Gazetarja nga Kosova zonja Hyrë Tejeci vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u prit nga z.Ilir Cubi anëtar i kryesisë, editori i Diellit Sokol Paja dhe editorja e gjuhës angleze në gazetën Dielli Rafaela Prifti. Gazetarja Hyrë Tejeci i kushtoi një telereportazh historik veprimtarisë së Vatrës dhe Diellit mbi kontributin e jashtëzakonshëm për komb, atdhe dhe komunitet shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hyrë Tejeci është gazetare në RTK radio. Ajo ka kryer studimet master në Shkencat e Komunikimt Masiv dhe Gazetari. Prej 2001 punon në media. Ka qenë e angazhuar në Kolegjin AAB, si ligjeruese në lëndë të Radio gazetarisë. Ka punuar edhe në Radio Evropa e Lirë në Pragë (2003).
Vazhdon të punojë në Radio Kosovë. Vëmendje të veçantë ajo i ka kushtuar edhe mërgatës shqiptare dhe përpjekjeve të shqiptarëve për Kosovën. Ka përgatitur disa emisione, reportazhe, dokumentarë dhe disa projekte, me të cilat ka marrë dhe çmime. Ndër çmimet më të mëdha është: Çmimin Special për radio në nivel botër, “Lorenzo Natali”, të Komisionit Evropian në Strasburg (2008). Ka publikuar disa shkrime në media online dhe në gazetat e vendit. Ka marrë pjesë me punime në Konferenca Ndërkombëtare që kanë pasur të bëjnë me hulumtimet në fushën e medias. Disa nga punimet shkencore : “Mediat lokale në Kosovë, gjendja dhe sfidat”, “Ushtrimi i ndikimit ndaj gazetarëve në Kosovë”, “Më kupto më ndihmo”, “Pozita e gruas në shoqërinë kosovare”, etj.
Është e angazhuar si trajnere për gazetarë në disa projekte që janë organizuar nga Instituti i Medias së Kosovës dhe nga OSBE-ja. Ka marrë pjesë me projekte hulumtuese në qendra të ndryshme të vendeve të ndryshme të botës: Nju Jork, Paris, Strasburg, Berlin, Bern, Luzan, Sofje, Shkup, Tiranë.
Ka botuar tre libra deri tani: “Raportimi televiziv, si teori dhe praktikë”, Përmbledhja “MONUMENT – i dëshirës së përflakur për atdhe” dhe “Dielli i jetës”. Ka në
dorëshkrim edhe dy libra të tjerë. Është e martuar dhe ka një vajzë. Jeton në Prishtinë.