*Ndërron jetë gazetari, studiuesi dhe pedagogu i mirënjohur Agim Nezaj. Redaksia e Gazetes “Dielli” ngushellon familjen/
*Presidenti Nishani:Ikja e Agim Nezës, humbje për gazetarinë shqiptare/
*Mal Berisha rrëfen mesazhin e fundit të Agim Nezajt: Mik i dashur, nuk kam qenë mirë…/
Ka ndërruar jetë Agim Nezaj, gazetari, studiuesi dhe pedagogu i mirënjohur në Shqipëri dhe jashtë saj. Mësohet se ai ka vdekur në Nju Jork, në moshën 54-vjeçare pranë familjes së tij pas një sëmundjeje të rëndë.
Nezaj ka lindur në Tropojë. Studimet e mesme i ka kryer në Shkollën e Gjuhëve të Huaja për anglisht dhe ato të larta, në Fakultetin Filologjik të Tiranës për gjuhë -letërsi shqipe.
Karriera dhe kontributi i Agim Nezës në gazetarinë shqiptare, letërsi, publicistikë, botën universitare, politikë etj. janë të mëdha dhe shumëdimensionale e do të mbahen mend gjatë.
Për ata që e njihnin dhe nuk e njihnin Agim Nezën, por njihnin shkrimet e tij apo bashkëpunimin me të si këshilltar i mediave në Ministrinë e Drejtësinë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Jashtme, në Kryesinë e Kuvendit etj. do ta ndiejnë që sot e tutje se Shqipëria ka humbur një personalitet.
Një personalitet, që nuk reshti së promovuari Shqipërinë jashtë vendit me bukuritë dhe misteret e saj. Agim Nezaj shprehej:
“Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve ka qënë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt nëpërmjet botimit dhe ribotimit të librave “Albania-Travel Guide” & “Welcome to Albania””
Agimi la në pikëllim të thellë bashkëshorten Mira, vajzat Ergian dhe Edonën, prindërit Bajram dhe Zoja Neza, të vëllait Agron, të afërm, miq dhe shokë të shumtë. Në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale sot kolegët ka shprehur dhimbjen për largimin e pararkohshëm të Agimit.
Gazeta Dielli i shpreh ngushellimet me te thella Familjes Nezaj!
Lamtumirë miku ynë, kolegu ynë, të qoftë dheu i lehtë!
***
NGUSHELLIMI I PRESIDENTIT NISHANI/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të gazetarit të njohur, pedagogut të shkencave të komunikimit dhe juristit Agim Nezajt, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik ku shkruhet:
“Të nderuar familjarë të Agimit të ndjerë,
Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Agim Nezajt, i cili gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik të gazetarit dhe artit të vështirë të komunikimit me publikun, ku u shqua për mjeshtërinë dhe gojëtarinë e rrallë.
Ky personalitet mbresëlënës, me një kontribut të spikatur çerekshekullor në gazetari, në komunikim, në jurisprudencë si dhe në lartësimin e emrit të Shqipërisë në sytë e të huajve, përçoi ngaherë tek publiku shqiptar me një ndjenjë të lartë profesionalizmi vlerat më të spikatura profesionale dhe njerëzore.
Me ikjen e parakohshme të Agimit, gazetaria shqiptare, arti i komunikimit me publikun dhe institucionet tona shtetërore, ku u shqua për vite me radhë si një zëdhënës dhe këshilltar për shtyp i përkryer dhe jetëgjatë, humbën një nga personalitetet e spikatur, një nga pikat kryesore të referimit akademik dhe mbi të gjitha njerëzor, ndërsa ju, bashkëshortin, prindin dhe të afërmin tuaj më të shtrenjtë.
Ju lutem, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe në këto momente të vështira t’ju gjendem pranë shpirtërisht duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta personale dhe institucionale!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit.
KohaJone.com – Mal Berisha rrëfen mesazhin e fundit të Agim Nezajt: Mik i dashur, nuk kam qenë mirë…
Mal Berisha rrëfen mesazhin e fundit të Agim Nezajt: Mik i dashur, nuk kam qenë mirë…/
Mal Berisha rrëfen mesazhin e fundit të Agim Nezajt: Mik i dashur, nuk kam qenë mirë… Ish-ambasadori Mal Berisha ka publikuar në FB SMSnë e fundit me gazetarin, pedagogun dhe publicistin Agim Nezaj, që u nda nga jeta ditën e djeshme në Nju Jork. Mesazhi i përket muajin nëntor të vitit të kaluar, ku Nezaj i thoshte se nuk kishte qenë mirë me shëndet, por kishte besim se gjithçka do ta kalonte me ndihmën e Zotit.
“Takimin e fundit me ty e pata në nëntorin e vitit të kaluar. Nuk mund të largohesha nga Nju Jorku pa të takuar pasi e dija se ti po luftoje për jetën kundër vdekjes. Më tregove, jo pa doza shqetësimi, por me një optimizëm të pashoq, se sa shumë të kishte lodhur sëmundja dhe sa shumë të mundonte kimioterapia. Por, më the, kishe besim të madh tek Zoti dhe mjekësia amerikane”, shkruan Berisha
Luz Tomaj says
Ngushllime të sinqerta familjes