ASLLAN BUSHATI/
4 Korriku i këtij viti, është 247 vjetori i SHBA-së. Kanë të drejtën legjitime ta festojnë me shumë krenari këtë ditë madhore të historisë tyre Kombi i madh Amerikan, fuqia më e madhe politike, ekonomike , diplomatike e ushtarake e botës. Kanë të drejtë të jenë kryelartë për ate cfarë ky Komb ka bërë për qytetarët e vet, si vendi i lirisë, demokracisë, përparimit e prosperitetit. Vendi i mundësive të mëdha në arsim, shkencë, ekonomi, biznes, kulturë, sport e gjithcka tjetër të mundëshme për një shoqëri të lirë. Kanë të drejtë të jenë kryelartë për gjakun që kanë derdhur për lirinë e kombeve të tjerë në dy luftërat botrore dhe në ato rajonale, të cilat kanë sjellë lirinë, demokracinë, përparimin e progresin në mbarë botën. Kanë të drejtë të mburren me lidershipin e fuqisë drejtuese të botës për gati 80 vite dhe e vetme për 33 vitet e fundit.
Shqiptaro- amerikanët dhe ato në trojet etnike e në diasporë, po ashtu kanë plotësisht të drejtë ta festojnë këtë ditë të lumtur përkrah Kombit të madh Amerikan, sepse pa ndihmën e tij sot nuk do të kishte as Shqipëri si shtet sovran dhe as Kosovë shtet të pavarur e demokratik. Kujtojmë se më 4 korrik 1918 (105 vite më parë), Presidenti Willson i premtoi Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra (Fan Noli), se në Lidhjen e Kombeve do ta mbronte pavarsinë e Shqipërisë nga synimet pushtuese të fqinjëve ballkanik dhe do ta përdorte fjalën dhe votën e SHBA-së që vendi ynë të bëhej antar i Lidhjes dhe shtet sovran.
Vendosja e marrdhënieve diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë, ngriti në një shkallë më të lartë afërsinë midis dy popujve dhe lidhjen e fortë shpirtërore midis shqiptarve dhe Kombit Amerikan. Këto lidhje u dëmtuan në vitet 1946- 1990 nga diktatura komuniste në Shqipëri, por pas viteve 1990, shqiptarët panë tek SHBA mikun e madh, shpëtimtarin, aleatin e vetëm strategjik dhe u bënë populli më amerikandashës në botë.
Shpërbërja e Jugosllavisë dhe agresiviteti serb, shtoi shtypjen, represionin, dhunën, arrestimet, burgosjet, vrasjet, përdhunimet, heqjen e lirisë në Kosovë dhe gjenocidin e shumanshëm mbi një popull nga më të vjetrit në Europë dhe autokton në trojet e tij etnike mijra vjecare – Kosovën Dardane.
Ishte fat i madh për shqiptarët, qenia në postin e Presidentit të 42- të SHBA-së e Bill Clinton, i cili me një lëvizje strategjike e rreshtoi NATO-n në transhenë shqiptare kundër pushtuesve serb, fitoi luftën, shporri serbët nga Kosova dhe krijoi mundësinë që në vijim ajo të bëhej shtet demokratik e i pavarur. Ai sot është për vizitë në Shqipëri, të cilin e përshëndesim me përzemërsinë më të madhe dhe me të drejtë ai konsiderohet nga cdo shqiptar si heroi i Kombit tonë.
Mirënjohje dhe respekt pakufi edhe për Presidentin George H Bush i cili i tregoi në krishtlindjet 1990 vijën e kuqe Sllobodan Milloshevicit. Mirnjohje edhe Presidentëve: George W Bush, Barak Obama, e Joe Biden që që bënë gjithcka për mbrojtjen, përkrahjen, mbështetjen e pa kursyer e të gjithanëshme për Kosovën dhe përparimin e Shqipërisë.
Mirnjohje për SHBA-në në ditën e tyre të flamurit, kanë edhe gjithë popujt europiano-perendimorë, sepse pa ndihmën amerikane ata do të ishin nën thundrën nazifashiste dhe nën kërcënimin e tankeve sovjetike e sot ruse. Po ashtu mirnjohje kanë edhe popujt e Europës Lindore të cilët pas rënies së komunizmit patën përkrahjen amerikane në rrugën e demokracisë dhe integrimit në NATO si elementi më themelor i ombrellës tyre mbrojtëse.
Mirnjohje për SHBA-në sot kanë vecanërisht ukrahinasit të cilët luftën e tyre të drejtë për mbrojtjen nga agresioni rus, nuk do të kishin mundësinë ta realizonin pa ndihmën e gjithanëshme amerikane.
SHBA-ja ka gjeneruar e gjeneron energji të gjithanëshme, besim e shpresë për qytetarët e vet, (pjesë e të cilve jemi edhe ne shqiptaro- amerikanët), por edhe për qytetarët e botës demokratike. Lidershipi, fuqia e madhe ekonomike, politike, diplomatike e vecanërisht ushtarake e bën ate symbol të sigurisë për të ardhmen.
Ne shqiptarët, lypset ti përafrojmë qëndrimet tonë me aleatin tonë strategjik. Të jemi më të kujdesshëm (por jo servilë), më bashkpunues dhe jo inatcor.
SHBA e gëzofsh 247 vjetorin dhe mijra të tjerë pas tij. God bless America.
ASLLAN BUSHATI