

Valdete Cenalia Dida/
Gjatë gjithë muajit Shkurt 2025 në shkollën shqipe, Riverdale të Nju Xhersit u zhvillua Projekti për Pavarësinë e Kosovës, ku fëmijët e të gjitha klasave paraqitën të vizatuar dhe ngjyrosur bukur, hartën e të bukurës Dardani.
Kultivimi i identitetit tonë kombëtar, veçanërisht mësimi i gjuhës amtare shqipe, është si një vlerë dhe “detyrë shtëpie” për të gjithë ne, emigrantët shqiptar.
Bashkëpunimi i ngushtë i drejtuesve të Qendrës Kulturore Shqiptaro- Amerikane me në krye kryetarin Sinan Halimi dhe të mësimdhënësve me në krye drejtoreshën e shkollës shqipe Gonxhe Meta, arritëm të realizonim jo vetëm këtë projekt, por shumë projekte dhe misione duke ia arritur qëllimin që të ruajmë gjuhën, traditën dhe identitetin që na identifikon ne shqiptarëve.
17 Shkurti i 2008-ës ishte kurora më bukur që iu vu në “kokë” Kosovës heroike, pas një rrugëtimi të gjatë e të dhimbshëm për kombin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës.
Edhe pse e ndarë nga rrënjët e shtetit mëmë, ajo sfidoi pushtuesit e saj nëpër shekuj, sidomos armikun e saj një shekullor serb.
E kurorëzuam me një program të artistëve të vegjël nga nxënësit e shkollës shqipe me këngë, recitime dhe valle që flasin dhe frymojnë vetëm shqip.
Nënkryetari i Qendrës Shqiptaro Amerikane, Jeton Abduramani në fjalën e tij tha: se edhe ne e kemi dëshmuar, se kur kombi jonë shqiptar ka nevojë, ne gjithmonë jemi bashkë, se duke qenë të bashkuar përballojmë çdo sfidë me fitore, duke dëshmuar qartë me Pavarësinë e Kosovës.
I ftuari i konsullatës së Kosovës, Fatmir Zajmi tha se Dita e Pavarësisë së Kosovës është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar.
Shoqata juaj Shqiptaro Amerikane ka një traditë të gjatë në kontributin për organizimin e Pavarësisë së Kosovës.
Kryetarja e Bashkisë Fairview, Violeta Berisha u shpreh se jam shumë e lumtur, që jam këtu në mesin tuaj, të festoj së bashku me ju, në këtë ditë të shënuar për Pavarësinë e Kosovës.
Unë jam shumë e lumtur dhe e emocionuar, kur shikoj këto fëmijë që recitojnë dhe këndojnë kaq bukur shqip. Asnjëherë nuk kemi harruar nga kemi ardhur, duke e vërtetuar më së miri identitetin tonë kombëtar, të pastër dhe të artë.
Rruga për Pavarësinë e Kosovës, ka qenë një rrugëtim i vështirë, i sakrificave, por u kurorëzuar me sukses më 17 shkurt të vitit 2008.
Festojmë dhe gëzojmë njësoj edhe ne fëmijët e shkollës shqipe së bashku me drejtuesit dhe mësuesit e Qendrës Kulturore Shqiptaro- Amerikane, siç feston zemra jote Kosovë!
Gëzuar ditëlindjen e 17-të tokë e bekuar, Dardani!