
Nga Keze Kozeta Zylo/
Pena që sjellë vetëm dritë dhe Liri për Kombin tonë do të jetojë përjetësisht.
Krenare që jeni “Qytetar Nderi i Tepelenës së Ali Pashait” vendlindjes sime dhe që sic shkruani ju fëmijëria na ndjek në cdo hap të jetës deri në ditën e mbrame…
Në Tiranë kur filluan të na binin në dorë librat tuaja mezi prisnim t’i lexonim dhe të diskutonim me studentët. Ju jeni shqiptari dhe akademiku i fjalës së kulluar shqipe! Dhe këtë e dua shumë, më jep jetë dhe krenari sepse Gjuha Shqipe na bashkon dhe është identiteti ynë.
Të gjitha librat tuaja, kritika, studimet shkencore gjuhësore, dramat moderne janë në panteonin e kulturës kombëtare.
Kur kam lexuar librin: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” jam drithëruar sepse mjerisht vendi ynë ka pasur dhe vazhdon të ketë “Danjoll” që të tmerrojnë me natën e zezë nga retina e syve të tyre… Këtë fragment që po sjellë më poshtë e kam lexuar në klasë në një heshtje varri nga “Danjolli” që të tmerronte… Ata më thane se ai u shfaqej para tyre si Ciklopi përbindshi me një sy të rrumbullakët në mes të ballit.
Kujtoj se “Vdekja më vjen prej syve të tillë” u botua në Tirane në vitin 1987
Po sjellë një copëz nga ky libër: “Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij”.