Anxhela Ziso/
Në këtë ditë të shenjtë, le të festojmë bashkërisht lirinë, pavarësinë dhe frymën e përbashkët të vëllazërisë shqiptare ishin fjalet qe hapen mbrëmjen e së shtunës me 17 shkurt në orën 19:30, në ambientet e ‘Parkhallen’ Borås, Suedi . Ku u zhvillua një ngjarje e jashtëzakonshme për botën shqiptare, si nga përmasat, ashtu edhe nga rëndësia e saj. Në nderim të ditës së pavarësisë së Kosovës, u organizua një festë e madhe, të cilën e përjetuan rreth 500 të ftuar, përfshirë shqiptarë dhe të huaj. Edhe këtë vit, festa ndoqi ritmin e traditës shqiptare, duke i kushtuar vëmendje të veçantë këtij përvjetori të rëndësishëm.
Në 17 shkurtin, ndjehemi të ftuar të festojmë dhe të kujtojmë përpjekjet dhe arritjet e popullit kosovar. Kjo datë është një kujtim i një ngjarje të rëndësishme historike dhe një shënim për të ardhmen e ndritur të Kosovës. 17 shkurti është një ditë që ndez kujtimet dhe refleksionet mbi rrugën që ka ndjekur Kosova. Kjo datë është shenjë e një fitoreje të popullit kosovar në ndërtimin e një shteti të pavarur dhe të suksesshëm.
Në sfondin e këngëve patriotike, të kombinuara me elemente moderne, shqiptarët gëzuan dhe festuan me një frymë patriotike. Programi i ngrohtë nisi me himnin e flamurit shqiptar dhe himnin e shtetit suedez, duke shtuar një ndjenjë harmonie midis kulturave. Kombinimi i muzikës tradicionale dhe moderne krijoj një atmosferë të veçantë, duke sjellë gëzim dhe krenari për të gjithë pjesëmarrësit.
Prezantuesit e këtij programi ishin Anxhela Ziso dhe Besnik Palnikaj, të cilët udhëhoqën ngjarjen me profesionalizëm dhe pasion. Poezi, këngë dhe valle të paraqitura nga anëtarët e shoqatës Dardania IF në Borås, përfshirë dhe të rinj dhe të rritur. Në këtë atmosferë të ngrohtë, shoqata “Arberia” nga Göteborg iu bashkua festës, prezantuar kënge folklorike, valle dhe recitime.
Nënëkryetarja e shoqatës kulturore dhe sportive “Dardania IF”, znj. Syzana Haziraj, mori fjalën dhe mbajti një fjalim përshëndetës për të gjithë të pranishmit. Pastaj, kryetari i shoqatës, z. Muharrem Binaku, ftoi të ftuarit e mbrëmjes për të adresuar të pranishmit dhe shprehu dëshirën e tyre për të përshëndetur të gjithë bashkatdhetarët që morën pjesë në këtë festë të pavarësisë.
Nga komuna e Borås ishin të pranishëm z. Ulf Olsson dhe Annete Carlsson dhe ishte gjithashtu prezent zëvendës deputi i parlamentit suedez Arber Gashi dhe deputeti z. Adnan Dibrani.
Ky event i veçantë nuk do të ishte i mundur pa organizatorët kryesorë të festës, shoqatën kulturore dhe sportive “Dardania IF” nga Borås. Por, ketij organizimi kulturor nuk mund ti mungonin dhe artisti Asim Gashi dhe muzikanti Arlind Bytyqi.
Nuk duhen harruar anëtaret e shoqates që kontribuan që cdo gjë te shkoj mirë dhe ata janë: Lirije Kadriu, Rabisa Haradini, Hysen Aliu, Abdulla Grxhaliu, Fatmir Bajramaj,
Vjollca Gjinkolla Nord, Albertina Hyseni, Aleksander Ziso, Qerim Tafilaj, Syzana Keqekolla, Ylber Haziraj, Mirvete Binaku, Marsela Basha, Igball Nici, Muhedin Salihu (Shpici).
Ata, së bashku me prindërit dhe mësueset e palodhura Shadie Grxhaliu, Marigo Grxhaliu-Koca dhe Sadije Hasani janë angazhuar me pasion për të përfshirë fëmijët në valle, këngë, dhe recitime, duke bërë kështu këtë festë të pavarësisë një ngjarje të paharrueshme.
Si një urë që lidhë të kaluarën me të ardhmen dhe krijon një lidhje të fortë midis brezave është e rëndësishme që traditat dhe vlerat kulturore të pasohen me kujdes dhe pasion nga një brez në tjetrin.Kështu, kultura jonë do të mbijetojë dhe do të pasohet me nderim dhe dashuri nga gjenerata në gjeneratë.