Kristaq BALLI
Prej disa kohësh, në Korçë, është çelur Muzeu i Artit Oriental “Bratko”. Ndërtimi, koleksioni i objekteve dhe emri i muzeut janë dedikim trashëgimie dhe dhuratë simbolike që Z. George Dimitri Boria (Gaqo Mborja) (1903-1990) i la me testament Korçës, qytetit ë tij të lindjes. Eksponatet e vyera muzeore përbëhen kryesisht prej objektesh historike, artistike, etnologjike, religioze e arkivale të popujve e vendeve të Lindjes – Rusia, Kina, Tibeti, Japonia, India, Indonezia, Tajlanda, Koreja, Etiopia, vendet e Azisë së Vogël, madje edhe Europa e Amerika, etj., të cilat janë koleksionuar nga vetë Z. Boria përgjatë më se 7 dekadash, falë pasionit të tij prej artisti koleksionist dhe mundësive që jeta dhe aktiviteti i tij i dhanë për të punuar për një kohë të gjatë në këto vende. Qindra objekte nga më të larmishmit e më interesantët për vizitorin, përfshijnë midis tyre piktura tradicionale japoneze të stileve Jamato e Ukiyo në letër e mëndafsh dhe ikona kristiane, statuja të besimeve e mitologjisë si Budda, Shiva, Parvati, Vishnu dhe gdhëndje artistike në dru, mobilje të polikromuara, koleksione shpatash e kamash të periudhave Koto, Shinto, Shinshito, Showa dhe veshje e pajime samurai, porcelane të vyer e bizhuteri, maska artistike demonësh e vegla muzikore frymore bambuje apo harqe tipike, sixhade e tapete nga artizanë të famshëm persianë, iranianë, afganë dhe pipa e nargjile drogash e duhani, veshje folku dhe objekte me vlerë të përdorimit ritual e utilitar, koleksione fotosh të personaliteteve të njohura botërore të asaj kohe, të bëra nga vetë Z. Borja, etj. përbëjnë koleksionin e tij.
Realizimi i këtij muzeu në Korçë është finalizimi i gjestit më human, më mëmëdhetar e më filantropik të një qytetari të denjë shqiptar, me botkuptim universal, është shprehja më sintetike e kuptimit dhe e vlerës së jetës, e përjetësisë e ripërtëritjes shpirtërore që ta siguron vepra që i le shoqërisë njerëzore.
Zaten figura njerëzore si Boria bëhen më të njohur pas ikjes, se sa kur jetojnë. Sepse, gjatë jetës, ata s’kanë kohë për të humbur, për të mbajtur kokën pas. Ata joshen të kërkojnë kohën përpara, kohën që ende s’e kanë jetuar. Ky është miti tabu i njerëzve të mëdhenj, i personaliteteve të shquar!
Kështu ndodh edhe me Z. Boria, sepse i tillë ishte ai, e tillë ishte jeta, i tillë bëhet edhe “Postmortem”-i i tij virtual.
Por mesazhi i aktit madhor të Z. Borja ka edhe një dimension tjetër shpirtëror, mbase më esencialin, më të panjohurin, më interesantin: prirjen absolute artistike. Ishte, ndofta, ky atribut gjenuin motori e busulla e arsyes dhe e zemrës së tij që e inspiruan, e orientuan të kryejë aktin sublim e altruist ndaj vendlindjes, për të mbetur i përjetshëm në kujtesën qytetare.
Ai ishte një artist poliedrik. Nëse e përfytyrojmë sapak imazhin e jetës së tij, s’ka si të na shpëtojë fakti se ishin muzat e dhuntive të tij artistike që, më shumë se gjithçka, i tunduan ambicjen për sprova e peripeci të pafundme aventureske, për të ngadhnjyer mbi vetvrasjen e për të rrahur udhët e Perëndimit të largët, i varfër fillimisht e i veshur me kostumin e të atit por, ku skena e jetës i ofronte role e mundësi afirmuese e integruese, të cilat ai i shfaqi plotësisht.
…Aq i talentuar ishte ai në artet figurative, sa me një gërshërëz argjendi sugjestiononte publikun me portretet e profilet të prera spontanisht me të nga një letër grafike e zezë. Aq i talentuar ishte ai si piktor, sa sfidonte me artin e tij në Studiot Hollivudiane të Filmave personazhe të njohur fëminorë si Miki Mauz. Në funksion të artit pamor, ai ka studiuar në Shkollën e Arteve të Bukura të Parisit, në Shkollën e Artit Chenard, Los Anxhelos, në Shkollën e Arteve të Bukura, Detroit, etj. Ka qenë artist i ekipeve të periodikëve Washington Herald, Los Angeles Time, San Francisko Chronicle, New Orleans Item, La Prensa Mexico City, La Prensa Buenos Aires.
Punimet(veprat) e tij janë ekspozuar përgjithmonë në Smithsonian Institute, Washington D.C. Ndërkohë, shumë nga punimet e tij janë vendosur në muze të ndryshme të SHBA-së.
…Aq i talentuar ishte ai në muzikë sa, me mandolinën Gibson e violinën Stradivarius, zotëronte dhe impononte vëmendjen e admirimin e publikut elitar të anijeve luksoze turistike. …Aq i talentuar ishte ai në fotografi, sa iu besua fotografimi i personaliteteve botërore të politikës apo hapja e të parës studio amerikane me ngjyra në Japoni.
…Aq i talentuar e intuitiv ishte ai në artin e koleksionimit të relikeve, sa koleksioni i tij të mahnit me larushaninë, ekzotizmin dhe pasurinë e vlerave kulturore që ai përfshin.
Si mishërim i një personaliteti të dalluar human e artistik, jeta e tij e gjatë, dinamike, komplekse, enigmatike, misterioze, kaotike, herë-herë e habitshme dhe e pabesueshme, që në të shumtën e kohës ndodhej nën tërheqjen magnetike të nënvetëdijes artistike, është ajo e bohemit, e pelegrinit, e shtegtarit të përjetshëm kërkues e eksplorues (ai ka udhëtuar thuajse në gjithë botën), jeta pikareske e aventurierit, e dualizmit kontradiktor, e stuhive e vullkaneve shpirtërore, por edhe e brishtësisë, dëlirësisë, fisnikërisë, nostalgjisë dhe e pasionit të zjarrtë të shigjetarit mbi flatrat e Erosit, që godiste në shenjë me harkun e shigjetat e praruara, duke shkaktuar plagë gëzimi e lumturie, por edhe vuajtje e tortura të shumta dashurie.
Ndaj, për ta zbuluar e kuptuar më mirë botën shpirtërore të këtij artisti e filantropi të madh shqiptar po riprodhojmë një prej artikujve të rrallë të botuar në gazetën amerikane “The Montgomery Journal” pak muaj para vdekjes së Z. Boria. Intervista, ku ai tregon me gojën e vet episode nga jeta dhe bëmat, është marrë në shtëpinë e tij mes thesareve të paçmuara të cilat, sot, ndodhen në Muzeun e Artit Oreiental “Bratko”, në qytetin e Korçës.
Jayne BLANCHARD
SHTËPIA THESAR
Duket sikur ka jetuar 10 jetë.
“Çdo ditë unë kam jetuar në çastet më të mira, në kohrat më të mira, në erën e artë,“ thotë 87 vjeçari, banor në periferinë e Uashingtonit, pa u kapardisur aspak.
Prej momentit që ai erdhi në Amerikë nga vendlindja e tij, Shqipëria, – ishte viti 1921 dhe ai kishte veshur kostumin e zi të babait, – Boria zotëronte vetinë e lakmueshme të të qënit në vendin e duhur në kohën e duhur.
Boria, ky artist, fotograf dhe muzikant, ka qenë një dëshmitar i vullnetshëm i historisë edhe si magjepsës i Hollivudit gjatë viteve 1920, apo spektator i gërmadhave të Luftës së Dytë Botërore, së pari në Itali e ish Jugosllavi, edhe si fotograf i Kombeve të Bashkuara më 1940, apo duke u shoqëruar me Perandorin Japonez në vitet 1950.
Shtëpiza e tij e vetmuar dhe e padepërtueshme ruan testamentin e një jete të jetuar me etje. Mbështjellë me savanin pëshpëritës të bambuve, shtëpia është aq e thjeshtë dhe e sheshtë, sa çatia duket nga jashtë si një kapuç.
Aq i vëmendshëm është Boria në ruajtjen e thesarit të tij të stilit japonez – objektet nga më të rrallët e më të çmuarit, një pamje e shpërfaqur e botës së largme, – sa ai qëndron si rojtar, duke i refuzuar vizitorit të hyjë nëpër derën e përparme.
Përkundër, ai prin rrugën nga hajati i prapmë nëpër një sërë kthinash e ndarjesh para se të arrish në dhomën e ndenjes, dy dhoma gjumi dhe një studio – të gjitha të dëndura deri në tavan me një mori ekstravagante pikturash, objektesh, armësh dhe statujash fetare orientale.
Midis objekteve të Lindjes së Largët janë ikonat, medaljonët dhe kryqet nga Car Nikolla i I-rë dhe i II-të të shitura atij prej një kamerieri në Jugosllavi, i cili ishte arratisur nga Rusia vetëm me tri dollarë në xhep, qilimi i paçmueshëm dhe rrugicat Bokaara të lëna rrëmujë në dysheme me qilimat e tjerë të shtrenjtë (gjithsej 85), të mbështjellë e të ngritur mëkëmbë si tuba në qoshe; dhe një tumbë fotosh të paspaltuara, që Borja u kishte bërë figurave të shquara ushtarake, midis të cilëve gjeneralit Douglas Mac Arthur dhe marshallit Tito të Jugosllavisë.
“Shumica e tyre janë rrangullina, por unë shikoj bukurinë në to,” thotë ai duke dallgëzuar krahët rreth dhomave që mbajnë qeramikë të pikturuar, piktura vezulluese japoneze të shek. të 18-të (“Epoka e artë. Ata nuk pikturojnë më kështu“), jorganë martesorë tailandezë të komplikuar, të qepur me dorë dhe shpata të argjendta samurai të shek. të 16-të.
“Mrekullitë e vërteta,“ thotë ai “i ruaj në fondet e mia të veçanta.“
Fitoj besimin e kujdesshëm të tij, ndërkohë ai fillon të hapë dollapët prej dru tiku dhe të nxjerrë prej andej thesaret:
- Kambanëzat prej floriri 24 karat, që u binin virgjëreshat gjatë mbrëmjes së valleve lutëse kushtuar perëndive në tempullin shogan Nikko, Japoni.
- Dorëshkrimet e paçmuara në formë rulonesh të mbështjella me thekë mëndafshi, mbështjellëse aq elegante sa edhe objektet vetë.
- Librat dhuratë nga perandori që përmbanin stemën krizantemë të Hirohitos stampuar në flori.
- Dhe çudira të tilla si si dy fragmente të përpunuara lëkurësh njeriu me tatuazhe, të trashëguara nga artistët tatuazhistë japonezë.
“Është gjithçka e mrekullueshme. Fillimisht unë mendova se arti japonez ishte më i bukuri por, më pas, unë zbulova edhe artin tajlandez, tibetian, korean, indonezian, etj“, thotë ai duke i kushtuar vëmendje të veçantë koleksionit të tij të artit erotik japones dhe tajlandez.
Miq dhe sundimtarë
Interesi i tij për artin oriental filloi kur ai hapi në Japoni një laborator fotografik, i pari pas Luftës së Dytë Botërore.
Studioja, të cilën Boria e përdori gjatë viteve 1947-1961, shpesh ishte ndalesa e parë për plotësimin e dëshirës për një portret dinjitoz. Ai u miqësua me udhëheqësit e Koresë, Vietnamit, Kamboxhias, Filipineve, Tailandës dhe Kinës si dhe me perandorin e Etiopisë Haile Selassie.
“Unë bëra foto publicitare për arkivat e ushtrisë…historinë e luftës, lavdinë e forcave të armatosura,“ thotë Boria i cili, këtë vit, u nderua për punën e tij dokumentuese si Aleat i Çështjeve të Luftës.
Eleganca, formalizmi dhe rregullsia e Bories spikatën në mënyrë të theksuar në historitë e trilluara për mendjemprehtësinë artistike dhe fotografike, apo me historitë tepër origjinale të takimeve me gruan e tij japoneze, kur ajo ishte thuajse 13 vjeç dhe ai po u afrohej të 50-ave (ata pritën derisa ajo u bë 15 vjeç për t’u martuar).
Ai tregon për të dashurën e tij Hollivudiane, babai të cilës shpiku konceptin e Kartave Kredite. Të dy endeshin nga një hotel në tjetrin, duke kënduar gëzueshëm çdo gjë për babushin. “Unë nuk isha zhigolo (shoqërues me pagesë i një femre)”, shfryn ai. “Ajo ishte e dashura ime. Ne e dashuronim njëri-tjetrin“.
Dhe më pas vijnë historitë e tij për tre zonjat japoneze dhe fotot e shumta të tij në Pacifikun e Jugut rrethuar nga banjat e mrekullueshme e mospërfillëse me kurora lulesh.
Vitet Japoneze
Historitë e derdhura rrjedhshëm nga goja e Borias, ndjekin kronologjinë e saktë të njera- jetrës. Kishte një zakon që i shkruante në një pecetë letre të gjitha ç’ka ai donte të ruante në kujtesë.
Midis tyre janë ato të udhëtimeve të tij me perandorin japonez për të dokumentuar punën rindërtuese të vendit pas dëmeve shkatërrimeve të luftës.
Boria u njoh me Hirohiton dhe familjen perandorake pasi ai iu lut perandorit për t’i bërë një foto. “Unë i thashë atij diçka në japonisht që nënkupton „Njatjeta, ju!“ Asnjeri tjetër nuk ia kishte thënë atij më parë kësisoj. Dhe, që atëhere, u bëmë miq të mirë“
Për perandorin, Boria fotografoi thesaret e pallatit – jo arin dhe xhevahiret, por kukllat, kimono-të dhe tekstilet e familjes prej më se 3.000 apo 4.000 vitesh.
Në shenjë mirënjohjeje, Boria mori mjaft dhurata (e para ishte një panel numuratore, të tjerat ai thotë se nuk i ka hapur akoma), si dhe privilegjin për të zotëruar fotot e perandorit dhe të familjes së tij të shkrepura në momente të rastësishme e të pakujdesshme.
Ai mësoi për pikturën dhe mjeshtëritë artistike japoneze nga njeriu që u bë vjehrri i tij. “E takova babanë e gruas sime më 1948. Ai ishte një koleksionist arti dhe unë bleva prej tij shumë objekte . Në Japoni shumë rrallë ndodh që njerëzit t’ju ftojnë në shtëpi. Ata mund t’i zbavitin, sidomos të huajt, në vende të tjera. Por mua më ftuan për darkë dhe, ndërkohë që ishim duke pirë raki orizi, më ra në sy vajza e tij 12 vjeçare dhe më shkrepi t’i them atij:
“ Unë do ta u marr përfare vajzën tuaj dhe ai, çuditërisht, u përgjigj: miku im, ju mund ta merrni atë qysh tani.“
Kështu, ata u martuan pas pak më shumë se dy vitesh dhe Boria thosh me krenari: “Që më 1950, ajo nuk e ngriti kurrë zërin ndaj meje. Ajo gjithë kohën këndonte!“
Gruaja e Borias vendosi të mos largohat nga Japonia më 1961, kur ai u transferua në Washington; ajo jeton aty në një shtëpi të blerë prej tij dhe punon për Mitsubish-in. “Herë pas here ajo më viziton, ndërkohë që unë i them të martohet me dikë tjetër, pasi ajo është shumë e re. Por ajo më përgjigjet se më dashuron mua.“
Pasioni për të jetuar
Mania për të koleksionuar është shfaqur tek ai shumë vite përpara se ai të jetonte në Japoni. Më 1928 ai punonte në Hollivud si një artist në një studio filmash vizatimorë që formonte karakterin e personazhit Toni Çamaroku i projektuar të rivalizonte karakterin e njohur sot si Miki Mauz.
Boria ishte një fotograf autodidakt, por ai ndoqi një shkollë arti në Detroit pas ardhjes në Sh.B.A. “Luftova si i çmendur të vija në Amerikë. Isha marrosur, vërtet. U kyça në një dhomë thuajse i bindur për vetvrasje, kështu, prindërit u detyruan të më lejojnë të shkoj.
Udhëtova për në Kaliforni me një tren për 35 dollarë (udhëtimi zgjaste 5 ditë). Isha ulur në tren pranë një zonjëze shumë të bukur. Ajo më pyeti ku po shkoja dhe unë i thashë ‘Kalifornia’. Nuk e kisha idenë sa i madh ishte ky shtet. Ajo u habit dhe më propozoi se do të ishte më mirë të shkoja e të jetoja me të në Long Beach.“
Dhe ai pranoi. Ajo e regjistroi në Shkollën e Lartë Politeknike në Long Beach, ku ai u diplomua. Qysh atëhere “unë nuk pata nevojë të kërkoja punë. Ato më vinin vetiu gjithmonë.”
Ai dhe e dashura e tij, trashëgimtarja e Kartave-Kredit kaluan së bashku fundjave të shumta duke kërkuar dyqane antikë dhe tregje vjetërsirash.
Gjatë kohës së Depresionit Boria luante në mandolinë e violinë dhe priste silueta profilesh udhëtarësh në letër të zezë nëpër anijet lundruese të pasanikëve të mërzitur nga ditët e vështira.
”Udhëtova me shumë e shumë jahte me grupe turistësh, që donin të linin pas kohën e Depresionit Amerikan. Ne lundronim nëpër Paqësor dhe Amerikën e Jugut, madje një here edhe me Presidentin Rusvelt.”
Boria preu siluetën e tij të fundit më 1940. “Lashë gërshërën time të argjendtë dhe kurrë nuk e mora më. Sepse kishte aq shumë gjëra të tjera për të bërë.”
Pasi u largua nga Japonia më 1961, Boria bleu shtëpi në rrethinat e Washingtonit dhe qysh atëhere jeton aty.
“ 28 vite rrjesht jam sorrollatur, apo kujdesur për kopshtin dhe vizitat e njerëzve. Ka shumë qiell këtu. Jeta ime është e përsosur”
Ai udhëton shumë përreth Amerikës dhe Japonisë dhe, madje dëshiron t’ia dhurojë thesaret e tij artistike qeverisë shqiptare para se ai të vdesë. Ai nuk është kthyer ndonjëherë në Shqipëri.
Boria kalon ditët duke luajtur muzikë dhe duke medituar para kutizës faltore 300 vjeçare Budiste. Meditimi lindor i përzier me atë ortodoks është besimi tij.
Në dimër ai mediton në kopësht i veshur me një kimono të trashë dhe një ombrellë sipër kokës së tij i bën strehë rënies së dëborës.
“Natën rri në qetësi dhe lutem per vdekjen,” thotë ai. “Është momenti më i ëmbël në jetën tonë. Unë do të vdes, natyrisht. Ndaj kam zgjedhur muzikën per funeralin tim”
□ □ □