
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/
Gazetaria nuk është kompromis, as veprimtari e paparimtë selektive në dhënien e së vërtetës, por e kundërta. Një media e lirë dhe profesionale, nëse do të konsiderohet e tillë, nuk mund të udhëhiqet nga përllogaritjet e ngushta të interesave personale të pronësisë, por duhet të përmbushë me integritet misionin e vet publik.
Ajo nuk mund të ndalet para askujt kur është fjala për të kryer detyrën e informimit dhe të ofrimit të së vërtetës, fakteve dhe opinioneve kritike per publikun, pavarësisht se ku adresohen.
Një media e censuruar nga të fortët, ose viktimë e prekjes se interesave të të fortëve gjatë kryerjes së misionit të vet, që, për shkak të interesave të disa të fortëve të tjerë të njohur, censuron të tjerë të ‘parëndësishëm’, mbyll zërin e gazetarëve, opinionistëve, fjalën e lirë që vjen nga shtresa e mesme e shoqërisë, është një media e rrëzuar në kauzën e saj të parë dhe të fundit.
Vetë kjo njesi fundoset në një vorbull interesash e llogarimbajtjesh, që i ngatërrojnë rrugën, i rrëzojnë misionin dhe e çorientojnë nga kërkimi i së vërtetës dhe i drejtësisë. Një ditë e tillë për gazetarinë është ditë e zezë, sepse bie në kundërshtim me vetë arsyen e ekzistencës së saj: shërbimin ndaj publikut. Sepse kur bie fjala e lirë, nuk është më e rrezikuar vetëm gazetaria, por vetë shoqëria.