Hisen Berisha/
Televizioni mbetet një nga mediumet më të rëndësishme për informimin, edukimin gjithëpërfshirës, dhe promovimin e vlerave kombëtare e botërore. Në Kosovë, televizioni ka pasur një histori të veçantë, të lidhur ngushtë me sfidat dhe zhvillimet e vendit, nëpër të cilat ka rrugëtuar bashkë deri në liri.
Gjatë viteve të okupimit serb, televizioni kosovar kaloi kohë të vështira, me mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në vitet ’90, ndërsa zëri i popullit u hesht nga regjimi. Megjithatë, televizioni nuk u dorëzua, por u bë një zë i fuqishëm i rezistencës, në Kroaci e Shqipëri duke përfshirë edhe hapësirat në mediume ndërkombëtare në SHBA dhe Evropë, të cilat ndihmuan në mbajtjen gjallë të kauzës së lirisë dhe identitetit kombëtar.
Në periudhën e luftës, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përkrahur nga bota demokratike dhe forcat e NATO-s luftuan dhe sollën lirinë, televizioni luajti një rol jetësor në informimin e popullit dhe në ruajtjen e moralit të lartë, deri në përfundim të luftës, kur u rilind Radio Televizioni i Kosovës (RTK) me një frymë të re.
Sot, të gjitha televizionet që operojnë në Kosovë kanë një përgjegjësi të madhe. Ato duhet të jenë jo vetëm burim i informimit të saktë dhe të paanshëm, por edhe promotorë të edukimit gjithëpërfshirës me vlerat që ndërtojnë një shoqëri të drejtë dhe të hapur. Nga përhapja e kulturës kombëtare te njohja e vlerave ndërkombëtare, televizioni duhet të vazhdojë të jetë një forcë që bashkon dhe forcon shoqërinë tonë. Një dedikim të veçantë për të gjithë punëtorët televizivë me theks gazetarët që luajnë një rol të veçantë si fuqi e shtatë në shoqëritë demokratike.
Le të festojmë fuqinë dhe rolin e televizioneve që na kanë ndihmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, vlerave të kombit, familjes dhe shtetit.