
Fitim Zekthi/
Njerëzit hyjnë në politikë duke pasur disa ide të caktuara politike, të cilat synojnë t’i zbatojnë brenda kufizimeve që lejon gara apo konkurrenca politike. Nëse njerëzit nuk kanë ide politike, domethënë nuk kanë ide mbi shtetin, mbi njeriun, mbi ekonominë, mbi taksat, mbi fenë, mbi shoqërinë etj., atëherë ata hyjnë në politikë vetëm për ta përdorur atë për qëllime të fitimit personal material, të kënaqjes së egove apo epsheve të veta. Nuk ka si të kenë qëllime të tjera. Këta lloj politikanësh do të bëjnë gjithçka për të vjedhur, për të dominuar e sunduar dhe, sigurisht, për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Ata që hyjnë në politikë me ide politike mund të bëjnë dëme ose gabime, mund të duan të kënaqin egot apo ambiciet e tyre, por nuk e kanë mendjen te vjedhja dhe batërdia. Ata mund të duan të qëndrojnë në pushtet dhe mund të përdorin mjete të gabuara apo të dëmshme, sepse mund të shkëputen nga realiteti dhe mund t’i mashtrojë mendja se e bëjnë këtë për të zbatuar idetë e tyre dhe për të ndihmuar njerëzit.
Kjo vlen për politikanët dhe partitë që synojnë të marrin pushtetin dhe kanë mundësi reale për ta fituar atë, pra që luftojnë për pushtet. Kur politikanët nuk kanë ide politike dhe, për më tepër, nuk kanë as mundësi reale për ta marrë pushtetin, pra nuk kanë asnjë shans të fitojnë zgjedhjet, atëherë ata ndodhen në mjerimin më të madh të interesave të tyre të ulëta. Ata do të përpiqen me çdo kusht të qëndrojnë në lojë dhe të përfitojnë nga marrëdhëniet apo pazaret e vogla e të ulëta me pushtetin.
Ata synojnë dy gjëra: së pari, të ruajnë pozicionin politik që kanë, meqenëse pushtetin nuk kanë asnjë shans ta kërkojnë e ta fitojnë; së dyti, të marrin çdo avantazh të mundshëm ekonomik apo material nga pushteti. Kjo ndodh kur pushteti ka interes t’u japë diçka. Për politikanë të tillë pushteti ka gjithmonë nevojë.
Prandaj politika është, në thelb, garë për pushtet përmes një bashkësie idesh politike — idesh që kanë koherencë dhe konsistencë dhe që nisen nga një premisë logjike, prej së cilës burojnë qëndrimet për ekonominë, shtetin, rendin, familjen, seksin, pronën, komunizmin apo fashizmin etj. Siç thoshte Karl Schmitt, kur kjo nuk ndodh, atëherë “politikanët” nuk janë më në politikë, por në mjerimin e personales së tyre.
Në Shqipëri kjo gjendje është ulur këmbëkryq; ka zënë rrënjë, të cilat, ndonëse kanë shkuar thellë, sot po kërcënohen nga drejtësia. Këtu qëndron edhe thelbi i krizës së pashembullt që po përjetojmë.