
Imam Shuajb Gerguri
Qendra Islame Shqiptare, Detroit
Ne jemi mirënjohës që arritëm edhe një herë muajin e Bekuar të Ramazanit, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi është falje dhe fundi është shpëtimi nga zjarri i xhehenemit / ferrit.
Edhe pse jemi të mërzitur që ky muaj i bekuar përfundoi, në të njejtën kohë jemi të lumtur që në këtë mëngjes të Fiter Bajramit, jemi mbledhur këtu me ndjenjat e besnikërisë dhe vëllazërisë të përhapura në mesin tonë.
Falënderimi dhe lavdërimi i pafund qofshin për All-llahun e Plotfuqishëm (sët) që na bëri të mundur të arrijmë Fiter Bajramin.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin (a.s.) i cili i përshkruan ditët e Bajramit si ditët e gëzimit, lumturisë dhe përkujtimit të Allahut (sët). Gëzuar Bajramin! Ju uroj të gjithëve një Bajram të lumtur!
Të dashur vëllezër dhe motra!
Fiter Bajrami është dhuratë e Allahut të Lartësuar (sët) për shërbëtorët e Tij që agjëruan në muajin e Ramazanit.
Sot është koha për t’iu afruar njëri-tjetrit, për të hapur dyert e zemrave dhe shtëpive tona dhe për të ndarë lumturinë tonë me njëri tjetrin.
Sot është koha për të sjellë shpresën, mirënjohjen dhe gëzimin e të qenit një besimtar që ndien kënaqësi gjatë Bajramit kudo që të jetë.
Prandaj, le ta përjetojmë këtë gëzim me prindërit tanë, të cilët meritojnë më së shumti respekt dhe mirësi, me gratë tona që janë shoqërueset tona besnike dëshmitarët e ditëve tona të vështira dhe të mira dhe me fëmijët tanë që janë burimi i gëzimit dhe shpresës në shtëpitë tona.
Le të vizitojmë pleqtë e familjes, të afërmit, fqinjët dhe miqtë. Le të interesohemi për çdo të sëmurë nga mesi ynë dhe të pyesim për gjendjen e tyre dhe ta bëjmë të lumtur çdo të moshuar nga mesi ynë. Le t’i japim kuptim Fiter Bajramit tonë me buzëqeshjen e jetimëve, dhe njerëzve në nevojë dhe atyre që janë të vetmuar.
Në mëngjesin e këtij Fiter Bajrami, le t’u japim fund mërive dhe mosmarrveshjeve në mes nesh si vëllezër e motra me të cilët i drejtohemi të njejtës Kible/ Qabe krah për krah.
Në një hadith autentik: Anas ibn Mālik (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka raportuar: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: “Kush do që furnizimi/ rizku i tij të zgjerohet dhe jeta e tij të zgjatet, duhet të mbajë lidhjet farefisnore.”
Le t’i forcojmë lidhjet e përzemërsisë dhe të besimit mes nesh duke iu bindur urdhrit hyjnor:
“Besimtarët nuk janë veçse vëllezër.”
Le të kujtojmë të afërmit tanë që vdiqën dhe martirët tanë të lavdishëm që sakrifikuan jetën e tyre për atdheun tonë të bekuar.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Profeti a.s ka thënë, ne si muslimanë, duhet të jemi si një trup i vetëm, nëse cilado pjesë e trupit tonë dhemb, ju si musliman, kudo, duhet të ndjeni dhimbjen.
Të mos harrojmë vëllezërit dhe motrat tona të shtypura anembanë botës.
Le t’i ngremë duart dhe t’i lutemi Allahut (sët) për vëllezërit dhe motrat tona muslimane në vështirësi në të gjithë botën, veçanërisht vëllezërit dhe motrat tona në Gaza Palestinë që vazhdojnë të vuajnë për më shumë se shtatëdhjetë vjet, le të lutemi që Allahu SËT t’i çlirojë nga shtypja që po përjetojnë për kaq gjatë.
Të dashur besimtarë!
Me këto mendime dhe ndjenja, dua t’i uroj një Fiter Bajram të lumtur gjithë botës myslimane, kryesisht kombit tonë. Lusin Allahun e Plotfuqishëm (sët) që të sjellë mirësi për njerëzimin në këtë Fiter Bajram.
Ligjeratën time dua ta përfundoj me këtë hadith të Profetit Muhamed (saws):
“O njerëz! Përhapni paqe/salaam në mes jush, ndani ushqime me njëri-tjetrin, mbani marrëdhëniet tuaja të farefisnisë dhe faluni ndërsa njerëzit flenë dhe do të hyni në Xhennet në Paqe.» Tirmidhi, Sifat el-Qiyamah.