ Ka qënë gjithashtu i angazhuar që nga viti 1938 në fotografimin me shpejtësi të madhe kohe në bashkëpunim me Dr. Harold E. Edgerton i Massachusets Institute of Technology,
Kariera e Milit si fotograf profesionist filloi kur fotografitë e tij me kampionin e tenisit, Bobby Riggs në aksion, u publikuan në revistën LIFE, 16 Shtator, 1938. Nga ky moment, sesionet e tij për LIFE janë botuar rregullisht në faqet e revistës.
Në vjeshtë të vitit 1969, dha një seri leksionesh në Yale University për fotografinë dhe po ashtu ka dhënë mësim në Summer Art Project, sponsorizuar nga Sarah Lawrence College, në La Coste, Francë, gjatë viteve 1972-73 dhe 1974. Tani është instruktor në ‘’Principles of Photography’’ në Hunter College, New York, ku ka dhënë mësim që nga viti, 1973.’’
G j o n M I L I
F j a l a p ë r p a r a s t u d e n t ë v e t ë
W E L L E S L E Y C O L L E G E
1 1 P r i l l, 1 9 7 5.
Pesëdhjetë e dy vjet më parë, kur fillova të mësoj këtë profesion – dhe që akoma jam duke mësuar – fotografia ishte një kurs i ri në M.I.T. U regjistrova nga kurioziteti. Eksperimenti im i parë ishte kur fotografova këndin Jug – Perëndimor të godinës së Institutit, nga dritarja e laboratorit. Ishte një ditë e ndritëshme, ora 1:30 mbasdite, data 9 Tetor, 1924. Përdora një film portreti 4 x 5 dhe shpejtësia e ekspozimit ishtë ½ sek. Përkthyer në teknologjinë e kohës, filmat e sotëm janë qindra herë më të shpejtë. Duke vën në përdorim shpejtësi në rritje të filmimit nga njëra anë dhe burime drite artificiale të dizenjuara posaçërisht për të marrë foto në ambjente të brëndëshme nga ana tjetër, rezultoi në një rritje të pa parë në aktivitetin dhe interesimin tim për fotografinë. Dy burime drite të fuqishme me një kohë-zgjatje shumë të shkurtër, të quajtura ‘’ The aluminum foil photoflash lamp’’ dhe ’’ elektronik flash’’ të njohura si ‘’strobe,’’ që hynë në përdorim në 1931 dhe 1937, sollën një hapsirë të re në fotografinë e subjekteve në lëvizje.
Gjatë viteve 1928-1929, isha inxhinier kërkimesh në fushën e ndriçimit në ‘’Westinghouse Lamp Division.’’ Në 1937, i ftuar në një simpozium para shoqërisë së inxhinierëve, fola për burimet egzistuese të dritës në fotografi. Folësi tjetër në këtë simpozium ishte Dr. Harold E. Edgerton, profesor në M.I.T. Ai foli për zhvillimin e tij të fundit të një ‘’elektronik flash’’ me një shpejtësi intervali drite 1/100.000 sek., që i kishte dhënë mundësi atij të bëj disa foto të jashtëzakonshme. Pas mitingut Dr. Edgerton më tha: ’’Hajde, dua të flas me ju. ’’ Në zyrën e tij më pyeti: ‘’ Çfarë mund të bëjmë me këtë burim drite, sipas këndvështrimit tuaj?’’ Përgjigja ime ishte: Më jepni një dritë 10 herë më të fuqishme dhe unë do largohem nga Westinghouse.
Profesor Edgerton ra dakord të më furnizonte me bateri të dritave të tij për të provuar përdorimin e tyre në reklama aktuale. Siç e dini në atë kohë revista LIFE doli në qarkullim.
Tre katër vjet më parë unë isha konsulent në stabilizimin e fotografisë me ngjyra dhe fotografisë me ‘’ flash ’’ Nganjëherë vrapoja te studioja e Steichen. Sa herë Steichen kishte problem me ndriçimin, ngrinte telefonin duke më pyetur si t’a rregullonte atë apo këtë problem. Unë isha me fat që fillova shpejtë në fotografi dhe që kisha mësuar bazat për të zgjidhur këto probleme. Gjashtë muaj më vonë , Dr. Edgerton më siguroi dritën pesë herë më të fuqishme dhe kishim mbështetjen e AGFA-s. AGFA nxori në përdorim të parin ’’super pan film,’’ që ishte tre herë më i shpejtë se çdo film që kishim në përdorim. Kaluan gjashtë muaj duke bër eksperimente fotografike dhe pastaj u paraqita në LIFE.
Unë nuk kisha ndonjë arësye të veçantë të filloja të mësoja fotografinë. Në shkollën e mesme jetoja në Rumani dhe fotografia ishte me të vërtetë primitive. Më kujtohet eksperimentimi me një nga shokët e mi për të kopjuar fotografi duke i printuar nga negativi. Ishte çështja të vendosje letër mbi negativ në dritare me diell dhe vazhdonte për një minute ose dy, para se të merrje një imazh.
Në përgjithësi, trainimi im në inxhinieri, reduktoi marrjen time me fotogafi në një ushtrim më logjik dhe lexueshmëri. Duhej të kisha një arësye të fortë të bëja një foto dhe duhej të dija si të zgjidhja problemet teknike që imazhi të mund të fliste qartë. Kjo mënyrë të menduari m’a bëri të lehtë të pranoja besimin e Edward Weston. ‘’Kamera duhet të përdoret në shërbim të sendit vetë dhe më esenciales, çfarë do të jetë, një metal i lustruar, apo dridhje e një trupi.’’
Linjat e mprehta ishin një nevojë teknike dhe duke prezantuar realitetin , duke ngrirë momentin, dukej e mjaftueshme në vetvete.
Por me kohë unë kuptova, se duke humbur një pjesë nga çfarë kisha në studio nga një zjarr i papritur, do të fitoja një një vizion më të lirë, madje më kompleks.
Ishte viti 1969, kur fotografova baletin Xheri Robin, ( Jerry Robin ) Dancers at a Gatherig, me qëllim ia lash shansit, që elementët e paformë të bëheshin pjesë e kompozimit. Në të njejtën kohë, me sekuenca ‘’strobe-light,’’ që tashmë ishte pjesë e punës time dhe ku shquhesha, gjithashtu rregjistrova në të njejtin film imazhet e çastit që shfaqeshin me ndriçim normal, kur kamera është e hapur në çdo sekondë. Çfarë më kënaqi mua është se në një mënyrë apo në një tjetër, pjesërisht nga sensi si e shihja baletin, që unë e kisha fituar nga fotografimet e vazhdueshme dhe shikimet e tij, pjesërisht nga shansi, isha në gjendje të ruaj lidhjen gjatë lëvizjes. Duket sikur një kombinim rrethanash të paparashikuara ishin bashkuar të krijojnë një moment të veçantë, që s’mund të realizohet përsëri. Imazhi që rrjedh ndofta nuk ka kjartësinë dhe mprehtësinë e një imazhi të çastit, por një vazhdimësi e bashkërenditur e lëvizjeve dhe shpesh herë kjo më magjepste më shumë se një realitet i papërzier, i pastër. Me fjalë të tjera, unë isha duke provuar të poetizoj me kameran. Unë gjithmonë filloj me ide të paramenduara, të cilat më shërbejnë si udhërrëfyes.
Njëherë shkova në teatër gjatë provës finale. Në kohën që ata kërcenin drejtova kameran nga kërcimtarët , me kohë nga 1/2 sek. në 1 sek., të shihja ç’mund të kapja.
Por ajo që bëra ishte; jo ta mbaja kameran të fiksuar, por t’a lëvizja në drejtim të kundërt të lëvizjes së kërcimtarëve, duke shpresuar që në çdo rast që do të kishte një qëndrim në lëvizjen e tyre, duart e mia do të ishin gjithashtu të fiksuara dhe kështu do të mund të kisha në imazh një çast të fiksuar të mprehtë, që mund të kundërbalanconte sensin e lëvizjes, i cili mund të kapej ndryshe.
Eksperienca më kishte mësuar thënien e Heraklitit: ‘’Nëse ju nuk e prisni diçka, ju nuk do të gjeni të papriturën, sepse është e mundimshme dhe e vështirë.’’ Shpesh u them studentëve, se nganjëherë është pasiguria që realizon një fotografi. Ka diçka rreth kësaj, që thjesht evidenton ligjet e probabilitetit. Kështu për mua këto janë të gjitha aksidente.
Unë në të vërtetë nuk jam i interesuar për artin, unë jam i interesuar për fotografinë, çfarëdo që mund të jetë. Unë nuk erdha këtu si fotograf; unë erdha këtu si humanist. Të tentoj t’ju mësoj ju fotografinë do të ishte një dështim. Si mund t’ju mësoj diçka, që më mori mua 50 vjet t’a mësoj dhe harroj?