Perktheu Rafael Floqi /
Gazeta prestigjioze amerikane Washington Examiner, përmes shkrimit të gazetares së njohur Salena Zito, ka vlerësuar lartë kandidaturën e Robert Lulgjurajt për Kongresin Amerikan. Me një stil të thellë analitik, Zito e paraqet Lulgjurajn si një figurë të fortë, me rrënjë të thella në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe një histori personale që mishëron ëndrrën amerikane. Artikulli e cilëson atë si një kandidat cilësor që sjell në politikë jo vetëm përvojën si ish-prokuror, por edhe sakrificën e brezave të familjes së tij që erdhën në SHBA për të shpëtuar nga komunizmi dhe për të ndërtuar një jetë të re në Detroit.
Partia Republikane siguron një kandidat cilësor për Distriktin e 10-të të Miçiganit
Nga Salena Zito
Kur Robert Lulgjuraj, një republikan nga Sterling Heights, Michigan, filloi fushatën e tij për Distriktin e 10-të të Kongresit javën e kaluar, ku ish-prokurori fitoi shpejt mbështetjen e aktivistit republikan të bazës, Brian Pannebecker, një automekanik i dalë në pension nga Qarku Macomb, i cili punoi pa lodhje për të fituar Miçiganin për Presidentin Donald Trump në nëntorin e kaluar.
“Roberti, ashtu si unë, ka lindur dhe është rritur në Qarkun Macomb, dhe qyteti ku u rritëm, Sterling Heights, tani është i mbushur me banorë shumë patriotë me origjinë shqiptaro-amerikane dhe kaldease, shumë prej tyre punëtorë të industrisë së automobilave dhe anëtarë të U.A.W.,” tha Pannebecker, i cili udhëhoqi mbi 22 tubime jashtë fabrikave të automobilave të përfaqësuara nga sindikata United Auto Workers, për të ndihmuar fitoren e Trumpit në Miçigan.
Lulgjuraj, i cili ka shërbyer si prokuror në Zyrën e Prokurorisë së Qarkut Macomb, kandidon për vendin e hapur në Kongres që aktualisht mbahet nga përfaqësuesi John James (R-MI) nga Shelby Township. James po kërkon nominimin republikan për guvernator në zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm.
Gara për Distriktin e 10-të të Miçiganit do të jetë vendimtare për të përcaktuar se cila parti do të ketë shumicën në janar 2027. Aktualisht, republikanët mbajnë një shumicë prej 219-212 vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve.
Nëse Lulgjuraj ia del me sukses, ai do të jetë shqiptaro-amerikani i parë që shërben në Kongres që nga fundi i viteve 1980, kur Joseph DioGuardi nga Nju Jorku (një gjysmë shqiptar dhe gjysmë italian) ishte pjesë e tij.
Të dy prindërit e Lulgjurajt janë me origjinë shqiptare. Popullsia shqiptare në Shtetet e Bashkuara është e përqendruar kryesisht në disa shtete: Nju Jork, Miçigan dhe Masaçusets. Shumë prej tyre erdhën në SHBA në mesin dhe fundin e shekullit të 20-të për t’i shpëtuar komunizmit dhe persekutimit fetar.
Pannebecker shpjegoi se Distrikti i 10-të i Miçiganit përfshin Qarkun Macomb dhe pjesë të Qarkut Oakland.
“Është etnikisht i larmishëm, por gjithashtu me një prani të madhe shqiptaro-amerikane, gjë që do ta favorizojë Lulgjurajn,” tha ai, duke shtuar se përvoja e tij në zbatimin e ligjit dhe si prokuror e bën atë një përfaqësues të përshtatshëm për një distrikt me shpirt ‘America First’.
Distrikti i 10-të, i vizatuar nga një komision i pavarur në vitin 2022, është i ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë. James mposhti ngushtësisht ish-gjyqtarin e Qarkut Macomb, Carl Marlinga, në garën e parë për këtë distrikt të ri, me vetëm 1,500 vota diferencë. Dy vite më vonë, James dhe Marlinga u përballën përsëri, dhe James fitoi bindshëm me mbi gjashtë pikë diferencë.
Në një intervistë për Washington Examiner, Lulgjuraj karizmatik tha se qëllimi dhe thirrja janë ato që e frymëzuan të kandidojë.
“Historia ime, unë e di me siguri, është e mundur vetëm në vendin më të madh në botë, që është Amerika. Kështu që unë besoj pa ekuivok në ëndrrën amerikane, dhe unë jam përfitues i saj,” tha ai.
Familja e Lulgjurajt erdhi në Detroit për industrinë e automobilave në vitet 1960.
“Gjyshërit e mi erdhën për t’i shpëtuar komunizmit, persekutimit fetar dhe tiranisë. Katolicizmi dhe mundësia për të ushtruar fenë e tyre ishin një pjesë e madhe e arsyes pse ata emigruan, si dhe mundësia për punë,” shpjegoi ai.
“Gjyshi im ishte punëtor në Chrysler në Detroit, dhe gjyshja ime punonte si pjata larëse. Ndërsa mamaja ime, edhe tani që po flasim, punon si kameriere, dhe babai im është punëtor mirëmbajtjeje,” vazhdoi Lulgjuraj, duke shtuar se fakti që dikush me këtë beckground arriti të bëhej prokuror dhe të kandidojë për Kongres është mishërim i ethosit amerikan.
“Prindërit e mi sakrifikuan pa masë për mua, dhe për këtë arsye unë dua të jap diçka në këmbim – për t’i falënderuar ata, për të falënderuar vendin tim dhe për të shërbyer komunitetit tim,” tha ai.
Partia Republikane synon Midwest-in ndërsa beteja për shumicën intensifikohet
Qarku Macomb, një bastion i klasës punëtore, përfaqëson një burim të rëndësishëm votash republikane në zonën metropolitane të Detroitit. Ai është zhvendosur më tej djathtas që nga viti 2012 dhe ka qenë i qëndrueshëm në mbështetjen për presidentin. Trump e fitoi ngushtësisht në vitin 2016, dhe deri në vitin 2024, ai e fitoi Qarkun Macomb me 13 pikë diferencë. Në prill, Trump festoi 100 ditët e para të presidencës së tij në këtë qark.
Sfida e demokratëve për vendin e Distriktit të 10-të do të jetë klasa punëtore që përbën shumicën e Qarkut Macomb. Mbështetja e tyre ka kaluar kryesisht nga vota për Obamën në 2008 dhe 2012, drejt përcaktimit të rezultatit në Miçigan në vitin 2024.