-Opozita e bashkuar: Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi/
-Kontrollit në hyrje të Kuvendit i është nënshtruar edhe Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga/
-Policia e Kosovës: Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore, janë kryer të gjitha veprimet ligjore të kontrollit ndaj të gjitha personaliteteve dhe nuk është hasur në asnjë element apo mjet të dyshuar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, është mbledhur në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, përballur edhe me bojkot, me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës.
Por, që në fillim deputetët e opozitës bllokuan me “rrethim” të foltorës dhe kryesuesit, e pastaj, për të dytën herë, si edhe në seancën e kaluar, hodhën gaz lotësjellës dhe seanca u ndërpre. “Mbledhja e Kryesisë edhe shefave të grupeve parlamentare në zyrë. Dilni jashtë ju lutem. Dilni jashtë…Kujdes, kujdes se po lëndohet dikush…”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Salla e Kuvendit vazhdonte të jetë plot tym lotësjellësi e boshatitur nga deputetët. Gazi lotësjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës ndodhi përsëri përkundër kontrollit të shtuar, që iu nënshktruan të gjithë në hyrje.
Kishte tre pika kontrolli brenda Kuvendit të Kosovës me masa të rrepta sigurie. Kontrollit i është nënshtruar edhe Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga. Presidenca e Kosovës ndodhet në ndërtesën e Kuvendit kosovar.
“Sot Kuvendi u rrethua nga Policia. Pushteti mendoi që përmes rrethimit policor do ta shtypë opozitën. Opozita është e vendosur. Nuk ka kompromis me shtetin dhe territorin e Kosovës”, deklaroi LVV pas ndërprerjes së seancës.
Derisa seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdonte të jetë e ndërprerë, shefi i grupit parlamentar të LVV, Glauk Konjufca, tha se për futjen e gazit lotsjellësit brenda ka ndihmuar Policia dhe se gazi është futur brenda më herët.
“Pjesëtarë të Policisë së Kosovës na kanë furnizuar me gaz lotësjellës, ne e kemi futur në Kuvend”, tha Konjufca.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se në hyrjet e Kuvendit, “duke filluar nga Presidentja e Republikës dhe personaliteteve tjera, të gjithë, i janë nënshtruar kontrollit, refereuar edhe vendimit të Kryesisë së Kuvendit”.
“Mirëpo, si është futur lotësjellësi në Kuvendin e Kosovës është herët të flasim”, tha zëdhënësi i Policisë i pyetur lidhur me pretendimet e opozitës se nga pjesëtarë të Policisë janë furnizuar.
Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës kanë mbërritur hetuesit nga Policia dhe një prokurore nga Prokuroria e Shtetit.
Derisa ndodhnin zhvillimet në seancë dhe pas ndërprerjes së saj, në shesh para Kuvendit të Kosovës kishte grumbullime të qytetarëve dhe mes aktivitëve të opozitës-protestuesëve ishte edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i LVV-së.
Opozita ka bojkotuar takimin e thirrur nga kryeparlamentari Veseli në zyrën e tij pas hedhjes së gazit lotësjellës dhe është rishprehur se, “nuk mund të ketë seancë pa tërheqjen e nënshkrimeve nga 4 marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi”.
Lideri i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, tha se, “është i pakuptimtë ky insistim që me çdo kusht të mbahet mbledhja e Kuvendit, kur në mungesë të reflektimit ndaj kërkesave tona është krijuar një klimë e papërshtatshme. Vetë ky inistim, është provokim, papjekuri politike dhe mungesë lidershipi shtetëror. Udhëheqësit politikë të këtij vendi nuk mund të sillen sikur çdo gjë është normale”.
Ky vend, vijoi Haradinaj, ka ardhur në një situatë kur duhet t’u japë zgjidhje dy marrëveshjeve që e kanë sjellë vendin këtu ku është, e mëpastaj t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës institucionale pozitë-opozitë.
“Klima e krijuar kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike. Organet e rendit e drejtësisë duhet që urgjentisht t’i lirojnë aktivistët politikë të AAK-së dhe të opozitës në përgjithësi. Situata është tepër serioze dhe nuk mund të zgjidhet me mjete policore e as me këmbëngulësinë e pakuptueshme të pushtetarëve për t’i ikur përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar me këto marrëveshje”, theksoi Haradinaj.
Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, para gazetarëve tha se zgjidhja e situatës tashmë të rënduar politike, duhet të bëhet me një takim të përbashkët të kryetarëve të partive politike në vend.
“Përmes seancave nuk po shihet zgjidhje, duhet të ulen kryetarët e pesë partive politike që me dialog të zgjidhet problemi. Ai tha se është e pakuptimë që të bllokohet Kuvendi, e për këtë duhet që Qeveria të thërras opozitën në një tryezë për dialog”, tha Deda.
Sipas tij, për “Zajednicën” duhet të bëhet referendum.
Gjatë seancave të kaluara Kuvendi është përballur edhe me bojkot, me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, ndërsa është paralajmëruar kontrollim i detajuar si masë e sigurisë.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Ndërkohë, ka pasur kërkesa për marrjen e masave të nevojshme për zhbllokimin e seancave plenare të Kuvendit, Kryesia e tij në mbledhjen e djeshme për përgatitjet për sot “vlerësoi se veprimet që do të marrë kryesuesi i seancës do të jenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit, ndërsa, qëndrimi do të merret duke u bazuar në sjelljen e grupeve parlamentare të opozitës”.
Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”.
Ndërsa, subjektet parlamentare opozitare shprehin qëndrimin e përbashkët se, “vendimet e djeshme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës morën pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska) janë absolutisht të papranueshme”.
“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme”, janë shprehur LVV, AAK e Nisma.
Sipas tyre, trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë”.
Më tej në deklaratë shtohet se, “veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror”.
“Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na serviret përmes këtyre marrëveshjeve, ‘de facto’ është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë!”, thekson opozita kosovare
“Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës”, përfundon opozita e bashkuar.
“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye Kryesia e Kuvendit ka ndërmarrë masa që shmangin përplasjen fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, shkruan gazeta Koha Ditore.
Në hyrje-daljet e Kuvendit do të ketë kontroll të plotë për secilin deputet dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend. Nëse brenda sallës arrijnë të futen armë të mprehta dhe nëse ka konfrontim fizik, do të autorizohet intervenimi i policisë. Këto masa opozita i ka vlerësuar të papranueshme, duke paralajmëruar se për çdo përshkallëzim të situatës përgjegjësia bie mbi kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e Kosovës.
Një ditë para mbajtjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbledhur sërish anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare. Ai ka kërkuar t’i tregojnë se cilin skenar ta vërë në veprim përballë bllokadës së opozitës. E mungesa e një propozimi konkret, i cili nuk del jashtë Rregullores, herë pas here ka krijuar tension mes Veselit dhe përfaqësuesve të LDK-së.
“Seancë me policë”, është kryetitulli në ballinë i gazetës Zëri, ku theksohet se, “Policia e Kosovës ka gjasa të ndërhyjë sot brenda sallës së Kuvendit të Kosovës për t’i larguar deputetët opozitarë në rast se ata tentojnë ta bllokojnë foltoren. Por, pavarësisht këtij kërcënimi, opozita thotë se sërish do ta bllokojë punën e legjislativit”.
“S’do të tërhiqemi”, është kryetitulli i gazetës Epoka e Re, sipas së cilës “nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se opozita duhet ta zhbllokojë Kuvendin e Kosovës”.
Ndërsa, me një këndvështrim tjetër, gazeta Kosova Sot, mes tjerash shkruan se, “rivaliteti brenda koalicionit përgatit terrenin për rrëzimin e kryeministrit Mustafa” , e gazeta Bota Sot ka kryetitullin “Opozita nuk heq dorë: Skenari i tronditjes vazhdon nën përkëdheljen e SHIK-ut!”. Thekson se Kryesia e Kuvendit urdhëron kontroll të rreptë në Kuvend për të gjithë.
KOSOVË-OPOZITA: JEMI TË VENDOSUR NË PROTESTË KUNDËR MARRËVESHJEVE ME SERBINË DHE ASAJ PËR DEMARKACIONIN ME MALIN E ZI
-Deklaratë e opozitës së bashkuar-
PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Opozita e bashkuar deklaroi pak më parë se, ne jemi të vendosur në protestën tonë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi.
“Qeveria e Republikës me marrëveshjet në fjalë ka krijuar situate të jashtëzakonshme. Kuvendi nuk mund të vazhdojë sikur zakonisht”, thekson deklarata e tre subjekteve opozitare të Kosovës, e LVV, AAK e Nisma.
Shtohet se, protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi.
“1. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës.
2. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të merr vendim për tërheqje nga Marrëveshjet me Serbinë dhe atë për demarkacion me Malin e Zi. Vetëm tërheqja nga këto marrëveshje do ta kthejë normalitetin institucional dhe shoqëror në Kosovë”, përfundon deklarata e opozitës.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
ZHVILLIMET NË KUVENDIN E KOSOVËS, POLICIA: NDËRMORËM MASAT E NEVOJSHME LIGJORE
PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Policia e Kosovës, në një deklaratë të dërguar pak më parë thekson se, si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me mbajtjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e nevojshme policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës njofton të gjithë opinionin e gjerë se shkrimet e publikuara sot në disa portale, që i referohen deklarimeve të shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje se kinse Policia e Kosovës i ka ndihmuar në futjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të RKS-së, nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.
Deklarata e z. Konjufca është tendencioze për të diskredituar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe në asnjë rrethanë mjeti i dyshuar nuk është futur në seancë me ndihmën e Policisë së Kosovës, ashtu siç është deklaruar.
Deklarimi i tillë, po ashtu ka për qëllim të krijojë konfuzion te qytetarët dhe opinioni i gjerë dhe kjo mund të konsiderohet një luftë speciale kundër Policisë së Kosovës.
Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka Policia e Kosovës, janë kryer të gjitha veprimet ligjore të kontrollit ndaj të gjitha personaliteteve dhe nuk është hasur në asnjë element apo mjet të dyshuar.
Ekziston mundësia e posedimit dhe përdorimit të këtij gazi lotsjellës, nga mbledhja e mbeturinave plastike të mbetura nga gazi lotsjellës i përdorur më parë nga Policia e Kosovës, por që mbeten të verifikohen të gjitha nga njësitet relevante policore, sepse mjeti plastik mund të mos jetë detektuar.
Ndërsa, sa i përket rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës pas përfundimit të seancës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjetit të dyshuar.
Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, përfundon deklarata e dërguar nga Policia.
DONIKA KADA BUJUPI: UNË PO, KAM HEDHUR GAZ LOTSJELLES
PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Donika Kada-Bujupi, Shefe i Grupit Parlamentar të AAK-së, deklaroi:E di qe kjo qe keni parë sot nuk është shfaqja më e mirë.
Unë po, kam hedhur gaz lotsjelles.
Kam hedhur sepse nuk na kanë lënë rrugë tjetër.
Qeveria është përgjegjëse për të gjetur zgjidhje. Ne ju kemi tregu se si bëhët zgjidhja
S’ka kuptim te vazhdohet me seanca, pa ju dhënë zgjidhje marrëveshjeve!