
Prof. dr. Roland Gjini/
Bombardimet intensive të NATO-s dhe përkrahja e opinionin ndërkombëtar ndaj luftës së drejtë të popullit kosovar, bënë që pushtimit serb të kësaj krahine t’i jepet fund në fillim të qershorit. Kjo u pa që në fund të muajit maj të atij viti (1999), kur presidenti amerikan, me anë të një fjalimi radiofonik, përshëndet popullin shqiptar të Kosovës, duke i dhënë njëkohësisht kurajo dhe shpresë të madhe për fitoren dhe të ardhmen e vet. Ky fjalim është botuar në vendin e kryeartikullit, në anglisht, të gazetën Dielli të numrit të muajve prill-qershor 1999. Kryeartikulli titullohet: “PRESIDENT CLINTON’S RADIO ADDRESS TO THE KOSOVA ALBANIANS” (Fjalimi radiofonik i presidentit Klinton drejtuar shqiptarëve të larguar të Kosovës). Në fjalën e tij presidenti amerikan, mes të tjerash, tha (shqipëruar): “Ju e latë Kosovën për një qëllim: të ktheni sigurinë. SHBA dhe aleatët e saj në NATO po punojnë për të njëjtin qëllim. Do të duhet kohë. Por me forcën tuaj dhe vendosmërinë tonë, nuk ka dyshim se cili do të jetë rezultati. Ju do të ktheheni. …Fushata jonë ushtarake po shton çdo ditë presionin ndaj udhëheqjes serbe dhe ndaj forcave serbe në Kosovë. Ata e dinë që ne do të ngulmojmë derisa forcat serbe të largohen dhe ju të lejoheni të ktheheni në shtëpi, me NATO-n atje për të parandaluar rikthimin e dhunës.” (Dielli, nr. 2.1999)
Pas 78 ditë bombardimesh mbi Beograd e Serbi, NATO ndërpret bombardimet në datë 9 qershor 1999. Mes NATO-s dhe Republikës Federative Jugosllave nënshkruhet e njohura Marrëveshja e Kumanovës, e cila hyri në fuqi dy ditë më pas, më 11 qershor 1999. Sipas kësaj Marrëveshjeje, Serbia do të tërhiqte nga Kosova të gjtha forcat e saj policore dhe ushtarake. Nga ky moment Kosova do të jetë e lirë. Lidhur me fatin e saj politik pas çlirimit nga Serbia, vendosi Këshilli i Sigurimit të OKB-së me Rezolutën nr. 1244. Sipas kësaj rezolute, e miratuar në datën 10 qershor 1999, formalisht Kosova do të qëndronte nën sovranitetin e Jugosllavisë, por nga ana administrative e ushtarake ajo do të varej nga mbikqyrja ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara. Një ditë më pas, datë 11 qershor, largohen forcat serbe për t’ia lënë vendin forcave paqeruajtëse KFOR, në përbërje të të cilave kishte edhe trupa ruse. Praktikisht Kosova fitoi lirinë nga sundimi shekullor serbo-sllav.
Për të njoftuar, njëkohësisht edhe për të vlerësuar, mbarimin e luftës dhe çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, gazeta Dielli, po në numrin e saj të muajve prill-qershor 1999, boton në faqen e parë, përkrah fjalës së presidentit Klinton, një shkrim të gazetarit nga Shqipëria Mero Baze, me titull: “Perëndimi e bëri luftën për Kosovën, Kosova të bëjë paqen për Perëndimin.” Artikulli nis me këtë vlerësim të autorit për këtë ngarje të madhe: “Lufta mbaroi dhe Kosova ka përpara saj betejën më jetike për të justifikuar faturën e lirisë.
Angazhimi i NATO-s, SHBA-së dhe i vendeve perëndimore për çlirimin e Kosovës tashmë është një detyrim i madh për shqiptarët, të cilët duhet të bëhen partnerë të denjë të Perëndimit në ndërtimin e paqes. Kosova, e çliruar sot nga Serbia është një vend, që ka përpara pikëpyetjet e mëdha të ndërtimit të së ardhmes, konfrontimin e egër me çmimin që duhet të paguajë për lirinë e saj dhe, mbi të gjitha, sfidën e ndërtimit të shtetit, i cili do të jetë prova e zjarrit për të justifikuar jo vetëm ëndrrën e shqiptarëve për pavarësi, por edhe angazhimin historik të perëndimit në betejën shqiptaro-serbe.” (Gazeta Dielli, nr. 2. 1999)
Në artikullin e tij përshëndetës për çlirimin e Kosovës nga serbët, autori Mero Baze sheh të mundshme tri rrugë që Kosova të bëhet e të konsolidohet si një shtet i pavarur i besueshëm:
Së pari, ai nënvizon aftësinë shtetformuese të Kosvës. Ai thotë, që megjithëse nga viti 1989, Kosova tregoi se mund të funksionojë si një shoqëri pa pasur nevojë serbe, përsëri Kosova ka shumë për të bërë për të mbyllur gojët e liga dhe për të filluar maratonën e vështirë të ndërtimit të shtetit. Këtu nis beteja e vërtetë e lirisë së Kosovës dhe deri tani, këto janë të vetmet prova që mbajnë gjallë shpresën e perëndimit te vlerat e shoqërisë së Kosovës, thekson autori.
Së dyti, procesi i formimit dhe i kosolidimit të shtetit të ri në Kosovë duhet të sigurojë një konkurencë të ndershme politike. Për këtë autori tërheq vëmëndjen që në Kosovë duhet të mos krijohet precedenti i atentateve politike dhe eleminimeve fizike, një dukuri primitive që rrezikon të eksportohet nga Shqipëria. Vrasja e Azem Hajdarit do të jetë fatalitet, në se fillon e ngulitet në skenën politike të Kosovës. Në vazhdim z. Baze përmend që raportet e Tiranës me Prishtinën të jenë raporte që të nxisin komunikimin gjithëshqiptar, por jo të jenë pika vlerësimi për orientimin kombëtar të njërit apo tjetrit kah politik. Tirana, aktualisht, nuk është një qendër që mund të ofrojë diçka të mirë për shqiptarët, përpos asaj që arriti të bëjë me refugjatët. Sipas autorit është mirë që klasa politike e Kosovës të formohet larg kësaj kënete që ka emrin klasë politike e Tiranës dhe të konkurojë në Kosovë … me vlerat që ajo vetë paraqet para shqiptarëve.
Së treti, në rrugën e re që ka nisur Kosova, autori thekson që ajo duhet të ruajë aleancën me Perëndimin. Deri më sot. Kosova fitoi mbështetjen e perëndimorëve, pasi ajo ishte një viktimë e barbarisë dhe e sundimit të antivlerave mbi njeriun. Për të ruajtur aleancën me Perëndimin, tanimë nuk varet nga Millosheviçi… për të qenë aleatë me Perëndimin duhet të tregojmë vlera perëndimore, që janë vlera universale, që kanë të bëjnë me sistemin demokratik dhe aftësinë vetëqeverisëse. Për këtë, z. Baze, nënvizon se ruajtja e aleancës së Kosovës me Perëndimin do të kalojë doemos nga krijimi i elitës properëndimore në Kosovë dhe humbja e monopolit të inteligjencies së formuar nga shkolla jugosllave, e cila do të përpiqet të jetojë për shkak të vakuumit. (Dielli, nr. 2. 1999)
Në mesin e tetorit të vitit 1999 një delegacion i Vatrës, i kryesuar nga kryetari i saj z. Agim Karagjozi shkon në Kosovë për një vizitë. Kësaj vizite gazeta Dielli e muajve Korrik – dhjetor 1999 i kushton 2 faqe reportazh, shkruar nga kryetari i Vatrës. Në përbërje të delegacionit kishte përfaqësues nga Vatra, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dega New York-New Jersey-Conecticut, Shoqata Atdhetare Dibrane, Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe individë e intelektualë me prejardhje nga tërë trojet shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Më 15 tetor delegacioni mbrriti në aeroportin e Shkupit dhe nga këtu kaloi Hanin e Elezit e u fut në Kosovë, Gjatë qëndrimit disa ditor në Kosovë ata viziuan Prishtinën, më tej udhëtuan e bënë vizita në Mitrovicë, Prekaz, Pejë, Grykë të Rugovës e Prizren. Gjatë qëndrimit në Prishtinë vizituan varret e Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit e djemve të tij. Më pas vizituan Universitetin e Prishtinës dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Në një takim të veçantë delegacioni u prit nga kryetari i Republikës së Kosovës, zoti Ibrahim Rugova, i cili pasi u uroi mirëseardhjen shprehu optimizmin e tij për një të ardhme të mirë të Kosovës. Në takime të veçanta delegacioni i Vatrës dhe i shqiptarëve të Amerikës u prit edhe nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Zenel Kelmendi, nga përgjegjësi i Biliotekës Kombëtare z. Haxhi Vokshi. Në takimin që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës me kryetarin e këtij kuvendi, akademik Idriz Ajeti, ky i fundit u foli me konsideratë të lartë për shërbimet që “Vatra” i ka bërë çështjes kombëtare dhe kontributin e saj për kulturën shqiptare. Interesant është fakti që në këtë vizitë në Kosovë, krerët e delegacionit të mërgatës shqiptare në Amerikë, u takuan në Prishtin me zotin Bujar Bukoshi, në cilësinë e krryeministrit të Kosovës. Themi ky është fakt interesant pasi që nga muaji prill 1999 në rolin e kryeministrit të Kosovës, por të përkohshëm, UÇK-ja ka caktuar z. Hasim Thaçi. Deri në vitin 2001, kur në Kosovën e çliruar për herë të parë do të bëhen zgjedhje të lira, këta do të drejtojnë dy qeveri paralele. Delegacioni i “Vatrës” zgjodhi për të takuar kryetarin e qeverisë dikur në ekzil, të drejtuar nga z. Bukoshi, të formuar që në vitin 1991 e të financuar me fondin 3%-ësh si kontribut i kosovarëve të mërguar. Kjo zgjedhje e drejtuesve të “Vatrës” mbase shpjegohet me faktin që qeveria e z. Thaçi, jo vetëm që ishte e përkohëshme, por deri atë kohë kishte vetëm përkrahjen e UÇK-së, tashmë të çarmatosur, pas çrimit të Kosovës, si dhe të Partisë së Progresit Demokratik të sapokrijuar ato ditë që kishte ardhur delegacioni. Ndërsa qeveria e mëparshme e zotit Bujar Bukoshi, e ardhur nga Gjermania, kishte mbështetjen e Lidhjes Demokratike dhe të kryetarit të saj, njëkohësisht edhe presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili vazhdonte të gëzonte reputacion të madh për rrugën paqësore të ndjekur për të ardhmen e Kosovës. Artikulli, i shkruar nga kryetari i “Vatrës”, apo gazeta Dielli, nuk njofton për ndonjë takim të këtij delegacioni me krerë apo përfaqësues të UÇK-së.
Gjatë vizitës në Prekaz, ata shkuan edhe te shtëpia e Jasharajve, atje ku heroi legjendar Adem Jashari. më 5 mars 1998, nisi i pari luftën me armë për çlirimin e Kosovës dhe bashkë me të vëllain, Hamzën, dhe burrat e tjerë të Jasharajve luftuan trimërisht, derisa u flijuan të gjithë ata dhe familja e tyre e madhe, Për të kuptuar se çfarë shkatërrimesh i solli lufta dhe serbët Kosovës, autori i reportazhit përshkruan Pejën që ai pa gjatë vizitës: “Peja është padyshim qyteti më i dëmtuar i Kosovës. Atje sheh jo vetëm ndërtesa të shkatërruara individualisht, por edhe mëhalla të tëra të shkatërruara. Në çarshinë e saj, qendër artizanati e tregtie, që tërhiqte klientë nga i gjithë rrethi dhe zinte vend të rëndësishëm në ekonominë e qytetit, nuk ka mbetur një dyqan në këmbë. Dhe prapë pejani sot është mirënjohës që syri nuk i sheh më serb kurrkund.” (Gazeta Dielli, nr. 3-4, 1999) Z. Agim Karagjozi e mbyll reportazhin me fjalët optimiste se pavarësisht se me plagë të rënda nga okupimi barbar serb dhe ballë vështirësish ekonomike e problemesh politike të tashme, populli i Kosovës është angazhuar me entusiazëm e vetëbesim në ndërtimin e jetës së tij të re në liri, i vendosjur në kërkesën e drejtë për çlirimin e tërësishëm të Kosovës dhe arritjen e pavarësisë.
Në fakt gjysma e dytë e vitit 1999 dhe gjithë viti 2000, sa i takon qeverimit të Kosovës,, situata nuk jepte ndonjë siguri e efektivitet të dukshëm. Sipas Marrëveshjes së Kumanovës, Kosovën do ta qeveriste Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë gjatë kësaj kohe vazhdonin ta quanin veten qeveri edhe dy qeveritë e mëparshme vendase: qeveria e Bujar Bukoshit, e cila pas përfundimit të luftës ishte kthyer në Kosovë, si dhe qeveria e cila e quante veten të përkohëshme, ajo e dalë nga UÇK-ja, e kryesuar nga Hasim Thaç dhe e formuar që në prill të vitit 1999. Ekzistenca e këtyre tri qeverive paralele dëshmon se në Kosovë, situata e brendshme, pavarësisht se lufta kishte mbaruar, ishte e paqartë dhe jo fort e kënaqshme. Binte në sy përçarja e brendshme politike. Qeveria e Bukoshit gëzonte mbështetjen e Lidhjes Demokratike dhe të presidentit Rugova, qeveria e Thaçit dikur mbështetej nga UÇK-ja. kurse tani nga Partia Demokratike e Kosovës (ish Partia për Progres Demokratik, e formuar në tetor të vitit 1999). Duhet pranuar se nga çlirimi i saj nga serbët, viti 1999, deri në fillim të vitit 2008. në prag të shpalljes së pavarësisë, boshtin e jetës politike në Kosovë e përbënte antagonizmi mes dy partive politike kryesore: PDK-së dhe LDK-së. PDK-ja mburrej se kishte bërë luftën me armë dhe ishte kontribuesja kryesore e brendshme në çlirimin e Kosovës, ndërsa LDK-ja e Rugovës vlerësonte rrugën e saj paqësore, por të vendosur në arritjen e lirisë së Kosovës. Në këtë situatë federata “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës i vlerësonte të dyja këto forca për kontributin e tyre, por po të shohim disa qëndrime konkrete të “Vatrës”, që pasqyrohen nga gazeta Dielli, siç ishte rasti i vizitës të përfaqësuesve të “Vatrës” në Kosovë në Tetor të vitit 1999, më pranë kjo federatë qëndronte me LDK-në dhe presidentin Rugova. Kjo shihet edhe në përshëndetjen që kryetari i Vatrës, z. Agim Karagjozi bën me rastin e 10 vjetorit të themelimit të LDK-së. Kjo përshëndetje është botuar në numrin e parë të gazetës Dielli të vitit 2000. Në këtë përshëndetje, z. Karagjozi, mes të tjerash, bëri këto vlerësime për LDK-në: “… Ky përvjetor e kjo festë na bëjnë t’i hedhim sytë nga dhjetë vitet e kaluara e të vlerësojmë drejt rolin që ka luajtur dhe kontributin që ka dhënë LDK-ja për çështjen madhore kombëtare shqiptare që nga themelimi e deri më sot. … Nën udhëheqjen e LDK-së shqiptarët e Kosovës morën qëndrime dhe një sërë hapash konkretë të një niveli që tashmë kanë zënë vend si ngjarje të shënuara në historinë e kombit shqiptar. Këtu hyjnë Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, Shpallja e Republikës së Kosovës më 1 shtator të të njëjtit vit, referendum popullor në shtator të vitit 1991 dhe zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 24 maj 1992 dhe 22 mars 1998. … të gjitha këto u kryen në rrugën e qëndresës paqësore të përcaktuar nga vetë kosovarët, me vendosmëri dhe guxim përpara përndjekjeve e terrorit të policisë kriminale serbe. … Dhe njëherë i shprehim LDK-së përgëzimet tona të ngrohta për punën e madhe që ka bërë këto dhjetë vjet dhe tani që Kosova u çlirua, i urojmë frymëzim të përtëritur për të vazhduar përpjekjet e palodhura për arritjen e çlirimit të tërësishëm dhe pavarësisë-dhe për ndërtimin e një shoqërie shqiptare demokratike në Kosovë,” përfundon përshëndetja. (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000),
Po kjo gazetë njofton për një takim të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me ambasadorin Kristofer Hill, këshilltar i presidentit Klinton për Ballkanin dhe një nga njohësit më të mirë të çështjes së Kosovës, njëkohësisht edhe ndërmjetës për zgjidhjen e saj.
Takimi u zhvillua më 23 shkurt 2000 në Manhatan të Nju Jorkut. Në takim, mes të tjerash, z. Hill tha: “… Sot SHBA-të, NATO-ja dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare po përpiqen për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme dhe për ndërtimin e një shoqërie demokratike multietnike në Kosovë” (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000). Më pas zoti Kristofer Hill foli për provokimet e shkaktuara nga të dy palët etnike kryesore në Kosovë: shqiptarët, që ishin në shumicë dërrmues, e serbët në pakicë. Duke përfituar nga situata e paqartë qeverisëse, si dhe nga përçarja e faktorët politik shqiptar, në veri të Kosovës, në Mitrovicë pati përplasje mes shqiptarëve e serbëve që me fillimin e vitit 2000. Prandaj z. Hill tërheq vëmendjen se provokimet nuk shkojnë në të mirë të bashkëjetesës paqësore mes elementëve etnikë që banojnë në Kosovë dhe porosit: “Shqiptarët nuk duhet të bien në kurthin e armiqve të tyre, Provokimet, vrasjet dhe veprimet e tjera të kësaj natyre destabilizojnë situatën dhe rrezikojnë arritjen e qëllimit kryesor, pavarësinë e Kosovës. Ne e kuptojme më së miri gjendjen shpirtërore të të gjithë atyre që humbën njerëzit ë familjes, shtëpitë, pasurinë, por është e nevojshme që të përmbahemi dhe të respektojmë vendimet ndërkombëtare, sepse vetëm kështu mund të sigurohen ditët e mira e të lumtura për popullin e Kosovës.” (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000)
Lidhur me pyetjen kryesore se cila do të ishte e ardhmja e Kosovës pas çlirimit të saj nga serbët, gazeta Dielli boton disa sqarime e vlerësime të ambasadorit Kristofer Hill, të bëra në Radion “Evropa e lirë” si dhe në vizitën që zhvilloi në Kosovë ne muajin mars të vitit 2000. Për të përmbajtur padurimin e kosovarëve për të krijuar një shtet të pavarur të vetin, ambasadori Hill në radion “Evropa e lirë”, u shpreh: “… në Rambuje është saktësuar se statusi i ardhshëm i Kosovës do të përcaktohet në një process ndërkombëtar … mbrojtja e të gjitha bashkësive etnike tani është shumë e nevojshme, ndërsa nga Marrëveshja e Rambujesë mund të shfrytëzohen shumë gjëra … Kosovës i nevojiten institucione. Tash për tash ka pak institucione dhe se duhet të mendojmë si të gjejmë rrugët më të mira për ndërtimin e demokracisë që është kyçe për Kosovën.” (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000) Ndërsa një pyetjeje të gazetarit të radios lidhur me situatën te liderët e sotëm të Kosovës, z. Hill u përgjigj: “Unë jam i demoralizuar me liderët e Kosovës, me liderët të cilët kanë qëndrime të tepruara radikale. Jam i demoralizuar edhe me liderët e moderuar të cilët nuk e dëshmojnë këtë orientim. Liderizmi nënkupton edhe përgjegjësinë. Njerëzit duan të jenë liderë, por nuk dëshmojnë kurrfarë përgjegjësie. Kjo situatë do të duhet të përmirësohet dhe prandaj duhet të mbahen zgjedhjet.” (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000). Po ashtu, lidhur me situatën e trazuar në Kosovë në vitin 2000, në vizitën që ai kreu në mars të atij viti në këtë vend, bashkë me diplomatët e tjerë amerikanë që e shoqëronin, dolën me një deklaratë ku, mes të tjerash u shprehën: “… administrata amerikane është e brengosur që liderët shqiptarë të Kosovës nuk kanë bërë atë që kanë mundur në mënyrë që të parandalojnë dhunën dhe aktivitetet kriminale” Ndërsa rreth ngjarjeve të Mitrovicës z. Rubin, anëtar i delegacionit amerikan, tha se e ka vizituar këtë qytet dhe ka vërejtur se për zgjidhjen e këtij problemi “është vendosja e bashkëekzistencës midis serbëve dhe shqiptarëve” dhe theksoi më tej se “ekstremistët nga të dyja palët, në veçanti ata shqiptarë, duhet të kuptojnë se nuk do të kenë sukses në qëllimet e tyre. Ata duhet ta dinë që e gjithë kjo shkon në favor të pushtetit në Beograd, i cili po bën çmos që të pengojë bashkëekzistencën në Kosovë dhe këtij pushteti as që i interesojnë problemet e serbëve të atjeshëm.” (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000)
Kosova vërtet u çlirua nga serbët, por çështja e Kosovës ende nuk ka marrë zgjidhje të plotë. Shumë probleme të saj ose ende nuk ishin futur në rrugën e zgjidhjes, ose ishin lënë pezull. Gjendja e turbullt dhe e trazuar në Mitrovicë u agravua më tej kur zëra të caktuar, sidomos nga Serbia, kërkonin ndarjen e saj, madje më tej, serbizimin e plotë të saj. Duke përfituar nga “toleranca” e trupave ushtarake paqeruajtëse franceze, që ishin caktuar për të mbikqyrur këtë zonë, forcat militare e paramilitare serbe kishin filluar të përdornin strategjinë e terrorit ndaj shqiptarëve, sidomos në Mitrovicën e Veriut. Shumë shqiptarë u vranë e mjaft të tjerë ishin të detyruar të largoheshin për t’i shpëtuar reprezaljeve. Për këtë situatë të rënduar e të ndërlikuar reagoi menjëherë mërgata e shqiptarëve të Amerikës, të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Federata “Vatra” dhe Shoqata patriotike “Kosova”, që zhvilluan më 11 shkurt 2000 në Nju Jork një protestë të madhe, ku merrnin pjesë edhe kandidati për president i SHBA-së, senatori amerikan McCain, si dhe personalietete të tjerë amerikanë. Protestuesit i kërkuan administratës amerikane dhe institucioneve ndërkombëtare ndalimin e ndarjes së Mitrovicës, rikthimin e shqiptarëve të larguar me dhunë nga Mitrovica dhe lirimin nga regjimi serb i mbi 5000 shqiptarëve që mbaheshin të burgosur në kushte çnjerëzore. Lidhur me këtë protestë, gazeta Dielli boton një artikull në një faqe të brendshme të saj, shkruar nga Arsen Kruja. Në artikull shkruhet se përveç senatorit McClain, i cili vite më parë kishte vuajtur vetë burgjet komuniste në Vietnam, kishte edhe një prani të pazakontë të gazetarëve të masmediave amerikane, të cilët do të arrinin të sensibilizonin opinionin amerikan për kërkesat e drejta të shqiptarëve. Protestuesit brohoritën së tepërmi kur fjalën e mori senatori McCain, i cili ndër të tjera tha: “… deri në fund do të kërkoj e luftoj për lirimin e të gjithë të burgosurve shqiptarë që mbahen në burgjet e diktaturës serbe. Nuk do të ketë në asnjë mënyrë ndarje të Kosovës. E kam përkrahur dhe do të përkrah gjithmonë çështjen kosovare. Për këtë qëllim i kam dhënë përkrahje presidentit Klinton dhe i kam kërkuar radikalizim të politikës amerikane në sulmet e NATON-s, deri në kërkesën time para senatit për ndërhyrje me trupat ushtarake si zgjidhja më e efektshme e më e shpejtë.” (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000)
Në fjalën e tij presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe Dio Guardi theksoi se pavarësia është alternativa e vetme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe një paqe të qëndrueshme në rajonin e nxehtë të Evropës. Në këtë tubim madhështor përshëndeti edhe ish kosulli shqiptar në Stamboll, njëkohësisht edhe aktivist i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, z. Mal Berisha, i cili shprehu falenderimet e tij për politikën amerikane, “për atë që bëri në fillim të shekullit përmes Presidentit Willson, duke ruajtur ato pak troje që i mbetën shtetit shqiptar. Ishte një Willson tjetër, ai që në fund të shekullit shpëtoi pjesën tjetër të Shqipërisë, Kosovën. Le të brohorasim njëzëri: Willson-Klinton”.
Një artikull tjetër, po në këtë faqe të gazetës Dielli, i tërheq vëmendjen shqiptarëve, që tani, pas fitores së lirisë, të mos hakmerren dhe të evitojnë shfaqjet e dhunës ndaj minoritetit serb në Kosovë. Ky artikull, shkruar nga Artur Kopani, është ndalur në fjalën e kongresmenit Eliot Engel në protestën e komunitetit shqiptar të 11 shkurtit 2000. Në fjalën e tij, mes të tjerash, ai u kërkoi pjesëmarrësve në këtë takim që të ndikojnë te të afërmit e tyre në Kosovë që shqiptarët të mos e përsërisin atë që iu bënë serbët atyre. Më tej, ai nënvizoi se spiralja e dhunës në Kosovë është e rrezikshme për përpjekjet që po bëhen nga komuniteti ndërkombëtar për vendosjen e paqes dhe ndërtimin e institucioneve demokratike. Populli shqiptar i Kosovës duhet të tregojë vetëpërmbajtje që të mos humbë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Kongresmeni tha gjithashtu se ishte i angazhuar vazhdimisht si në Kongresin Amerikan, Departamentin Amerikan të Shtetit, por edhe në takimet e drejtpërdrejta me Presidentin Klinton që SHBA të mbështesë të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe pavarësi. (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000)
Një tjetër artikull i po këtij numri i dedikohet 10-vjetorit të formimit të LDK-së, për nder të së cilës më 30 janar 2000, Dega e LDK-së për Kosovën e Kanadasë, shtroi një darkë në restorant”Debal garden” të Bruklinit, në Nju Jork. Këtu përveç anëtarëve të kësaj dege e të Federatës “Vatra”, merrnin pjesë disa miq të mëdhenj amerikanë të Kosovës, si Eliot Engel, William Walker, Bianca Jagger, Jeffrey Klein, Jose Riviera e të tjerë, Fjalën kryesore në këtë darkë, pas përshëndetjeve të Eliot Engel e Bianca Jagger, e mori kryetari i degës së LDK-së për Nju Jorkun, z. Marian Cubi, i cili foli për veprimtarinë 10 vjeçare të LDK-së. Mes të tjerash ai tha se LDK-ja organizoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik 1990, shpalljen e Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator 1990 dhe, më vonë, së bashku me subjektet e tjera politike që ishin formuar, Referendumin për Pavarësinë në vitin 1991 dhe, në vitet 1992 dhe 1998, bashkëorganizoi zgjedhjet demokratike paralamentare dhe presidenciale. Një veprimtari shumë e rëndësishme e LDK-së, sipas M. Cubit, ishte krijimi i Fondit të Qeverisë së Kosovës, që u përkrah nga shoqatat dhe organizatat e tjetra të komunitetit, veçanërisht nga “Vatra”, e cila ka qenë përkrahësja më e madhe e veprimtarisë së LDK-së. (Gazeta Dielli, nr. 1. 2000) Në këtë fjalim del qartë edhe një herë simpatia e madhe e Federatës “Vatra” për LDK-në, drejtuesin e saj Ibrahim Rugova dhe qeverinë e saj, që më së shumti veproi në ekzil, në Gjermani.
Çlirimi i Kosovës dhe vënia e saj nën admninistrimin ndërkombëtar nuk u pranua nga regjimi serb. Jo vetëm kaq, por politika dhe propaganda serbe e quajtën një padrejtësi bombardimin ndaj saj të NATO-s dhe premtuan se nuk do të pranonin kurrë shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Në ndihmë të demagogjisë serbomadhe, si përherë ishte Kisha Ortodokse e Beogradit, e cila e konsideronte Kosovën si “djepin e ortodoksisë serbe”. Lidhur me ekzistencën e besimit të krishterë (ortodoks apo katolik) në Kosovë apo në të gjithë trojet shqiptare, si dhe spekullimeve që bëjnë lidhur me praninë e këtyre besimeve qarqet shoviniste serbe apo greke, gazeta Dielli, në numrin e saj të dytë për vitin 2000, boton një shkrim nga akademik Mark Krasniqi. Në artikullin me titull “Pagëzimi dhe asimilimi i dhunshëm i shqiptarëve nga pushteti dhe kisha ortodokse serbe e greke”, ai theksos se populli shqiptar, ka qenë i pari në Ballkan që ka përqafuar fenë kristiane, pasi ilirët, që në shekullin e parë të erës së re, i shkuan pas apostullit Shën Pal, braktisën besimin pagan dhe u kthyen në të krishterë. Pas skizmës (ndarjes së krishtërimit në dy sekte: katolicizmi dhe ortodoksia) trevat shqiptare, pra edhe Kosova i përkisnin të dy besimeve të krishtera: Shqipëria e veriut dhe Rrafshi i Dukagjinit Kishës Katolike të Perëndimit dhe Shqipëria e mesme, ajo e jugut si dhe Kosova Kishës Ortodokse të Lindjes. Me kalimin e kohës, shkruan akademik Mark Krasniqi, Kisha Katolike fitoi parime universale e drejtuar nga Vatikani, ndërsa Kisha Ortodokse e Lindjes fitoi parime nacionale, fillimisht e drejtuar nga Kostandinopoja e pas ardhjes së osmanëve të Ballkan nga Patrikana e Stambollit. Parimi nacionalist i ortodoksisë qëndron në faktin që shteti dhe besimi nuk kanë qenë të ndara, por shteti është konsideruar njëkohësisht si bashkësi fetare dhe politike. Këtë parim e huazuan edhe shtetet ballkanike ortodokse, si Greqia dhe Serbia, të formuara në shekullin XIX pas shkëputjes nga Perandoria Osmane.
Nga formimimi i shteteve të Greqisë e Serbisë në shekullin XIX e në vijim, zhvillimi i politikës së tyre shoviniste, veçanërisht ndaj shqiptarëve, mbështetej fort nga Kisha Ortodokse. Një paraqitje të qartë për zbatimin e platformave shoviniste të këtyre vendeve nga Kisha, na e jep akademik Krasniqi në artikullin e lartpërmendur: “… Kisha ortodokse ka qenë faktor i fortë në zbatimin e një politike antinjerëzore e antikristiane. Kjo kishë, si në viset shqiptare të pushtuara nga grekët, ashtu edhe në viset e pushtuara nga Serbia, i detyronte shqiptarët të flisnin greqisht, përkatësisht serbisht, në kishë, në shkollë, në rrugë dhe në familje, sepse sipas popave ortodoksë: Zoti vetëm në këto gjuhë i kupton dhe i merr parasysh lutjet e besimtarëve …
Nga ana tjetër, foshnjet shqiptare pagëzoheshin me emra grekë e sllavë, kështu që në bazë të antroponomisë së shekujve të kaluar nuk mund të vërtetohet përkatësia kombëtare e shqiptarëve në dokumentat historike të kohës. Për më tepër, kishat greke dhe serbe të gjithë shqiptarët ortodoksë i konsiderojnë grekë, përkatësisht serbë, madje edhe ata në Shqipëri”. (Gazeta Dielli, nr. 2. 2000)
Ndërkohë, serbët propogandojnë se kohëve të fundit shqiptarët u kanë zaptuar objektet e kultit të tyre të krishtera: kishat e manastiret ortodokse. Sipas Mark Krasniqit kjo nuk është aspak e vërtetë: “Sot në Kosovë janë 4 kishat më të mëdha e më të bukura që nga mesjeta: Graçanica afër Prishtinës, një në Prizren, në Pejë e në Deçan. Këto kisha Serbia i konsideron edhe sot si monumente historike e kulturore me të cilat përpiqet të justifikojë pretendimet e saj për të sunduar Kosovën, ku 90 për qid të popullsisë së saj janë shqiptarët, kurse vetëm 7 përqind janë serbët e malazezët. Mirëpo, sipas të dhënave historike, këto kisha janë ndërtuar që në kohën e Bizantit, ndoshta me përjashtim të asaj të Deçanit. Pra kishat ekzistonin para ardhjes së serbëve në këto vise … Pas vdekjes së Stefan Dushanit, i cili në shekullin XIII ka sunduar shumë pak në tokat shqiptare, në Shqipëri kanë sunduar despotë (princër, R. Gj.) shqiptarë. … Kuptohet, se në këto kushte, Serbia nuk ka patur mundësi të ndërtojë godina monumentale … Me pushtimin e trojeve shqiptare në shekullin XV, turqit e përhapnin fenë e tyre duke ushtruar dhunë ekonomike e politike mbi popullin shqiptar … Kështu që, shumica e shqiptarëve u detyrua të braktisë fenë e krishterë dhe të kalojë në atë muslimane … Megjithë terrorin e genocidin shtetëror sllav e grek, shqiptarët e kanë ruajtur traditën e tyre të tolerancës fetare e kombëtare. Ata madje i kanë ruajtur edhe kishat ortodokse në Kosovë gjatë pesë shekujve të okupacionit turk … Nga ana tjetër, sot, po këto kisha serbët i marrin si argument për të mbështetur pretendimet e tyre robëruese mbi Kosovën”. (Gazeta Dielli, nr. 2. 2000)
Në qoftë se deri një vit më parë (fillimi i vitit 1999) puna kryesore e “Vatrës” dhe e gazetës së saj Dielli ishte përqëndruar në sensibilizimin e Kongresit, Senatit dhe Administratës Amerikane për të ndëshkuar dhunën e terrorin e pushtuesve serbë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, pas fitimit të lirisë në qershor, vëmendja e mërgatës shqiptare të SHBA-së u zhvendos drejt një synimi tjetër: fitimi i Pavarësisë së Kosovës dhë legalizimi ndërkombëtar i kësaj pavarësie. Këtij qëllimi i shërbeu edhe një takim, më datë 21 korrik 2000, i Lidhjes Demokratike, në bashkëpunim me drejtuesit e Federatës Vatra, me kongresistin demokrat të Nju Jorkut, Joseph Crowley. Në njoftimin e gazetës Dielli lidhur me këtë takim shkruhet: “… Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për New York-un, New Jersey-in dhe Conecticut-in, Marjan Cubi, e cilësoi kongresistin Crowley, si një mik të ngushtë të shqiptarëve. Ai tha se Crowley është kongresisti i parë që vizitoi Kosovën pas çlirimit që i bëri NATO dhe qëndresa e shqiptarëve. Kongresisti Joseph Crowley, duke shprehur konsideratat e larta për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe rolin që dega e LDK-së luajti gjatë këtyre viteve për Kosovën, vlerësoi se shqiptarët në Amerikë kanë ditur të bëjnë miq për Kosovën dhe çështjen e tyre. Ai shprehu kënaqësinë që kishte patur mundësi të ishte pranë kongresistit Eliot Engel, por edhe përkrah presidenit Klinton për t’i shpallur luftë regjimit çnjerëzor serb e për të ndihmuar popullin shqiptar … Ashtu si çdo amerikan edhe unë, pas fitores, isha i kënaqur për të shkuar në atë vend pas bombardimeve për të thënë që bombardimet mbaruan. Por t’u theksoja shqiptarëve se puna dhe misioni amerikan në Kosovë nuk ka mbaruar akoma. … SHBA nuk mund të lejojë që shqiptarët të kthehen përsëri në qeverinë e Millosheviçit. Serbia ka humbur çdo autoritet moral e ligjor për të qenë sërish fuqi në Kosovë. I vetmi solucion për stabilitetin në Kosovë dhe rajon është pavarësia e Kosovës. …” (Gazeta Dielli, nr. 3. 2000)
Federata Panshqiptare “Vatra” ishte mjaft e vëmendshme ndaj situatave të ndryshme të krijuara në Kosovë edhe pas çlirimit nga serbët. Në aspektin politik, përveç rasteve provokative nga qarqe të caktuara serbe, kishte mjaft ngjarje aspak të këndshme të ndodhura jo thjesht si rezultat i përçarjeve politike brenda forcave shqiptare, por më tej akoma: ngjarje të padëshirueshme si rezultat i konfrontimeve të ashpra mes vetë individëve apo forcave politike shqiptare. Këto situata detyruan Këshillin Drejtues të Fedratës “Vatra” që në datë 23 gusht 2000 të dalë më një deklaratë drejtuar opinionit publik. Ndër të tjera, kjo deklaratë, e botuar në gazetën Dielli, shprehej: “Federata Panshqiptare “Vatra” vëren me shqetësim se afrimi i fushatës së zgjedhjeve lokale në Kosovë po shoqërohet me shtimin e akteve të dhunës dhe vrasje me motive politike.” (Gazeta Dielli, nr. 4, 2000)
Krejt ndryshe nga situata e trazuar e asaj koshe ishte fushata konkrete e zgjedhjeve dhe dita e votimit. Më 23 tetor 2000 në Kosovë zhvillohet zgjedhjet për organet e pushtetit vendor, të para zgjedhje këto në Kosovën e lirë prej pushtimit serb. Këto zgjedhje do të ishin edhe prova e parë përpara vetë kosovarëve, përpara mbarë shqiptarëve si dhe para opinionit ndërkombëtar se shqiptarët e Kosovës janë në gjendje ta përdorin lirinë e fituar më së miri për të ardhmen e tyre, për të ndërtuar një shoqëri e një qeverisje demokratike. Fundi i vitit 2000 kishte të reja edhe në politikën amerikane, në votimet presidenciale fitoi kandidati i Partisë rebublikane, z. George W. Bush. Pikërisht këto dy lajme do të gjykonte si më të rëndësishmit për t’i vendosur në faqe të parë gazeta Dielli e numrit të saj të fundit për vitin 2000: fitoren e George W. Bush në SHBA dhe zhvillimin e paqtë të zgjedhjeve vendore në Kosovë. Lidhur me votimet në Kosovë gazetari i Diellit Lekë Drini shkroi artikullin: “Në zgjedhjet vendor Kosova votoi për pavarësinë.” Disa nga vlerësimet e tij për këto zgjedhje ishin: “E gjithë bota dhe sidomos qarqet e larta politike dhe diplomatike, që janë zotuar të vendosin paqe e stabilitet në Ballkan, u çuditën për mënyrën se si votuan shqiptarët në Kosovë ditën e zgjedhjeve të 21 tetorit: me qartësi mendimi, me vendosmëri, me qetësi ndërgjegje, me disiplinën e fëmijëve që rreshtohen për t’u futur në shkollë, … Ky është një rast unik i zgjedhjeve në Ballkan – do të shprehej Dan Everest, përfaqësuesi i OSBE-së, i ngarkuar kryesisht për ndërtimin e rendit demokratik në Kosovë. … I pyetur lidhur me zhvillimin normal të zgjedhjeve, në tubimin me bashkësinë shqiptaro amerikane në Lehman College, dr, Ibrahim Rugova, me urtësinë që e karakterizon, u përgjigj: “Kosovarët votuan me kulturë, sepse kishin luftuar me vullnet për liri e demokraci. Nuk ishim pa përvojë. Dy herë kemi mbajtur zgjedhje mes plumbave të pushtuesit dhe të dyja herët kemi treguar vendosmëri dhe kulturë votimi. Ndërsa votimet kësaj here ishin një festë. Ata votuan për pavarësinë e Kosovës” … Kosova ka shpresë dhe besim se Amerika dhe Evropa, ashtu si ia ndaluan dorën monstrit kriminal të Ballkanit, ashtu edhe do t’ia japin dorën asaj për të ndërtuar shtetin e vet të pavarur.” (Gazeta Dielli, nr. 4. 2000) Gjykimet e artikullshkruesit janë plotësisht të vërteta, me këto votime shqiptarët e Kosovës e kaluan me sukses provën e parë, për të bindur Amerikën, Evropën dhe mbarë botën se ata janë të aftë të ndërtojnë shtetin e jetën e tyre të pavarur e në mënyrë demokratike.
Për qëndrimin e hapur të Federatës “Vatra” dhe të gazetës Dielli pro LDK-së dhe liderit të saj, presidentit Ibrahim Rugova, dëshmon edhe një artikull i gjatë i kësaj gazete shkruar nga Anton Çefa, editor i gazetës. Ky shkrim përshkruan takimin e z. Ibrahim Rugova me mërgatën shqiptare të Amerikës në Lehman College të Nju Jorkut, organizuar nga Dega e LDK-së për Nju Jorkun dhe Federata “Vatra”. Mes të tjerash autori i shkrimit thotë: “Vërtet, në ndërgjegjen shqiptare ai (z. I. Rugova, R. Gj.) qe shndrruar në simbolin e përpjekjeve 10-vjeçare, të kurorëzuara, më në fund, me realizimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve për lirinë. Është bërë zakon të thuhet “Koha dhe ngjarjet e mëdha nxjerrin udhëheqësit e tyre”. Me historinë e kësaj dekade, në Kosovë, u jetësua më së tepërmi kjo thënie. Ajo u dëshmua në figurën e personalitetit të dr. Ibrahim Rugovës, prandaj salla e mbushur me shqiptarë të të gjitha trevave të trojeve tona në Ballkan e kishte të vështirë të binte në heshtje.” (Gazeta Dielli, nr. 4. 2000) Pasi artikulli jep pjesë nga fjala e mikëpritësve në takimin e Lehman College, si z. Marjan Cubi, kryetar i degës së LDK-së për Nju Jorkun, z. Agim Karagjozi, kryetar i “Vatrës”, z, Ali Zalli, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së, ndalet e te fjala e dr. Ibrahim Rugovës. Mes të tjerash në këtë takim z. Rugova tha: “Sot falë zotit, popullit të Kosovës, NATO-s, bashkësisë ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërkesat tona dhe tuajat u realizuan dhe sot Kosova është e lirë … Si ju këtu në Amerikë edhe gjithë shqiptarët kudo që janë, jashtë trojeve të tyre, mundën ta shtronin çështjen e Kosovës, çështjen shqiptare, në përgjithësi, dhe të luftonin për pavarësi e demokraci. Ju, që prej vitit 1990, por edhe më parë, keni arritur të sensibilizoni Amerikën dhe të na krijonit shumë miq: senatorë, kongresistë e politikanë, të cilët kanë dhënë vazhdimisht ndihmesën e tyre për këtë ditë që gëzojmë sot” Duartrokitjet dhe brohoritjet e sallës, thekson autori, u shtuan jashtë mase kur ai tha: “Kosova në fakt është e pavarur, pritet vetëm formaliteti i zyrtarizimit të kësaj pavarësie.” (Gazeta Dielli, nr. 4. 2000)