
Julika Prifti/
Sot ndihem e gëzuar që mund të ta uroj këtë ditë si bija jote por që kam pasur fatin të rritem edhe me një pjesë të krijesave të tua letrare të paharrueshme.
Një prej tyre është “Pika e Ujit” që feston 55 vjetorin e daljes së saj në jetë këtë vit.
Sa bukur t’i shpjegosh fëmijës tënd të vogël qarkullimin e ujit në natyrë përmes një përralle aq fantastike. “Pika e Ujit” u bë shumë e dashur për gjithë brezin tim të shokëve e shoqeve. Tek ajo shikonim shumë karakteristika të vetes sonë. Fustane të pastra, shëtitje të gjata, kuriozitet të pashuar, pyetje pa mbarim, mbajtja në mendje të këshillave të mamasë…
Pika e Ujit mbetet e dashur dhe e veçantë edhe për tërë brezat e fëmijëve sepse tema e saj është e gjithkohshme. Pas botimit të saj, “Pika e Ujit” u bë edhe më e njohur si film vizatimor nga “Kinostudioja e Re” me skenar të Naum Priftit, regjia Bujar Kapexhiu, piktor Vlash Droboniku, operator Tomi Vaso, kompositor Ferdinand Deda, operator zëri Fahri Jukni, montazhi Elsa Bushati. Suksesi i saj qe i menjëhershëm dhe u vlerësua me medaljen e çmimit të parë në Festivalin e filmit shqiptar të vitit 1977.
Sa vende të botës kanë një përrallë të tillë si Pika e Ujit për t’u shpjequar fëmijëve një fenomen të natyrës? Për t’i njohur ata me bukuritë e natyrën fizike të atdheut të tyre? Sa bukur të mësosh diturinë e natyrës përmes një përralle! Çfarë fati për fëmijët shqiptarë në atdhe e jashtë tij!
Të falenderoj që na e bëre fëmijërinë aq të bukur edhe në një kohë shumë të rëndë në Shqipëri. E ndiej se sot së bashku me mua, me dashuri e adhurim, ta urojnë festën e babait edhe qindra e qindra personazhe si “Pika e Ujit” që ti i solle në jetë me krijimtarinë tënde.